Një rrjet i faqeve të internetit me bazë në Rusi që maskohen si gazeta lokale amerikane po shpërndanë artikuj të rremë si pjesë e një operacioni të fuqizuar nga AI. Kjo në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit në SHBA dhe politikat amerikane, britanike dhe ukrainase. Një ish-polic i Floridës që është transferuar në Moskë mendohet të jetë një nga figurat kryesore që qëndron pas kësaj.
Olena Zelenska, zonja e parë e Ukrainës, gjatë vizitës në Paris për përkujtimin e Ditës D në qershor, dyshohet se ka blerë një veturë sportive Bugatti Tourbillon për 4.5 milionë euro. Për këtë blerje ajo gjoja ka përdorur paratë e ndihmave ushtarake amerikane.
Ky do ishte lajm i jashtëzakonshëm – po të ishte i vërtetë. Artikulli është publikuar në një uebfaqe franceze para disa ditësh – dhe shpejt është hedhur poshtë.
Ekspertët kanë vënë re gjëra të çuditshme në këtë artikull. Sinjalizuesi i cituar në artikull është shfaqur vetëm në një video të edituar, e cila mund të jetë e krijuar artificialisht. Bugatti e ka mohuar këtë, duke e quajtur “lajm të rremë” dhe përfaqësia në Paris ka kërcënuar me veprime ligjore kundër njerëzve që qëndrojnë pas artikullit të rremë.
Por para se të dilte e vërteta, gënjeshtra është përhapur shpejt nga influencerët. Aktivisti pro-rus, pro-Donald Trump, Jackson Hinkle, ka postuar në platformën X linkun e parë nga 6.5 milionë njerëz. Nga këtu artikulli është shpërndarë edhe nga llogari të tjera në X.
Ishte lajm i rremë, në një webfaqe të rreme, e dizajnuar për t’u shpërndarë online, me origjinë nga një operacion dezinformomi me bazë në Rusi, e cila duket se përpiqej ta sulmonte qeverinë ukrainase.
Por sipas hulumtimit të BBC-së, për më shumë se gjashtë muaj, që përfshinte shqyrtimin e qindra artikujve në dhjetëra faqe interneti, operacioni i dezinformimit ka një objektiv të ri - votuesit amerikanë.
Dhjetëra artikuj të rremë të gjurmuar nga BBC-ja thuhet se kanë për qëllim ndikimin e votuesve në SHBA përpara zgjedhjeve të nëntorit. Disa prej këtyre artikujve janë shpërfillur plotësisht, por të tjerë janë shpërndarë nga influencuesit dhe anëtarët e Kongresit të SHBA.
Artikulli për Bugattin ka prekur shumë nga temat kryesore të operacionit – korrupsionin ukrainas, shpenzimet e ndihmës amerikane dhe punët sekrete të shoqërisë së lartë franceze.
Një tjetër gënjeshtër e bërë virale këtë vit ka shënjestruar politikën amerikane.
Ishte publikuar në uebfaqen “The Houston Post” dhe ka pretenduar se FBI-ja e ka përgjuar ilegalisht resortin e Trumpit në Florida.
Kjo ka qenë në përputhje me pretendimet e Trumpit se sistemi i drejtësisë është padrejtësisht kundër tij, se ka një komplot për t’ia penguar fushatën dhe se kundërshtarët e tij po përdorin truke të pista për ta sabotuar atë. Vetë Trumpi e ka akuzuar FBI-në se ia ka përgjuar bisedat.
Ekspertët thonë se operacioni është vetëm pjesë e një përpjekjeje më të madhe, të udhëhequr nga Moska, për të shpërndarë dezinformata gjatë fushatës zgjedhore të SHBA-së.
Edhe pse nuk ka prova të forta se këto uebfaqe janë të drejtuara nga Rusia, studiuesit thonë se shkalla dhe sofistikimi i operacionit është i ngjashëm me përpjekjet e kaluara të mbështetura nga Kremlini.
“Rusia do të jetë e përfshirë në zgjedhjet amerikane të 2024-s, siç do të jenë edhe të tjerët”, ka thënë Chris Krebs, drejtor i Agjencisë së Sigurisë amerikane të Kibernetikës dhe Infrastrukturës. “Ne veç i kemi parë të nisin sherr, duke u përpjekur të prekin pikat tashmë të diskutueshme të politikës amerikane”.
Si janë shpërndarë gënjeshtrat
Fushatat e dezinformimit dhe operacionet me “lajme të rreme” kanë marrë vëmendje që nga fushatat zgjedhore amerikane të vitit 2016. Dezinformuesit janë bërë më kreativë në shpërndarjen e informacionit dhe e bëjnë atë të duket reale.
Ata përdorin inteligjencën artificiale për të gjeneruar mijëra artikuj të postuar në uebfaqe me emra amerikanë si Houston Post, Chicago Crier, Boston Times dhe DC Weekly. Disa nga këta emra janë të gazetave reale që nuk operojnë më.
Shumica e këtyre artikujve bazohen në lajme të vërteta nga uebfaqe të tjera, të rishkruara nga softueri i inteligjencës artificiale. Artikujt u atribuohen qindra gazetarëve të rremë me emra të sajuar dhe në disa raste, fotografi të profilit të marra nga diku tjetër.
Për shembull, një foto e autores së njohur Judy Batalion është përdorur në disa artikuj në një uebfaqe të quajtur DC Weekly, “të shkruara” nga një person i quajtur “Jessica Devlin”.
“Isha vërtetë e hutuar”, ka thënë Batalion. “Akoma nuk e kuptoj çfarë kanë kërkuar fotot e mia në këtë uebfaqe”.
Ajo mendon se këto foto janë marrë nga profili i LinkedIn-it.
“Nuk kisha kontakt me këtë uebfaqe”, ka thënë ajo. “Më bëri të vetëdijshme me faktin se fotot tona mund të përdoren nga dikush tjetër”.

Judy Batalion nuk ka pasur të bënte me operacionin e lajmeve të rreme, por fotoja e saj ka qenë një nga shumë që është përdorur nga reporterët e rremë.
Numri i madh i artikujve - mijëra çdo javë - së bashku me përsëritjen e tyre nëpër uebfaqe të ndryshme, tregon se procesi i postimit të përmbajtjes së krijuar nga AI është i automatizuar. Duket se këta artikuj synojnë audiencën amerikane. Artikujt shpesh janë përzierje e problemeve politike amerikane dhe ukrainase.
Një raport tjetër i tillë flet për një udhëtim blerjeje në New York, nga zonja e parë e Ukrainës dhe sipas tij ajo ka qenë raciste ndaj stafit të dyqanit të bizhuterive.
Disa nga gënjeshtrat shpërndahen dhe shikohen nga shumë njerëz nëpër rrjetet sociale, ka thënë Clement Briens, analist i lartë në kompaninë e sigurisë kibernetike “Recorded Future”.
Sipas të dhënave të kompania së tij 120 uebfaqe janë regjistruar nga operacioni në vetëm tri ditë në muajin maj. Dhe rrjeti është vetëm një nga operacionet e shumta të dezinformimit të bazuara në Rusi.
Ekspertët e tjerë – në Microsoft, Universitetin Clemson dhe në “Newsguard”, kompani që gjurmon faqet e dezinformatave - kanë gjurmuar gjithashtu rrjetin. “Newsguard” thotë se ka numëruar të paktën 170 uebfaqe të lidhura me operacionin e dezinformimit me bazë në Rusi.
“Në fillim, operacioni është dukur i vogël”, ka thënë McKenzie Sadeghi, redaktore në “Newsguard”. “Me kalimin e çdo jave, dukej se po rritej ndjeshëm për sa i përket madhësisë dhe shtrirjes. Njerëzit në Rusi i citonin rregullisht këto narrativa, nëpërmjet televizionit shtetëror rus, zyrtarëve të Kremlinit dhe influencerëve atje. Ka një narrativë të re që buron nga ky rrjet pothuajse çdo javë ose dy”.
Falsifikimi të duket i vërtetë
Për t’i bërë më të besueshme tregimet e rreme, operativët krijojnë video në YouTube, shpesh duke shfaqur njerëz që pretendojnë se janë "informues" ose "gazetarë të pavarur". Në disa raste janë aktorë, e në raste të tjera zëra të gjeneruar me AI.
Disa nga videot duket se janë xhiruar në një sfond të ngjashëm, duke sugjeruar më tej përpjekjen e koordinuar për të përhapur lajme të rreme.
Videot nuk supozohen të bëhen virale dhe kanë pak shikime në Youtube. Në vend të kësaj, videot citohen si "burime" dhe citohen në tekste në faqet e internetit të gazetave të rreme.
Për shembull, artikulli për operacionin e informacionit ukrainas që dyshohet se synonte fushatën e Trumpit, ka cituar një video në YouTube, e cila supozohej të përfshinte pamje nga një zyrë në Kiev, ku postera të rremë të fushatës shiheshin në mure.

Pastaj këto postohen në kanalet e Telegramit dhe llogari të tjera të rrjeteve sociale.
Edhe pse pak prej tyre marrin vëmendje, disa janë shpërndarë te miliona njerëz, madje edhe te njerëzit në pushtet.
Një artikull i DC Weekly, që pretendon se zyrtarët ukrainas kanë blerë jahte me ndihmat ushtarake amerikane, është shpërndarë nga disa anëtarë të Kongresit, duke e përfshirë senatorin J D Vance dhe përfaqësuesen Marjorie Taylor Greene. Vance është një nga politikanët e përmendur si kandidat i mundshëm për zëvendëspresident.
Përfshirja e ish-policit amerikan
Një nga njerëzit kryesorë të përfshirë në operacion është John Mark Dougan, ish-pjesëtar i marinës amerikane, që ka punuar si polic në Florida dhe Maine në vitet e 2000-ta.
Dougan më vonë ka hapur një uebfaqe të dizajnuar për të mbledhur informacione të rrjedhura nga ish-punëdhënësi i tij, Zyra e Sherifit në Palm Beach.
Faqja e Douganit ka publikuar informacione autentike, duke i përfshirë adresat e shtëpive të oficerëve të policisë, së bashku me artikuj të rremë dhe thashetheme. FBI-ja e ka bastisur banesën e tij në vitin 2016, e pastaj ai ka ikur në Moskë.
Që nga atëherë ai ka shkruar libra, ka raportuar nga zonat e pushtuara të Ukrainës dhe është paraqitur në panelet ruse të ekspertëve, në ngjarje ushtarake dhe në një stacion televiziv në pronësi të ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Dougan e ka mohuar përfshirjen në krijimin e kësaj uebfaqeje. Por në raste të tjera, ai është mburrur për aftësinë e shpërndarjes së lajmeve të rreme. Në një pikë ai gjithashtu ka lënë të kuptohej se aktivitetet e tij janë formë hakmarrjeje ndaj autoriteteve amerikane.
“Për mua është lojë”, ka thënë ai. “Dhe hakmarrje”.
Në herë tjetër ai ka thënë: “Kanali im i Youtube ka marrë shumë goditje për keqinformim” për raportimin nga Ukraina. “Kështu që nëse duan keqinformim, ta bëjmë siç duhet”.
Një provë digjitale tregon lidhjen mes policit dhe uebfaqeve të bazuara në Rusi. Një artikull në faqen e DC Weekly, e shkruar si përgjigje ndaj një artikulli të New York Times që përmendte Dougan, i atribuohej "Një qytetari amerikan, pronarit të këtyre faqeve" dhe thoshte: "Unë jam pronari, qytetar amerikan, veteran ushtarak amerikan, i lindur dhe i rritur në Shtetet e Bashkuara.”
Por me gjasë Dougan nuk është i vetmi që punon për këto operacione dhe kush i financon ato mbetet e panjohur. Dougan e mohon se është paguar nga Kremlini.
“Nuk kam marrë asnjë cent nga qeveria ruse”, ka thënë ai.
Shënjestrimi i zgjedhjeve amerikane
Operacioni në të cilin është përfshirë Dougan ka vendosur fokusin nga artikujt për luftën në Ukrainë në artikujt për politikat amerikane dhe britanike.
Artikulli i rremë për përgjimin e pretenduar të FBI-së në resortin e Trumpit ka qenë një nga artikujt e parë të prodhuar nga rrjeti për politikat e SHBA-së, pa lidhje me Ukrainën ose Rusinë.
Clint Watts, që udhëheq Qendrën e Analizave të Kërcënimeve Digjitale të Microsoftit, ka thënë se operacioni shpesh përzien problemet e Ukrainës dhe ato të Perëndimit. Sipas Watts, kjo mund të përbëjë problem për zgjedhjet e nëntorit.
“Ata nuk marrin vëmendje masive çdo herë”, ka thënë ai. “Por kjo mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm” dhe artikujt nga rrjeti mund të shpërndahen shpejt, sipas Watts.
“Ditët kur Rusia ka blerë reklama me rubla, ose ka pasur shakaxhi që ulen në një fabrikë të St. Petersburgut kanë përfunduar”, ka thënë Nina Jankowicz, drejtoreshë e Projektit Amerikan “Sunlight”, organizatë joqeveritare që përpiqet ta luftojë përhapjen e dezinformatave. “Jemi duke parë më shumë shpëlarje të informacioneve”, duke përdorur terma që i referohen riciklimit të artikujve të rremë.
Studiuesit nga Microsofti gjithashtu thonë se operacioni është duke u përpjekur të shpërndajë artikuj për politikat britanike dhe Olimpiadën e Parisit. Një artikull i rremë ka pretenduar se Zelenskyy ka blerë një rezidencë, që është në pronësi të Mbretit Charles III.
Kjo është parë nga mijëra përdorues të X-it dhe është ndarë nga një llogari zyrtare e ambasadës ruse.
Dhe Dougan ka lënë të kuptohet për plane akoma më të mëdha kur është pyetur se nëse rritja e vëmendjes në aktivitetet e tij do ta ngadalësojë përhapjen e artikujve të rremë.
“Mos u shqetësoni”, ka thënë ai. “Loja sapo ka filluar”.
LEXO EDHE: