Botë

Arrin në dy numri i të vdekurve nga sulmi në Mannheim

Mannheim

Përditësuar (17:25) - Numri i të vdekurve në Mannheim tani është rritur në dy, raporton agjencia e lajmeve AFP duke cituar një politikan lokal.

Thomas Strobl, ministri i Brendshëm për Baden-Wuerttemberg, shteti ku ndodhet qyteti, i ka thënë AFP-së se i dyshuari është një gjerman 40-vjeçar.

Ka pasur raportime në Gjermani se rreth 25 persona janë lënduar nga sulmi, por kjo nuk është konfirmuar nga policia.


I dyshuari për sulmin në Mannheim është një 40-vjeçar gjerman

Përditësuar (16:46) - Ministri i Brendshëm i shtetit të Baden-Württemberg, Thomas Strobl, ka thënë për agjencinë gjermane të lajmeve dpa se i dyshuari për sulmin në Mannheim është një shtetas gjerman 40-vjeçar nga shteti fqinj Rhineland-Pfalz.

Të paktën një person ka mbetur i vdekur dhe disa të tjerë të lënduar si pasojë e sulmit.

Nuk dihet ende nëse sulmi është i qëllimishëm apo jo dhe nëse autori ka vepruar bashkë me dikë tjetër.


Përditësuar (14:59) - Spitali në Mannheim aktivizon planin e “përgjigjes ndaj fatkeqësive”

Sipas një deklarate për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Spitali Universitar Mannheim ka aktivizuar planin e tij të "përgjigjjes ndaj fatkeqësive", pas sulmit me veturë ndaj një turme këmbësorësh në qytet të hënën.

Spitali ka njoftuar po ashtu se janë vënë në dispozicion tetë ekipe traumatike, si për të rritur ashtu edhe për fëmijë.

“Operacionet që mund të shtyheshin dhe ende nuk kishin filluar, u hoqën menjëherë nga orari i operimit për të krijuar kapacitet shtesë operativ”, ka njoftuar spitali.

Një person është konfirmuar i vdekur dhe disa të tjerë të lënduar pasi një veturë ka goditur këmbësorët në një treg në Mannheim të Gjermanisë. 

Një i dyshuar është arrestuar në vendngjarje, teksa nuk dihet nëse ai ka vepruar i vetëm apo me dikë tjetër.

"Bild" raporton se policia ka sekuestruar veturën e dyshuar me të cilën është kryer sulmi. 

Pamje nga vendi i ngjarjes. Foto: AP

Të paktën një i vdekur nga sulmi në Mannheim

Përditësuar (13:54) - Një person ka mbetur i vdekur dhe disa të tjerë të lënduar si pasojë e përplasjes së këmbësorëve nga një veturë në qytetin Mannheim të Gjermanisë, ka konfirmuar policia gjermane.

Vetura raportohet se ka goditur këmbësorët në një treg të qytetit.

Një i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa oficerët po shqyrtojnë nëse ka pasur të dyshuar të tjerë të përfshirë.

Policia gjermane është në gatishmëri të lartë për paradat e karnavaleve të këtij viti pasi llogaritë e mediave sociale të lidhura me grupin militant të Shtetit Islamik kanë bërë thirrje për sulme ndaj ngjarjeve në Këln dhe Nuremberg.

Siguria po vazhdon të jetë një shqetësim kryesor në Gjermani pas një serie sulmesh të dhunshme në javët e fundit, duke përfshirë përplasjet vdekjeprurëse të veturave në Magdeburg në dhjetor dhe në Mynih muajin e kaluar, si dhe një therje me thikë në Mannheim në maj të vitit 2024.

Mannheim është një qytet me rreth 300,000 banorë dhe ndodhet në jug të Frankfurtit.


Një veturë godet këmbësorët në Mannheim të Gjermanisë

Një operacion policor është duke u zhvilluar në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Mannheim, pasi një veturë raportohet se goditi një turmë këmbësorësh.

Njerëzit janë kërkuar të shmangin qendrën e qytetit, por policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Automjeti ka goditur turmën në një treg, thonë raportet në mediat gjermane

Gazeta lokale “Mannheimer Morgen” citon një dëshmitar të thotë se një veturë ka goditur një turmë në një treg në qytet.

Policia ende nuk ka dhënë detaje nëse ka pasur viktima.

Gazeta gjermane “Bild” raporton se vetura ishte një SUV i zi.