Botë

Një çifti në Vietnam i vriten të 12 qentë nga autoritetet shkaku i COVID-it

Rritja e infeksioneve me COVID, detyruan një çift vietnamez të largohet nga provinca Long An me motoçikletë, së bashku me një grumbull të qenve, raporton BBC.

Më vonë çifti rezultoi pozitiv me COVID. Nga shtrati i spitalit burri dhe gruaja zbuluan se 12 qentë e tyre janë vrarë nga autoritetet nga frika se kafshët mund ta përhapin virusin.

“Bashkëshortja ime dhe unë qamë aq shumë sa që nuk mund të flinim”, tregon 49-vjeçari Pham Minh Hung, që merren me ndërtimtari. “Nuk doja të besoja se vërtetë ndodhi. Nuk mund të bëja asgjë të mbroja fëmijët e mi”, thotë ai duke iu referuar qenve të tij.

Storia e tyre, e dokumentuar në TikTok, ka nxitur reagime të shumta në Vietnam, dhe një peticion për të ndaluar këtë praktikë ka mbledhur më tepër se 150 mijë nënshkrime.

Vala e fundit e pandemisë ka qenë më e rënda për Vietnamin.

Mbyllja ka nënkuptuar se shumë punonjës migrantë e kanë pasur të pamundur të sigurojnë jetesën, duke shtyrë së paku një milion të ikin nga qytetet e mëdha.

Pham Minh Hung dhe Nguyen Thi Chi Em, kanë qenë ndër ta.

Më 8 tetor ata nisën një rrugëtim 280 kilometra me qenët e tyre dhe tre familjarë tjerë, që po ashtu morën me vete tre qenë e një mace.

Çifti u nis për në Khanh Hung në provincën Ca Mau, ku banonin familjarët, pasi rastet me COVID nuk ishin aq të shumta atje.

Postuan video të rrugëtimit të tyre.

Çifti nisi udhëtimin me 15 qenë, por ndërsa vazhdoi udhëtimi, dy qenë ia dhanë një vullnetari me t’u futur në provincën Ca Mau, ndërsa një qen tjetër ngordhi. Pjesa tjetër vazhdoi udhëtimin.

Por çifti dhe tre familjarët rezultuan pozitië me COVID pasi arritën në Khanh Hung. Është e detyrueshme që të gjithë që udhëtojnë nëpër provinca për t’iu nënshtruar testimit. Ata u transferuan në spital për trajtim, ndërsa kafshët u dërguan në qendër të karantinës.

Por autoritetet vendosën të vrisnin 12 qentë e po ashtu edhe kafshët e familjarëve të tyre, pa i informuar çiftin, ishte njoftuar nga mediumet shtetërore. Artikulli më pas ishte larguar.

Është e paqartë se si u vranë kafshët. Por në gazetën zyrtare të Policisë janë paraqitur imazhe që lënë të kuptohet se janë djegur.

“Kontrolli i sëmundjes duhet të jetë prioritet dhe vendimi për të vrarë kafshët menjëherë ishte masë e nevojshme parandaluese”, ka thënë zyrtari lokal Tran Tan Cong në konferencë për media të dielën.

Reagimet ndaj këtij veprimi kanë qenë të ashpra, përfshirë edhe nga organizatat për mbrojtje të kafshëve.

I kanë quajtur ato barbare.

“Nuk ka dëshmi shkencore se qentë apo kafshët mund të jenë transmetues të COVID-it te njerëzit. Mirëpo, njerëzit me COVID nganjëherë mund të infektojnë ata”, thotë Nguyen Hong Vu, një shkencëtare e Qendrës Mjekësore Nacionale “City of Hope” në SHBA.