Rusia

Ngrihen shqetësime në Rusi se të dyshuarit për sulmin në Moskë janë torturuar

I dyshuari për sulmin në Moskë

I dyshuari për sulmin në Moskë

Të paktën tetë persona po mbahen në paraburgim nën dyshimin se janë të përfshirë në sulmin vdekjeprurës në Rusi gjatë javës së kaluar, ku mbetën të vrarë mbi 130 persona, raportoi Reuters.

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë dhe ka publikuar pamjet nga sulmi. Pas paraqitjes së tyre në gjykatë me shenja lëndimesh është ngritur shqetësimi se ata janë torturuar. 

Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut tha se ndalimi i të dyshuarve duhet të kryhet në përputhje me ligjin, pasi u publikuan video që tregonin marrjen në pyetje të të dyshuarve. Njërit i është prerë një pjesë e veshit gjatë marrjes në pyetje.

"Është absolutisht e papranueshme të përdoret tortura ndaj të arrestuarve dhe të pandehurve", ka thënë komisionerja, Tatyana Moskalkova, cituar nga TASS.

Burime nga Taxhikistani kanë thënë për Reuters të martën se hetuesit rusë kanë shkuar në Taxhikistan dhe i kanë marrë në pyetje familjet e katër të dyshuarve të armatosur, duke thënë se të afërmit e tyre janë sjellë në kryeqytetin Dushanbe nga qytetet e tyre të lindjes.