Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se synojnë t’i japin një “fund përfundimtar” luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke nisur me bisedimet trepalëshe që do të fillojnë të martën në Abu Dhabi dhe pritet të vazhdojnë edhe të mërkurën. Këto janë negociatat e para mes dy vendeve që nga muaji shkurt.
Bisedimet zhvillohen gjithashtu pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe zgjedhjeve të vështira të mesmandatit, të cilat kanë dobësuar pozitat e Donald Trumpit në politikën e brendshme amerikane.
Një pjesë e propozimit të administratës Trump përfshin hartimin e një “arkitekture të re afatgjatë të sigurisë” mes Rusisë dhe Evropës, kanë bërë të ditur zyrtarë të administratës.
Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar se Rusia mund të mos heqë dorë nga kërkesat e saj të ashpra që NATO-ja të zvogëlojë praninë ushtarake në Evropën Lindore. Një gjë e tillë do t'i linte aleatët të ekspozuar ndaj ndikimit të Moskës, në një periudhë tensionesh historikisht të larta mes Rusisë dhe Perëndimit.
Që nga dekada e parë e pushtetit të tij, Vladimir Putin është ankuar për zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe ka kërkuar rinegocimin e balancës së fuqisë mes Aleancës dhe Rusisë. Megjithatë, deri më tani, këto kërkesa nuk ishin mbështetur asnjëherë nga një administratë amerikane në detyrë, e cila tashmë e ka bërë të qartë se është e vendosur të arrijë një marrëveshje.
Duke prezantuar paraprakisht diskutimet, një zyrtar i administratës amerikane ka thënë se SHBA-ja “do të ketë nevojë që Evropa të jetë pjesë e tryezës” për t'i dhënë fund luftës.
Ai ka thënë se negociatorët mund të shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e rikthimit të Këshillit NATO-Rusi, i cili u pezullua pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Sipas tij, në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje, mund të shqyrtohet edhe heqja e sanksioneve ndaj Rusisë.
Zyrtarët amerikanë pretenduan gjithashtu se kanë diskutuar me Rusinë garanci të mundshme të sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen e vendeve anëtare në rast sulmi. Rusia ka kundërshtuar fuqishëm anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe vendosjen e trupave të vendeve perëndimore në territorin ukrainas.
“Ajo që do të përfitonin do të ishte praktikisht shumë e ngjashme me NATO-n”, ka thënë një zyrtar i administratës amerikane.
“Sigurimi i një garancie amerikane për sigurinë është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka shtuar zyrtari, duke thënë se kjo do të ishte në dorën e Donald Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta diskutuar.
Megjithatë, kritikët kanë shprehur skepticizëm lidhur me rrethanat që do të aktivizonin këto garanci sigurie. Ata vënë në dukje se neni 5 nuk i detyron vendet anëtare të NATO-s të mbrojnë ushtarakisht njëri-tjetrin në çdo rast, ndërsa sulmet kibernetike dhe format e tjera të luftës hibride e kanë bërë më të paqartë se cilat situata do të kërkonin një përgjigje ushtarake.
Jared Kushner, dhëndri i Trumpit dhe një nga negociatorët kryesorë të SHBA-së, e ka përshkruar të hënën në terma të përgjithshëm kornizën e mundshme të re për sigurinë evropiane.
Ai ka thënë se SHBA-ja do të synojë “konsultime më të forta, komunikim të besueshëm në situata krizash, transparencë më të madhe ushtarake dhe masa reciproke për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe vendimmarrjen e pavarur të çdo shteti”.
Delegacionet evropiane nga Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Bashkimi Evropian do të takohen në Abu Dhabi me negociatorët amerikanë për të diskutuar “arkitekturën afatgjatë të sigurisë mes Rusisë dhe Evropës, me qëllim gjetjen e mënyrave për të parandaluar konfliktet e ardhshme”.
Një zyrtar evropian i sigurisë nga një prej vendeve pjesëmarrëse në bisedime ka thënë se propozimi amerikan ende nuk është i qartë dhe se vendet evropiane po përgatiten për mundësinë që SHBA-ja t'i kërkojë Rusisë lëshime të konsiderueshme gjatë konsultimeve në Abu Dhabi.
“Ne tashmë kemi një arkitekturë evropiane të sigurisë”, ka deklaruar Kaja Kallas, diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të G7-s të hënën.
“Kjo përfshin marrëveshje ndërkombëtare, në kuadër të të cilave Rusia ka marrë përsipër detyrime, përfshirë ato që lidhen me sovranitetin dhe integritetin territorial. Problemi është se Rusia nuk po i respekton këto marrëveshje”, ka theksuar ajo.
Përfundojnë pas katër orësh bisedimet për Ukrainën, takimi vazhdon nesër
Dita e parë e bisedimeve mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, të zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe të martën, ka përfunduar pas katër orësh.
Zyra për shtyp e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës ka bërë të ditur se bisedimet pritet të rifillojnë nesër.
Si pjesë e misionit të tyre, delegacioni ukrainas ka zhvilluar gjithashtu bisedime me përfaqësues të NATO-s dhe vendeve evropiane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili po merr pjesë në një takim të ministrave të Jashtëm të G7-s që po mbahet në Paris, ka thënë se bisedimet “ishin shumë produktive”.
Ai ka shtuar se megjithatë, ka ende shumë punë për t’u bërë.
Ukraina dhe Rusia nisin bisedimet, SHBA-ja thotë se dallimet janë ngushtuar
Zyrtarë rusë dhe ukrainas kanë nisur takimin të martën në Abu Dhabi për bisedimet e para të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që nga shkurti, pasi presidenti Donald Trump sugjeroi javën e kaluar se ishte e mundur një marrëveshje e gjerë për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe garantimin e sigurisë në Evropë.
I dërguari amerikan, Jared Kushner, u ka thënë delegacioneve se kontaktet e fundit me të dyja palët kishin ndihmuar në identifikimin dhe ngushtimin e dallimeve, duke theksuar se Trumpi ishte i përkushtuar për arritjen e paqes.
“Ai na ka kërkuar me të vërtetë që të bëjmë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje që shpresojmë t'i japë fund luftës, por edhe t'i lërë të dyja palët në një pozitë shumë më të fortë për të shfrytëzuar potencialin e plotë që kanë këto dy vende të mrekullueshme”, ka thënë Kushner në nisje të takimit.
Megjithatë, më shumë se katër vjet e gjysmë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe ndërsa forcat ruse kontrollojnë rreth një të pestën e territorit ukrainas, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë qëndrime shumë të largëta për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme, pavarësisht optimizmit të Trumpit.
Kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, ka thënë në fjalën e tij hapëse se Kievi është i përqendruar në arritjen e garancive të sigurisë dhe një paqeje të qëndrueshme.
Ndërkaq, kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, ka thënë se Moska shpresonte për përparim drejt paqes në interes të popujve të të dy vendeve.
Nisma e re amerikane për arritjen e një marrëveshjeje ka nxitur zyrtarët evropianë të kërkojnë përfshirjen e tyre në tryezën e negociatave, me synimin për t'i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
Para nisjes së takimit kryesor, përfaqësuesit ukrainas zhvilluan takime të ndara me përfaqësues të Evropës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe me dy të dërguarit amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.
Franca ka deklaruar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa trajtuar çështjen e sigurisë evropiane, gjë që kërkon përfshirjen e vendeve evropiane në proces.
Nga ana tjetër, Rusia e kishte bërë të qartë se nuk e shihte të nevojshme praninë e evropianëve në takimin mes përfaqësuesve ukrainas dhe amerikanë.
Në prag të bisedimeve, Trumpi ka thënë se Uashingtoni po vërente një “gatishmëri shumë të madhe” për t'i dhënë fund luftës dhe se të dyja palët ishin “lodhur nga luftimet”.
Pas një takimi privat javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin e presidentit rus, Vladimir Putin, Trumpi ka parashikuar se një marrëveshje paqeje mund të arrihej së shpejti.
Trumpi ka deklaruar vazhdimisht se një marrëveshje është pranë, por deri më tani nuk është arritur asnjë ujdi. Megjithatë, negociatat janë intensifikuar sërish javët e fundit, pas disa muajsh gjatë të cilëve vëmendja e Uashingtonit ishte përqendruar te lufta në Iran.
Publikisht, nuk ka asnjë shenjë se Putini është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Ndërkaq, pesidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar të dorëzojë territore për mbrojtjen e të cilave kanë humbur jetën ushtarët ukrainas.
Përparimi i forcave ruse në vijën e frontit është ngadalësuar pothuajse plotësisht këtë vit, por Moska ka vazhduar bombardimet ndaj qyteteve dhe objekteve energjetike të Ukrainës. Ndërkohë, Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive të naftës dhe infrastrukturës tjetër në thellësi të territorit rus.
Një burim nga delegacioni rus ka thënë se Moska besonte se fokusi kryesor i bisedimeve do të ishte hartimi i elementeve kyç të një kuadri të ri të sigurisë evropiane pas përfundimit të luftës.
E në prag të negociatave, Zelensky ka deklaruar se pozita negociuese e Ukrainës po forcohej si rezultat i sukseseve të fundit në fushëbetejë, përfshirë rimarrjen e disa territoreve në rajonin e Donetskut, pjesë e Donbasit, i njohur për industrinë e tij të minierave të qymyrit.
“Forcat ukrainase aktualisht po e forcojnë realisht pozitën negociuese të Ukrainës”, ka thënë Zelensky në videofjalimin e tij të përnatshëm të hënën.
Ai ka thënë se Rusia po pësonte “humbje rekord”, pretendim që kundërshtohet nga Moska, dhe i bëri thirrje Uashingtonit që ta bindë Kremlinin t'i japë fund luftës.
Negociatorët amerikanë besojnë se Zelensky dhe Putini mund të jenë të gatshëm të arrijnë një kompromis për çështjen thelbësore të territoreve, duke hequr dorë secila palë nga një pjesë e kërkesave të saj, ka thënë një zyrtar amerikan për Reuters.
Sipas marrëveshjes së propozuar, Ukraina do të përfitonte përfundimin e luftës, garanci sigurie dhe një udhërrëfyes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, një zyrtar i lartë ukrainas e ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë që qeveria të shqyrtonte lëshime të tilla.
Sipas tij, çështja e territoreve mund të diskutohet vetëm në nivelin e udhëheqësve të të dy vendeve dhe vetëm në kuadër të garancive të përshtatshme të sigurisë për Ukrainën.
Zelensky: Ukraina është në pozitë më të fortë për negociata
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në prag të bisedimeve Ukrainë-Rusi me ndërmjetësimin e SHBA-së, se sukseset e forcave ukrainase në fushëbetejë po e forcojnë pozitën e Kievit në negociata.
Bisedimet trepalëshe mes negociatorëve ukrainas, rusë dhe amerikanë pritet të nisin të martën.
Ato do të jenë negociatat e para thelbësore që nga shkurti, me synimin për t’i dhënë fund luftës, e cila vazhdon prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë.
“Forcat ukrainase aktualisht po e forcojnë realisht pozitën negociuese të Ukrainës”, ka thënë Zelensky në videofjalimin e tij të përnatshëm të hënën.
“Çdo detyrë e përmbushur plotësisht, çdo operacion mbrojtës që rrit fuqinë e Ukrainës dhe sjell rezultate, e forcon Ukrainën dhe, mbi të gjitha, na forcon në negociata”, ka shtuar ai.
Bisedimet që do të zhvillohen në Abu Dhabi pritet të vazhdojnë edhe të mërkurën.