Botë

Një nga vëllezërit Menendez mund të lirohet, ndërsa tjetri të mbetet në burg

Vëllezërit Menendez

Vëllezërit Menendez

Foto: Associated Press

Kërkesa e vëllezërve Menendez për rishqyrtimin e dënimit mund të çojë në dy raste të ndara, të cilat mund të kenë rezultate të ndryshme për Erikun dhe Lylen, sipas Prokurorit të Qarkut të Los Angelesit, Nathan Hochman.

Në një intervistë të fundit për NBC News, Hochman ka sqaruar se vëllezërit nuk janë “një pako”, siç është thënë shpesh.

“Edhe pse quhet ‘rasti i vëllezërve Menendez’, ka një rast për Erik Menendez dhe një rast për Lyle Menendez. Ka dy viktima të ndryshme, njëri është Jose Menendez, babai, dhe Kitty Menendez, nëna. Kështu që do të shqyrtojmë secilin rast veç e veç, që është mënyra si duhet të trajtohen”, ka thënë Hochman.

Ai gjithashtu ka theksuar se secili rast do të trajtohet individualisht dhe do të merren parasysh rrethanat e secilës viktimë në vendimin për rishqyrtimin e dënimit.

Erik dhe Lyle Menendez u dënuan në vitin 1995 për vrasjen e prindërve të tyre, Jose dhe Kitty Menendez, në shtëpinë e tyre në Beverly Hills në vitin 1989.

Ani pse përfshirja e tyre në vdekjet në fjalë nuk është e diskutueshme, kanë dalë prova të reja që sugjerojnë se babai i tyre, Jose, mund të ketë abuzuar seksualisht me djemtë, si dhe me të tjerë, përfshirë të paktën një anëtar të grupit të njohur Menudo.

Hochman nuk ka treguar nëse ai pajtohet me paraardhësin e tij, ish-prokurorin e Qarkut George Gascón, i cili ka rekomanduar rishqyrtimin e dënimit për vëllezërit Menendez, një veprim që mund të çojë në lirimin e tyre.

Në vend të kësaj, Hochman ka thënë se po shqyrton dosjet e rastit, po konsultohet me të gjithë ata që janë të përfshirë dhe po vlerëson nëse rishqyrtimi është hap i duhur në këtë rast.

“Unë nuk jam ende në këtë pozicion, por mund t’ju them se nëse do të duhet të marrë këtë vendim, do ta bëj punën e vështirë për të marrë një vendim të drejtë”, ka thënë Hochman në një intervistë për KTLA.