Një shofer i një kamioni me targa polake ka shkaktuar një sërë aksidentesh në dy autostrada gjermane të shtunën, duke vozitur në mënyrë zigzag, kanë bërë të ditur autoritetet.
Vetëm pas një përplasjeje me trafikun në ardhje kamioni është ndalur, raporton AP.
Gjatë rrugëtimit kaotik, drejtuesit e mjeteve janë paralajmëruar përmes radios së trafikut dhe u është kërkuar që të largohen sa më shpejt nga autostrada, por në shumë raste nuk kanë mundur ta shmangin kamionin në kohë.
Zyrtarët gjermanë kanë thënë se 50 automjete u përfshinë në serinë e aksidenteve, pranë qytetit Neuss në Nordrhein-Westphalia.
Tino Schäfer, zëdhënës për shtyp i policisë së Duseldorfit, ka thënë se të shtunën pasdite “policia u informua për një kamion të dyshimtë me targa polake".
“Ky mjet lëvizte në mënyrë të pasigurt dhe zigzage. Shoferi u fut në trafikun e kundërt dhe ndaloi me automjetin e tij. Ai u arrestua në vend nga policia e autostradës”, ka thënë ai.
Sipas policisë, nga hetimet fillestare rezulton se shoferi ishte i sëmurë mendor dhe ai është vendosur përkohësisht në një klinikë psikiatrike.