Sot do të mund të ndiqni një profil të presidentit rus, Vladimir Putin. Si u ngrit në pushtet, si i mbylli të gjitha mediat që synuan të gjurmojnë rininë dhe familjen e tij. Si i ngriti oligarkët që i ka miq. Dhe krejt në fund sesi ndaloi përdorimin e fjalës luftë.
Vladimir Putini gjithmonë dukej si burrë i fortë, i ndërtuar prej çeliku. I largët për të tjerët dhe gjithmonë në kontroll. Mori pushtetin në periudhën më të rëndësishme të historisë së Rusisë.
Në vitet e 90-a, Rusia po kalonte kohë të turbullta. Komunizmi kishte marrë fund dhe në vitin 1991, Mikhail Gorbaçov dha dorëheqjen nga pozita e presidentit të Bashkimit Sovjetik.
Pasardhësi i tij, Boris Yeltsin, ishte një figurë diskutabile, populist, i cili megjithatë e udhëhoqi vendin në kohë krizash politike dhe ekonomike.
Akademiku ukrainas nga Donetsk, Vlad Mykhnenko, i cili ligjëron në Universitetin e Oksfordit, thotë se nuk kishte asgjë të veçantë që e ndante Putinin e ri nga turma.
Por sipas tij, bashkimi me shërbimin e sigurimit të KGB-së e çoi atë në qarqet e larta ku nisi të punonte për kryebashkiakun e Moskës, duke takuar Gorbaçovin dhe duke u bërë mbrojtësi i Yeltsinit.
"Ai vjen nga një familje e varfër e klasës punëtore. Ne kemi detaje shumë të paketa për babanë e tij. Mendoj se ne e dimë se ai është rritur në Shën Petersburg, në Leningrad atëherë. Ai padyshim u tha të gjithëve se ishte fëmijë i ngacmuar. Kjo është arsyeja pse ai shkoi të merrej me artet marciale të llojit të xhudos, stilit sovjetik. Ai takoi disa djem atje që e ndihmonin të zhvillonte egon e tij. Dhe më pas ai hyri në universitet. Ai studioi drejtësi, dhe u rekrutua në KGB. Emërimi i tij i fundit ishte operatori i KGB-së në Dresden”, ka thënë Vlad Mykhnenko, akademik ukrainas.
Sipas Natasha Kuhrt nga Departamenti i Studimeve të Luftës në King's College në Londër, është dekada e fundit e trazuar e shekullit të 20-të që i dha formë Putinit.
Ajo beson se fokusi i tij ishte te krijimi i stabilitetit brenda Rusisë.
"Ky ka qenë në fakt një nga trofetë e administratës së tij. E dini, stabiliteti, do të thotë një kundërvënie e plotë me vitet e Yeltsinit, vitet e 90-ta apo vitet e kaosit. Rusia kishte krizë financiare në 1998. Askush nuk ishte paguar. Ju e dini, ishte një kohë vërtetë e vështirë. Kështu që ai në njëfarë mënyre i referohet vazhdimisht viteve 1990 si një katastrofë”, Natasha Kuhrt, King's College, Londër.
Ndërkaq Mykhnenko thotë se Putini ka qenë diskret sa u përket të dhënave për familjen e rrethin e tij. Tregon se ai ka pasur rreth shumë të ngushtë njerëzisht qëkur ka qenë i ri.
"Çdo media ruse e cila është përpjekur të publikojë ato detaje për familjen dhe jetën e tij private, është mbyllur. Kështu që ka një shtysë vërtetë, vërtetë, shumë të madhe për të mos publikuar asnjë detaj personal për vajzat e tij apo ndonjë gjë tjetër. Dhe ata gazetarë që përpiqen të gërmojnë në ato çështje ndiqen penalisht menjëherë", Vlad Mykhnenko, akademik ukrainas.
Sipas Mykhnenkos, koha që Putini kaloi në KGB i kishte mësuar atij kujdes dhe mosbesim ekstrem.
"Pasiguria e tij vjen me të drejtë, sepse lidhet me prejardhjen e tij, sa më pak të dinë njerëzit për anëtarët e familjes së tij, aq më pak ka mënyra për të arritur tek ai, nëpërmjet tyre”, ka thënë Vlad Mykhnenko, akademik ukrainas.
Në të kaluarën Putini nuk ka hezituar të ndërmarrë sulme të ashpra ushtarake kundër kujtdo që ai besonte se kërcënon status quo-në ruse.
Menjëherë pas inaugurimit të tij, Putin fajësoi separatistët çeçenë për shpërthimet në Moskë, të cilët mohuan të ishin përgjegjës për vrasjet.
Putin urdhëroi bombardimin ajror të Groznit, i cili sinjalizoi fillimin e Luftës së dytë çeçene.
Në vitin 2014, Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina, një lëvizje që vendet perëndimore e konsideruan si të paligjshme. Ky akt pasoi me rrëzimin e presidentit të Ukrainës që ishte miqësor ndaj Kremlinit.
Në nëntor 2021, Putin shënoi festën kombëtare të Ditës së Unitetit me një udhëtim në Krime, duke deklaruar se rajoni do të jetë gjithmonë pjesë e Rusisë.
Mykhnenko thotë se Ukraina dhe Krimeja ishin gjithmonë në sy të Putinit.
Njerëzit që janë rritur fuqishëm në Rusi janë aleatë të Putinit prej kohësh, por ai thotë se është e vështirë të dihet se kush është afër liderit rus tani, veçanërisht pasi udhëheqësit e kanë zbatuar izolimin e tij që nga pandemia COVID-19.
"Unë mendoj se njerëzit që u sanksionuan kohët e fundit, ju njihni vëllezërit, Kovalchuk, vëllezërit Rotenberg dhe njerëz të tjerë që ai takoi gjatë xhudos së stilit sovjetik në fëmijërinë e tij, të cilët më pas u bënë miliarderë me kontrata të shtetit, janë njerëz me të cilët ai është i afërt”, Vlad Mykhnenko, akademik ukrainas.
Ai thotë se kanë parë që dy vjetët e fundit gjatë bllokimit të COVID-19, Putini i kaloi në bunker. Flet edhe për tavolinën e madhe që Putin përdori në takime të ndryshme.
As Mykhnenko dhe as Kuhrt nuk besojnë se kombi rus në tërësi ka qenë i përgatitur për pushtimin e Ukrainës. Ata pretendojnë se autoritetet ruse po mbajnë të fshehura informacionet për viktimat.
Të dy akademikët besojnë se kontrolli i medias nga Putin do të thotë se shumica rusëve do të vazhdojë të jetë mbështetës për të, veçanërisht njerëzit e moshuar që jetuan gjatë Luftës së Ftohtë.