“Të njëjtat jehona të bombave që i kam dëgjuar në vitin 2013, po i dëgjoj tani në Kharkiv. U thashë miqve të mi se nuk po më besohej që po e përjetoja përsëri të njëjtën eksperiencë”, ka thënë Staif për The Associated Press në Gjermani, ku ishte bashkuar me familjen e tij
Nuremberg, Gjermani (AP) - Kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës, një student sirian në qytetin e Kharkivit iu bashkua eksodit të njerëzve që iknin nga sulmi. Ishte hera e tretë që 24-vjeçari Orva Staif, i rritur në periferi të Damaskut, shpërngulej nga lufta dhe krizat.
Për Staifin, ishte një déjà vu tronditëse: kolona njerëzish, shumica në këmbë, që mbanin aq pak sende që mundën, të dëshpëruar për t'u shpëtuar bombave dhe raketave. Ai i kishte parë të gjitha më parë në vendlindjen e tij në Siri.
“Të njëjtat jehona të bombave që i kam dëgjuar në vitin 2013, po i dëgjoj tani në Kharkiv. U thashë miqve të mi se nuk po më besohej që po e përjetoja përsëri të njëjtën eksperiencë”, ka thënë Staif për The Associated Press në Gjermani, ku ishte bashkuar me familjen e tij.
Në këmbë drejt Polonisë
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina pas pushtimit të Rusisë, eksodi më i shpejtë i refugjatëve këtë shekull. Ata ikën në vendet fqinje, ku Polonia mori numrin më të madh.
Në vitin 2013, rebelët që luftonin për ta rrëzuar autokratin sirian, Bashar Assad, ishin në qytetin e lindjes të Staifit, Douma, në pragun e kryeqytetit, Damaskut. Sulmet ajrore, granatimet dhe luftimet në rrugë ishin të zakonshme.
Babai i tij u largua nga ushtria dhe familja e tij u detyrua të largohej nga Siria. Si shumë familje të tjera, ata u shpërndanë – disa shkuan në Emiratet e Bashkuara Arabe, disa në Gjermani. Staifi shkoi në Libanin fqinj, ku e mbaroi shkollën e mesme.
Në vitin 2019, situata në Liban u përkeqësua në mënyrë dramatike, me ekonominë që u rrëzua dhe njerëzit dolën në rrugë në protesta masive. Varfëria dhe inflacioni u rritën në një kolaps të paprecedentë ekonomik.
Babai i Staifit e këshilloi atë të shkonte për studime në Ukrainë, ku marrja e një vize – të paktën teorikisht – ishte më e lehtë sesa në vendet e tjera. Staif ia doli dhe në shkurt të vitit 2020 u transferua në Ukrainë.
Kur Rusia pushtoi javën e kaluar, duke goditur qytetet ukrainase me sulme ajrore dhe granatime – duke përfshirë Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës – shumë prej tyre u grumbulluan në trena e makina për në qytetin Lviv në Ukrainën perëndimore, përpara se të niseshin në kufirin polak. Staifi arriti të hipte në tren në një udhëtim 16 orësh për në Lviv dhe prej andej vazhdoi në këmbë drejt Polonisë.
“Mund të them dhjetë vjet shpërngulje”
Gjatë fundjavës, linja e trafikut u shtri për 30 kilometra, e mbushur me vetura e njerëz. Të pafat, pa transport, duhej ta bënin udhëtimin në këmbë. Gratë, të moshuarit dhe fëmijët ishin mes masave – së bashku me disa të huaj, kryesisht studentë nga vendet e tjera.
“Ky rrugëtim është shumë i vështirë. Mund të them dhjetë vjet shpërngulje. Sa herë që mësohem me një vend, bëj miq, më pas lë gjithçka dhe shkoj”, ka theksuar Staif.
“Është kaq e vështirë dhe kaq zhgënjyese për mua dhe e urrej këtë...ngado që shkoj luftë. Krizë në të gjitha vendet, edhe në ato ku isha vetë.
Mohammad Shamiri, 23 vjeç, nga kryeqyteti i Jemenit, Sanaa, mbërriti në Ukrainë katër vjet më parë për të studiuar inxhinieri mekanike në Universitetin Kombëtar të Automobilave dhe Autostradave në Kharkiv.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se kjo mund të ndodhte edhe këtu”, është shprehur Shamiri.
Teksa largohesha nga Ukraina, gjëmimet e luftës dhe bombardimeve ishin shumë më intensive, shtoi ai. Në Jemen, ku një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ka luftuar që nga viti 2015 kundër rebelëve huthi, të mbështetur nga Irani, të cilët pushtuan Sanaan, bombardimet ishin të përhershme.
Shamiri ka treguar se kishte ecur 20 orë me një mik, shok jemenas, duke mbajtur çanta në të ftohtë. Temperaturat kishin rënë në minus 8 gradë Celsius. Ashtu si Staifi, ai përshkroi kalimin e një nate jashtë, në natyrë.
Solidaritet unik
Në kufi, rojat u dhanë përparësi ukrainasve për t’u larguar nga vendi, ndërkohë ata që nuk ishin ukrainas i shtynin e i rrihnin, ka treguar ai. Shamiri u godit me shkop. Kur ai u përpoq të filmonte, roja kufitare ia kapi telefonin dhe e detyroi të fshinte të gjitha fotot dhe videot.
Pasi kaloi më në fund, ai mbërriti në një spital në Krakov, Poloni, ku bashkë me mikun e tij po trajtohen.
“Për Masouma Tajik, një 23-vjeçare nga Afganistani, solidariteti midis shteteve fqinje ka qenë unik në këtë luftë. Ajo kishte qenë në Ukrainë për rreth gjashtë muaj që kur u evakuua nga Kabuli, duke u shpëtuar talebanëve, përpara se t’i duhej të ikte përsëri.
Pasi kaloi një natë duke fjetur në dyshemenë e një kishe të ftohtë në Lviv, ajo u lidh me vullnetarë polakë përmes një grupi solidariteti në WhatsApp dhe njëri e kaloi kufirin për ta marrë e për ta sjellë.
“Shumë nga këto që ndodhën ma kujtuan Kabulin. Mirëpo, mirësia që po shihja në këtë udhëtim është e paharrueshme”, ka theksuar ajo. “Në Afganistan, i shihje vendet fqinje si Irani, Uzbekistani e Pakistani duke i mbyllur kufijtë për afganët”.
Tajik ka treguar se nuk ka pasur probleme në kufi, madje pavarësisht faktit që kishte vizën e skaduar prej 15 ditësh, rojat i dhanë një buzëqeshje të ngrohtë dhe e lanë të kalonin.
“Kur u largova nga Afganistani për të shkuar në Ukrainë, ata më pritën aq ngrohtë saqë u ndjeva si në shtëpinë time që e kisha humbur. “E urrej luftën. Jam lodhur nga ajo. Më ka marrë shumë njerëz të dashur. Nuk mund të përballoj të humbas më shumë”.
Refugjati tjetër afgan, Jawad Akmal, kujton shpejtësinë për në aeroportin e Kabulit, një natë gushti i shoqëruar nga forcat speciale të Ukrainës. Ai ka zbuluar se si lehtësimi i tij më i madh ishte kur hipi në aeroplan për në Kiev së bashku me familjen e tij. Më vonë, ai mori vesh që gruaja e tij ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të gjashtë.

Përsëri nga hiçi
Ata prisnin të rivendoseshin në Kanada, destinacioni i tyre përfundimtar, mirëpo pas gjashtë muajsh që jetoi në Kiev, ai u gjend në mes të një lufte tjetër, i paaftë për të gjetur ushqim për fëmijët e tij dhe i frikësuar se do të arrestohej me dokumente të skaduara përpara se të mund ta bënte policinë të kuptonte se ishte refugjat.
Në Afganistan ishte më lehtë, u shpreh ai.
“Të paktën ky ishte vendi im, një vend ku mund të flisja me njerëzit në gjuhën time, për të kërkuar ndihmë për të gjetur strehim për mua dhe familjen time”, tha ai përmes telefonit nga Kievi, vetëm disa orë para se të niseshin për në Poloni, duke udhëtuar për më shumë se një ditë në një autobus të mbushur me ukrainas të arratisur.
Staif kujtoi se kishte ecur gjithë mbrëmjen dhe natën nga Lviv, duke arritur në kufirin polak para agimit. Njerëzit flinin në rrugë. U mbaruan ushqimi dhe uji. Imazhet janë përgjithmonë në mendjen e tij, “njerëz, me mijëra, të gjithë të drejtuar drejt kufirit, gra dhe fëmijë ukrainas”, tha ai.
Nga Polonia, Staif fluturoi për në Pragë, Republikën Çeke, ku familja e tij e mori me makinë dhe e solli në Nuremberg, Gjermani.
“E doja Ukrainën, e doja vendin. Gjithçka ishte e përkryer për mua deri sa erdhën rusët”. “Për mua, ky nuk është një fund i lumtur”, shtoi ai, edhe pse ishte mirënjohës që u ribashkua me familjen e tij.
Studenti i inxhinierisë softuerike tha se ai duhej të përfundonte vitin e fundit të studimeve në Ukrainë. “Tani nuk e di”.
“Mund të më duhet të filloj nga e para”, ka theksuar ai.
Përktheu: Blerta Haxhiu