Botë

Një burrë godet këmbësorët në aeroportin e Kolnit, gjashtë të lënduar

Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur të premten para aeroportit të Kolnit në Gjermani. Një burrë futi një veturë me qira në parking dhe goditi disa këmbësorë dhe veturë. Policia ka thënë se ai po sillej në mënyrë të dyshimtë.

Ngjarja ka ndodhur në parkingun e aeroportit të Kolnit në Gjermani. Është bërë e ditur se janë lënduar rreth gjashtë persona, ndërsa nuk dihet numri i automjeteve të dëmtuara.

Një zëdhënës i policisë ka thënë se kishte indikacione se burri ka probleme me shëndetin mendor.

“Duket se ai qëllimisht përplasi disa vetura dhe këmbësorë përpara tij”, ka thënë ai, shkruan AFP.

Policia ka thënë se 57-vjeçari ka plagosur edhe dy policë teksa ka rezistuar ndaj arrestimit. Më pas ai u transferua në një spital në Koln, ku iu nënshtrua një analize psikologjike përpara se të dërgohej në një spital psikiatrik.