Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka propozuar të dielën ish-negociatorin për çështje bërthamore, Abbas Araghchi, si ministër të ri të Jashtëm. Ai ka kërkuar po ashtu të emërojë një grua për ministre të Zhvillimit Urban. Nëse aprovohet, ajo do të jetë e para grua në këtë pozitë në më shumë se një dekadë.
Asambleja Konsultative Islamike e Iranit do të ketë dy javë të shqyrtojë propozimet dhe të votojë.
Araghchi, një diplomat, ka qenë pjesëtar i ekipit negociator të Iranit që arriti një marrëveshje bërthamore me fuqitë botërore në vitin 2015. Sipas saj, u kufizua programi bërthamor i Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj shtetit, raportoi AP.
Në vitin 2018, Donald Trump atëkohë si president e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja dhe i vuri më shumë sanksione Iranit. Pezeshkian ka thënë se gjatë mandatit të tij do të përpiqet ta ringjallte marrëveshjen bërthamore.
Pezeshkian e propozoi Aziz Nasirzadeh si ministër të Mbrojtjes. Ai ishte shef i Forcës Ajrore iraniane gjatë viteve 2018-2021. Kjo do të ishte hera e parë që një pjesëtar i Forcës Ajrore do ta drejtonte këtë ministri.
Farzaneh Sadegh është gruaja që u propozua për ministre. Ajo do të ishte vetëm e dyta ministre në Iran që nga Revolucioni Islam në vitin 1979 atje. E vetmja ministre e aprovuar nga Asambleja që prej revolucionit, ishte në vitin 2009 – Marzieh Vahid Dastgerdi si ministre e Shëndetësisë.
E para ministre në historinë e Iranit ka qenë Farrokroo Parsa, e cila shërbeu si ministre e Edukimit gjatë viteve 1968-1971. Ajo u ekzekutua pas revolucionit të 1979-s që rrëzoi monarkinë properëndimore dhe solli në pushtet islamistët.