Botë

Një marins i vrarë dhe beteja e brendshme e ushtarëve

Batalioni i 3 -të, Regjimenti i 5 -të u vendos në vjeshtën e vitit 2010 nga Kampi Pendleton, Kaliforni, duke dërguar 1 mijë marinsa amerikanë në atë që do të bëhej një nga udhëtimet më të përgjakshme për anëtarët e shërbimit amerikan në Afganistan

Po paloste një triko të kuqe kur dëgjoi përplasjen e derës së një makine para oborrit të shtëpisë. Shikoi në dritare dhe kuptoi se kishte ardhur momenti që gjithmonë e kujtonte se do ta vriste në vend: tre marinsa dhe një kapedan që po ecnin drejt derës së shtëpisë. Hapat e tyre thoshin vetëm një gjë.

Vuri dorën mbi yjet e kaltra që kishte ngjitur pranë derës së shtëpisë, hajmali që synonte ta mbronte të birin e saj, marinsin Alec Catherwood. Para tri javësh ishte angazhuar në fushëbetejat e Afganistanit.

Dhe pastaj, siç mban mend ajo, humbi mendjen. Vrapoi egërsisht nëpër shtëpi. Hapi derën dhe u tha burrave se nuk mund të hynin brenda. Mori një shportë me lule dhe e hodhi mbi ta. Bërtiti aq fort, sa të nesërmen nuk mund të fliste.

“Thjesht, doja që ata të mos thoshin asgjë”, thotë Gretchen Catherwood, “sepse nëse do ta thoshin, do të ishte e vërtetë. Dhe, natyrisht, ishte”.

Djali i saj 19-vjeçar kishte vdekur, ishte vra duke luftuar kundër talebanëve më 14 tetor 2010.

Image

Teksa shikonte lajmet gjatë dy javëve të fundit, ndjeu sikur ajo ditë ndodhi 10 minuta më parë. Ushtria amerikane u tërhoq nga Afganistani dhe gjithçka që ata kishin luftuar aq shumë për të ndërtuar dukej se u shemb në një çast. Ushtria afgane lëshoi armët përtokë, presidenti iku dhe talebanët morën kontrollin. Ndërsa mijëra u shtypën në Aeroportin e Kabulit të dëshpëruar për të shpëtuar, Gretchen Catherwood thotë se ende i vjen përreth ndjenja që kishte kur në duar mbante trikon e kuqe që kishte palosur në momentin kur iu kumtua lajmi për të birin e vrarë në tokë të huaj.

Telefoni i saj ishte i mbushur me mesazhe nga familja që ishte mbledhur që nga ajo ditë e tmerrshme: oficeri që kishte shmangur saksinë me lule; prindërit e të tjerëve të vrarë në betejë ose të vetëvrarë pas kthimit; shokët e luftës të të birit në Batalionin e 3 -të, Regjimenti i 5 -të Detar, i mbiquajtur Batalioni Darkhorse, që duruan shkallën më të lartë të luftimeve në Afganistan. Shumë prej tyre e thërrasin “Ma”.

Jashtë këtij rrethi ajo kishte parë dikë të deklaronte "çfarë humbje jete dhe potenciali" në Facebook. Miqtë i thanë sa tmerrshëm kishin ndier që djali i saj kishte vdekur më kot. Ndërsa shkëmbente mesazhe me të tjerët që kishin paguar çmimin e luftës, ajo u shqetësua se fundi i saj do t'i detyronte të pyesnin nëse gjithçka që kishin parë dhe gjithçka që kishin vuajtur kishte rëndësi fare.

“Ka tri gjëra që kam nevojë t’i dini” u tha ajo disave. “Ju nuk luftuat për asgjë. Alec nuk e humbi jetën për asgjë. Unë do të jem këtu për ju pa marrë parasysh çfarë, deri në ditën kur të vdes. Këto janë gjërat për të cilat duhet të mbani mend”.

Në pyllin pas shtëpisë së saj, Darkhorse Lodge është në ndërtim e sipër. Ajo dhe burri i saj po ndërtojnë një shenjë nderimi për veteranët e luftës, një vend ku ata mund të mblidhen dhe të përballojnë së bashku tmerret e luftës. Ka 25 dhoma, secila e emërtuar sipas një prej burrave të vrarë nga batalioni i djalit të saj. Ata që arritën në shtëpi janë bërë bijtë e tyre zëvendësues, thotë ajo. Dhe e di për më shumë se një duzinë e gjysmë ushtarësh që janë vetëvrarë pas kthimit.

“Kam frikë se çfarë mund t'u bëjë psikologjikisht kjo. Ata janë aq të fortë dhe aq guximtarë. Por ata gjithashtu kanë zemra vërtet të mëdha. Dhe unë mendoj se ata mund të mbyllen shumë dhe ta fajësojnë veten”, thotë ajo. “Dhe o Zot, shpresoj që ata të mos e fajësojnë veten”.

Batalioni i 3 -të, Regjimenti i 5-të u vendos në vjeshtën e vitit 2010 nga Kampi Pendleton, Kaliforni, duke dërguar 1 mijë marinsa amerikanë në atë që do të bëhej një nga udhëtimet më të përgjakshme për anëtarët e shërbimit amerikan në Afganistan.

Beteja vendimtare

Batalioni Darkhorse kaloi gjashtë muaj duke luftuar me talebanët në rrethinën e Sangin të provincës Helmand. Një zonë me fusha të gjelbra, Sangin mbeti pothuajse tërësisht nën kontrollin e talebanëve gati një dekadë në luftën e udhëhequr nga SHBA-ja. Fushat e lule-bozhureve të përdorura në narkotikë u dhanë militantëve të ardhura të vlefshme.

Kur arritën marinsat, flamujt e bardhë talebanë u valëvitën nga shumica e ndërtesave. Altoparlantët e instaluar për të transmetuar lutjet u përdorën për të tallur forcat amerikane. Shkollat ​​ishin mbyllur.

Marinsat u përballën me breshëritë e plumbave sapo një helikopter detyroi shfaqjen e talebanëve.

“Kur zogu u ul, ne tashmë ishim duke u qëlluar”, kujtoi ish-marinsi George Barba nga Menifee i Kalifornisë. “Vrapuam, u futëm brenda dhe mbaj mend rreshterin që na tha: ‘ Mirë se vini në Sangin. Sapo morët shiritin tuaj të luftës’”.

Snajperët fshiheshin në pemë. Luftëtarët e armatosur me pushkë u fshehën pas mureve prej balte. Bombat artizanale i shndërruan rrugët dhe kanalet në kurthe vdekjeje.

Sangin ishte udhëtimi i parë ushtarak i Alec Catherwood. Ai ishte regjistruar në ushtri kur ishte ende në shkollë të mesme, shkoi në kampin e nisjes menjëherë pas diplomimit, pastaj u caktua në një skuadër prej 13 personash të udhëhequr nga ish-marinsi Sean Johnson.

Johnson ishte i mahnitur nga profesionalizmi i Catherwood - i aftë fizikisht, i fortë mendërisht dhe gjithmonë në kohë.

“Ai ishte vetëm 19 vjeç, kështu që ishte shumë speciale”, thotë Johnson. “Disa ende po përpiqeshin të kuptonin se si t’i lidhnin çizmet e tyre dhe të mos bërtisnin”.

Më 14 tetor 2010, pas një nate të vonë jashtë bazës së tyre të patrullimit, skuadra e Catherwood u nis për të ndihmuar marinsat e sulmuar, të cilëve po u mbaronte municioni.

Ata kaluan fushat e hapura, duke përdorur kanalet e ujitjes si formë mbulimi. Pasi dërgoi gjysmën e skuadrës së tij përpara, Johnson goditi Catherwood në helmetë dhe i tha: “Të shkojmë”.

Pasi vrapoi vetëm tre hapa, kujton Johnson, të shtënat e armëve nga prita e luftëtarëve talebanë u dëgjuan pas tyre. Johnson shikoi poshtë dhe pa një vrimë plumbash në pantallonat e tij ku ishte qëlluar në këmbë. Pastaj ndodhi një shpërthim shurdhues - një nga marinsat kishte shkelur në një minë. Johnsonit iu terrua pamja brenda çastit dhe u zgjua në ujë.

Pasoi një shpërthim tjetër. Duke parë në të majtë të tij, Johnson vërejti Catherwoodin me fytyrë përmbys në ujë. Qe e dukshme, thotë ai, marinsi riosh kishte vdekur.

Shpërthimet gjatë pritës vranë marinsin tjetër, Joseph Lopez, nga Rosamond i Kalifornisë, ndërkaq plagosi rëndë një tjetër.

Lajmëtari i vdekjes

Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, rreshteri Steve Bancroft nisi udhëtimin torturues prej dy orësh drejt shtëpisë së prindërve të Catherwoodit në Illinoisin Verior. Shërbeu shtatë muaj në Irak para se të bëhej oficer i ndihmës për viktimat. Do të thotë ishte i ngarkuar që familjeve t’ua kumtonte lajmin e vdekjes së të bijve dhe bijave të tyre në luftën e Afganistanit.

“Asnjëherë nuk do t'ia uroja këtë askujt, nuk mund ta shpreh atë mjaftueshëm: nuk dua t’i shikoj nënën dhe babanë në fytyrë dhe t'u them se djali i tyre i vetëm është i vdekur”, thotë Bancroft, tani në pension.

Ai ishte stoik kur duhej të ishte, pasi shoqëroi familjet në Dover, Delaware, për të parë se si arkivolet nxirreshin nga aeroplani. Por kur ishte vetëm qante. Dhe ai ende qan kur mendon për momentin kur mbërriti në shtëpinë e Gretchen dhe Kirk Catherwood.

Ata tani qeshin me saksinë që dikur nëna ua kishte hedhur. Ende bisedon me ta dhe me grupet e tjera të prindërve që i njoftoi. Megjithëse nuk e takoi kurrë Alekun, ndihet sikur e njeh.

“Djali i tyre ishte një hero i tillë, është e vështirë të shpjegohet, por ai sakrifikoi më shumë se 99% të njerëzve në këtë botë që do të mendonin ta bënin”, thotë ai.

“A ia vlente? Kemi humbur kaq shumë njerëz. Është e vështirë të mendosh se sa kemi humbur, thotë ai.

Batalioni Darkhorse u kthye në Kaliforni në prillin e vitit 2011. Pas muajsh luftimesh intensive, ata e kishin marrë kryesisht Sangin nga kontrolli i talebanëve. Drejtuesit e qeverisë krahinore mund të lëviznin në mënyrë të sigurt. Fëmijët, përfshirë vajzat, u kthyen në shkollë.

Kjo erdhi me një çmim të rëndë. Përveç 25 të vdekurve, më shumë se 200 u kthyen në shtëpi të plagosur, shumë me gjymtyrë të humbura, të tjerë me plagë më të vështira për t’u parë.

Problemet e marinsit

Wedgewood kishte probleme me gjumin kur mbaroi turnin katërvjeçar dhe u largua nga Trupat Detare më 2013. Flinte më pak, pinte alkool më shumë.

Në vend të kësaj, Wedgewood u regjistrua në kolegj në Kolorado, por shpejt humbi interesin. Një program saldimi në një kolegj të komunitetit doli të ishte më i mirë për të.

Wedgewood ishte diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik. Ai ishte duke marrë ilaçe dhe terapi.

“Ai ishte shumë i angazhuar në punën për shëndetin e tij mendor”, thotë nëna e marinsit, Helen Wedgewood. “Ai nuk ishte një veteran i lënë pas dore”.

Sidoqoftë, ai luftoi. Më 4 korrik, Wedgewood do të merrte qenin e tij të kamponte në pyll për të shmangur fishekzjarrët. U largua nga puna që e donte fort pas një problemi me makinerinë.

Pesë vjet pas gjërat dukej se ishin duke u përmirësuar për të. Wedgewood po përgatitej për një punë të re që do ta kthente përsëri në Afganistan si një kontraktues privat i sigurisë. Ai dukej se ishte në gjendje të mirë mendore.

Pas një nate të gjatë me alkool së bashku me shokët e dhomës, Wedgewood nuk u paraqit në punë më 23 gusht të vitit 2016. Një shok i dhomës më vonë e gjeti të vdekur. Kishte qëlluar veten në kokë. Ishte 25-vjeçar. Ai la një shënim të shkurtër.

“Ai në thelb tha se na donte, por ishte i lodhur”, thotë Helen Wedgewood.

Ajo i konsideron djalin e saj dhe të tjerët që vranë veten si viktima të luftës po aq sa ata të vrarë në beteja.