Botë

Një psikologe 47-vjeçare bëhet personi i parë në Peru që vdes përmes eutanazisë

Ana Estrada

Ana Estrada

Foto: Associated Press

Një psikologe peruane i cila kishte një sëmundje të pashërueshme që i dobësonte muskujt dhe që e la atë të shtrirë në shtrat për shumë vjet, ka vdekur përmes eutanazisë, kanë bërë të ditur avokatët e saj të hënën.

Psikologjia Ana Estrada është bërë personi i parë në Peru që ka fituar të drejtën që të vdesë me asistencë mjekësore, raporton AP.

Estrada kishte luftuar për disa vjet me gjykatat e Perusë, për “të drejtën për të vdekur me dinjitet”, dhe ishte bërë e famshme në shtetin konservativ, ku eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar janë ilegale.

Në vitin 2022, Estradas iu bë një përjashtim nga Gjykata Supreme e Perusë, e cila la në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët që i jepte asaj të drejtën të vendoste se kur t'i jepte fund jetës së saj, dhe tha se ata që e ndihmuan nuk do të dënoheshin. Kështu, Estrada u bë personi i parë që mori të drejtën për të vdekur me ndihmë mjekësore në Peru.

“Lufta e Anas që të kishte të drejtën të vdiste me dinjitet ka ndihmuar që të edukohen mijëra peruanë rreth kësaj të drejte dhe rreth rëndësisë që të mbrohet ajo”, ka thënë në një deklaratë avokatja e saj, Josefina Miró Quesada.

“Lufta e saj i kapërceu kufijtë e shtetit tonë”, ka shtuar ajo.

Estrada, 47-vjeçare vuante nga sëmundja e pashërueshme e quajtur polymyositis, e cila i dobëson shumë muskujt. Ajo i kishte pasur simptomat e para si adoleshente, dhe përdorte karrige me rrota që nga mosha 20-vjeçare, pasi e kishte humbur aftësinë për të ecur.

Ajo kishte marrë gradën e psikologes dhe ishte bërë terpiste. Estrada fitonte mjaftueshëm para sa të blente banesën e saj dhe ishte bërë e pavarur nga prindërit.

Nga viti 2017, gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe ajo nuk mund të ngrihej më as nga shtrati. Estrada kishte probleme edhe me frymëmarrje.

Edhe pse nuk mund të shkruante, Estrada përdori softuerin e transkriptimit për të prodhuar një blog të quajtur "Ana për një vdekje me dinjitet", ku ajo diskutoi përpjekjet e saj dhe vendimin e saj për të kërkuar eutanazinë.