Presidenti i Burundit ka thënë se ka marrë mjaftueshëm informata të inteligjencës që Ruanda po planifikon t’ia sulmojë shtetin. Evariste Ndayishimiye ka thënë për BBC-në se Ruanda ka tentuar vjet më parë edhe një puç në Burundi, “sikur atë që po e bën në Republikën Demokratike të Kongos” tani.
Ruanda është përgjigjur shpejt, duke i quajtur deklaratat e presidentit “befasuese” dhe duke insistuar se dy shtetet fqinje po bashkëpunojnë në planet e sigurisë për kufirin e përbashkët, që është mbyllur për tashmë një vit.
Pavarësisht dëshmive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ruanda ka mohuar armatosjen dhe mbështetjen e grupit rebel M23, që ka kapur pjesë të mëdha në lindje të DR Kongos, bashkë me trupat e Ruandas.
Ruanda ka mohuar lidhjet edhe me grupin tjetër rebel Red Tabara, që sipas presidentit të Burundit, është forcë satelite e ngjashme me M23-shin dhe po mbështetet nga Ruanda për të destabilizuar Burundin.
“E dimë që presidenti i Ruandas, Paul Kagame, ka plan të sulmojë Burundin. Burundasit nuk do të pranojnë të vriten siç u vranë kongolezët. Populli i Burundit është luftarak. Por ne nuk kemi asnjë plan për të sulmuar Ruandan. Duam ta zgjidhim atë problem me dialog”, ka thënë ai për BBC-në.
Ndayishimiye bën thirrje për paqe dhe zbatim të një marrëveshje mes dy shteteve – që ishte nënshkruar vite më herët, por që sipas Burundit, nuk po zbatohet nga Ruanda.
“Njerëzit që bënë puçin e 2015-s të organizuar nga Ruanda, më pas ikën. Ruanda i organizoi – shkoi dhe i rekrutoi në kampin e të rinjve në Mahama. I trajnoi, u dha armë dhe i financoi. Ata po jetojnë në duart e Ruandës. Nëse Ruanda pranon t’i dorëzojë dhe t’i sjellë para drejtësisë, problemi do të zgjidhej”, ka shtuar ai. “Nuk ka nevojë që të shkojmë në luftë. Ne duam dialog, por s’do të rrimë duarkryq nëse sulmohemi. Nuk kemi asgjë për të kërkuar nga Ruanda në këmbim, por ata refuzojnë sepse kanë një plan të keq – donin të bënin atë që po e bëjnë në DRC”.
Kufiri i Ruandës me Burundin është mbyllur që kur rebelët patën kryer sulme ndaj Burundit.
Përderisa situata me Ruandën është kritike, ky s’është i vetmi problem i Burundit.
Në perëndim, konflikti në DR Kongo ka qenë pikë vlimi e vazhdueshme pasi grupet rebele, milicitë e palë të huaja po përpiqen të kontrollojnë burimet e vlefshme të shtetit.
“Forcat e jashtme janë përgjegjëse për vazhdimin e këtij konflikti. Ata nuk duan paqe në DRC sepse duan të vazhdojnë t’i grabisin burimet e saj”, ka thënë Ndayishimiye për BBC-në. “Kriza në DRC s’është për njerëzit – por për mineralet”.
Sipas tij, zgjidhja është që të gjitha palët, përfshirë ato opozitare dhe grupet e armatosura, të ulen e të diskutojnë për të ndërtuar të ardhme më të mirë.
Por sipas tij, gjithçka varet nëse Ruanda do të ketë vullnet.
“Problemi mes Ruandës dhe DRC-së është i vogël. Mund ta zgjidhin pa vrasje të njerëzve. Për shembull, dëgjoj njerëz që Ruanda ka thënë se do të shkojë në DRC për shkak të FDLR-së (Grup rebel i Ruandës, i akuzuar për lidhje me gjenocidin e 1994-s). Por kush po vritet? Të gjithë që po i shoh janë kongolezë – përse po vrasin kongolezë kur thonë se po kërkojnë FDLR-në?” ka thënë presidenti.
Qëkur rebelët e M23 dhe trupat e Ruandës nisën të kapin qytete në lindje të DR Kongos në janar, lufta ka detyruar qindra mijëra kongolezë të largohen nga vendlindja.
Shumë prej tyre kanë kaluar lumin Rusizi për të mbërritur në Burundi, edhe pse rruga ua ka marrë jetën shumë njerëzve.
Duke jetuar në kampe refugjates, disa prej tyre thonë se duan të kthehen në shtetin e tyre, por ankohen se kufiri Burundi – DRC është i mbyllur. Këtë e mohon presidenti i Burundit.
“Jo, kufiri jonë me Kongon nuk është i mbyllur. Kah kaluan ata kur hynë në Burundi? Edhe sot mund ta shfrytëzojnë lumin për t’u kthyer”, ka thënë ai.
Kur iu tha se ky lumë mund të jetë i rrezikshëm, presidenti u shpreh se ai “nuk po i fton refugjatët”.
Për të mbërritur fundin e luftës dhe që të ketë paqe në Kongo, presidenti i Burundit ka thënë se duhet të zgjerohet mandati i forcave ndërkombëtare dhe që të përballen me rebelët.
Ai po ashtu ka thënë se forcat e Burundit nuk do të tërhiqen nga Kongo deri sa Burundi të sigurohet se kufijtë e vet janë të sigurt.
Më herët gjatë muajit, liderët e Afrikës jugore njoftuan se forcat e tyre do të tërhiqeshin nga Kongo ku po ndihmojnë në luftën ndaj M23.