Një gjyq i frikshëm në Serbi ka shtruar pyetje për lidhjet mes krerëve të shtetit dhe bandave të dhunshme të drogës
Një gjyq i frikshëm në Serbi ka ngritur pyetje për lidhjen mes lidershipit të shtetit dhe bandave të saja të dhunshme të drogës.
Një të shtunë mbrëma, në fillim të marsit të vitit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u paraqit direkt në televizion duke qëndruar ulur pranë një tavoline të drurit, ndërsa në krah kishte kryeministren e shtetit dhe ministrin e Brendshëm.
Vuçiqi tha se kishte një njoftim të rëndësishëm për të bërë në lidhje me arrestimin e një bande krimi, që është përgjegjëse për vrasje të shumta. Ministri i Brendshëm paralajmëroi shikuesit që të largojnë fëmijët e tyre nga televizori. Një sërë imazhesh u shfaqën në ekranin pas tij: një kokë e prerë, një trup pa kokë. Vuçiqi foli ngadalë, shpesh duke ndaluar dhe duke ngulur sytë në tryezën përballë tij. Ai vlerësoi policinë dhe agjentët e inteligjencës që hetuan bandën; ata për pak i kishin shpëtuar vrasjes së vet, thotë ai.
Ishte një prezantim shokues, madje edhe për një vend si Serbia, ku shumë të rritur kanë kujtime të dhimbshme nga luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 dhe mizoritë e tyre. Por, konferenca për shtyp ishte vetëm fillimi i një fushate të zbulimeve të tmerrshme.
Në javët pas arrestimit në shkurt nisën të rridhnin detaje të reja në media. Banda thuhet se kishte joshur viktimat e saja në një “shtëpi të tmerrit”, në periferi të Beogradit, ku ata u torturuan, copëtuan, u grinë nëpërmjet një mulliri të mishit dhe nganjëherë hidheshin në Danub.
Historia tronditi serbët, e jo vetëm për shkak të imazheve të tmerrshme. Kreu i bandës ishte një huligan trupmadh futbolli dhe trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, i njohur me nofkën “Problemi”, tashmë një figurë e njohur në Beograd.
Ai ishte akuzuar më herët për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera serioze, por kurrë nuk u burgos.
Ai u përfol për marrëdhënie të mira me policinë dhe shërbimet e Inteligjencës serbe. Ai dhe njerëzit e tij u fotografuan në shoqëri të njerëzve të fuqishëm, përfshirë edhe djalin e Vuçiqit, Danilos.
Pas konferencës për media, Belivuk ofroi anën e tij të historisë në një seancë të mbyllur gjyqësore. Ai tha se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiqit”, sipas transkriptimeve të gjykatës. Ai përshkroi disa nga punët që pretendon se banda kreu për Qeverinë, si frikësimin e rivalëve politikë dhe ndalimin e tifozëve që të këndonin kundër Vuçiqit në ndeshjet e futbollit – një shërbim i vlefshëm në një shtet ku stadiumi mund të bëjë dhe rrëzojë një president.
Belivuku paralajmëroi se nëse Vuçiqi “vazhdon procedurat kundër tij”, ai do të ketë shumë më tepër për të thënë.
Vuçiqi kundërshtoi kategorikisht çdo lidhje të tij me vrasësit. Por, ai dukej se e mori personalisht çështjen e Belivukut, duke sugjeruar se është komplot kundër tij. Në një intervistë të çuditshme televizive disa muaj pas arrestimeve, ai tha se burrat e Belivukut bënë viktimat “qebapë njerëzorë” dhe ia dërguan shefit të Belivukut, Radoje Zvicer. Duke parë në kamerë dhe iu drejtua Zvicerit, që ende ishte i lirë. Vuçiqi e sfidoi.
“E ftoj të më vrasë”, tha Vuçiqi. “Nuk kam asnjë problem me këtë, sepse është më mirë të bëhesh mish i grirë sesa të lihen këta bastardë të sundojnë Serbinë”.
Me afrimin e seancës gjyqësore nisën faktet të rrjedhin për lidhjet e gjata mes bandës dhe anëtarëve të ndryshëm të administratës së Vuçiqit, që duket se kanë monitoruar, asistuar dhe mbrojtur ata.
Belivuk u duk nganjëherë si binjaku i errët i presidentit, një burrë që mishëron pjesën e poshtme kriminale të një shteti që është bërë vazhdimisht më autokratik gjatë dekadës së fundit.
Vuçiqi, që ka qenë president nga viti 2017 dhe ka kapjen e partisë në pushtet në këtë vend, ka thënë prej kohës se dëshiron ta udhëheqë vendin e tij – që është ende ndër më të varfrit në Evropë – drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë ai ka zbrazur shumë nga institucionet demokratike të Serbisë dhe bandat e stilit mafioz shpesh duket se veprojnë pa u ndëshkuar.
Çështja Belivuk, me fjalë të tjera, nuk është thjesht një përrallë e zhurmshme për prerjet e kokave dhe kokainës. Gangsterizmi që ka lulëzuar nën Vuçiqin, së bashku me kërcënimet periodike të Serbisë për të “mbrojtur” serbët etnikë në vendet tjera të rajonit, përfundimisht mund të zbërthejë zgjidhjen që ktheu paqen në Ballkan në vitin 1995.
Evropianët janë shumë të vetëdijshëm për këtë, siç është edhe Vladimir Putini, që ka arsye të freskëta për t’i ndarë dhe shpërqendruar ata. Kremlini ka një histori të gjatë të përkrahjes së nacionalistëve serbë dhe më shumë motiv se kurrë – falë luftës në Ukrainë – për të nxitur trazira në Ballkan.
Por, rreziqet për Evropën janë më të thella se kaq. Marka e shovinizmit etnik të Vuçiqit dhe demagogjisë janë jehonë e asaj të aleatit të tij Putin dhe përhapja e demokracisë joliberale – tashmë që po forcohet në pjesë të kontinentit – përbën një kërcënim të barabartë, nëse jo më të rëndë.
Rasti Belivuk hapi një dritare drejt një të ardhmeje të mundshme më të zymtë, në të cilën Vuçiqi minon projektin evropian nga brenda, duke ndërtuar një shtet ku demokracia është një fasadë dhe bandat kriminale shfrytëzohen për të përhapur frikë. Ndodhi gjithashtu të jetë e njëjta taktikë e përdorur nga njerëzit që futën Ballkanin në një luftë katastrofale tri dekada më parë.
Në kohën kur Belivuk bëri paraqitjen e tij të parë publike në sallën e gjyqit në tetor, ai kishte fituar një famë të llojit makabër, ngritja e rënia e tij ishte shfaqur në një seri të shkrimeve në tabloide.
Ai u fut në dhomë i prangosur, duke veshur një bluzë të bardhë dhe xhinse. Pavarësisht nga trupi i tij i madh, ai dukej çuditërisht si një foshnjë me përmasa të mëdha, sikur një jetë dhune të mos i kishte lënë asnjë përshtypje. Ai dhe rreth 30 të pandehur të tjerë, kryesisht burra me tatuazhe dhe koka tullace, dukeshin çuditërisht të relaksuar, të buzëqeshur dhe duke biseduar e duke hedhur disa ofendime të rastësishme në drejtim të njëri-tjetrit. Ndoshta ata prisnin që ky gjyq të përfundonte siç kishin përfunduar shumica e gjyqeve të mëparshme, me gabime procedurale, prova të gabuara dhe lirime të parakohshme.
Pas disa formaliteteve, prokurori u ngrit për të lexuar aktakuzën.
Kur ai e përshkroi se si Belivuku dhe një “toger i tij” goditën një viktimë “me sëpatë në qafë dhe ia prenë kokën”, burri në fjalë hapi gojën dhe mori frymë thellë dhe shikoi tavanin. Disa nga shokët e tij të pandehur duket sikur ranë në gjumë.
Kur Belivuk zuri vendin për të dëshmuar, ai shtrëngoi foltoren me dy duart dhe doli drejt në temë. Banda e tij, tha ai, ishte një projekt shtetëror nga fillimi. Ai recitoi disa nga shërbimet që ka ofruar dhe madje përshkroi një takim që pretendon se kishte me Vuçiqin në një shtëpi private në Beograd, duke dhënë adresën, numrin e apartamentit dhe madje edhe emrin e pronarit. Tha se u takuan atje vetëm një herë, “pasi, siç tha shefi, dikush mund të shihte apo filmonte, dhe nuk do të ishte mirë”.
Vuçiqi mohoi menjëherë akuzat dhe madje ofroi të diskutonte ato me hetuesit dhe të bënte një test në detektor të gënjeshtrës. Ligjërisht ai nuk ka gjasa të gjejë veten në gjyq. Asnjë zyrtar i lartë në Serbi nuk është paditur, e madje shumë pak janë marrë në pyetje.
Rëndësia e çështjes së Belivukut qëndron diku tjetër. Ajo e ka detyruar gjithë Serbinë të përballet me provat e shumta rrethanore se Vuçiqi ka lejuar gangsterët të bëhen një krah i tij virtual i shtetit.
Mbështetja që Belivuk dhe miqtë e tij morën nga policia dhe Ministria e Brendshme gjatë dekadës së fundit është dokumentuar mjaft mirë gjatë dëshmive në gjykatë, përgjimeve telefonike dhe fotografive. Pretendimet se e gjithë kjo ka mundur të ndodhte pa njohurinë e Vuçiqit po shkakton të qeshura në Beograd.
Para se Vuçiqi të bëhej president, ai kishte qenë kryeministër dhe një dekadë më parë kishte riorganizuar shërbimet e sigurisë së Serbisë. Ai tani ushtron pothuajse kontroll total të gati çdo sfere të jetës publike - nga Parlamenti deri te gjykatat, policia dhe bizneset.
Në fakt, arrestimi i Belivukut dhe bandës së tij mund të jetë një nga vendimet e pakta të rëndësishme të viteve të fundit që Vuçiqi nuk i kontrolloi.
Pjesa më e madhe e dëshmive në këtë rast erdhën nga një ekip i zyrtarëve policorë evropianë, të cilët aksidentalisht e zbuluan këtë bandë. Ata kaluan dy vjet duke tentuar të dekriptonin një aplikacion të mesazheve telefonike të quajtur “Sky-ECC”, që ishte mjet i preferuar i trafikuesve të kokainës në portet e kontejnerëve të Evropës Veriore.
Kur më në fund hapën kodin, zbuluan shumë më tepër se një rrjet lokal kokaine. Me të paktën 70 mijë përdorues, “Sky-ECC” ishte sikur një “shtëpi tmerri” me mesazhe grafike dhe fotografi të tmerrshme.
“Është sikur të qëndronit jashtë një shtëpie të errët dhe tani keni hyrë brenda dhe keni ndezur dritën”, tha një zyrtar i Europolit.
“Sky-ECC” nuk ishte aplikacioni i parë që u akuzua nga organet e zbatimit të ligjit për furnizimin e bosëve të drogës.
Por, ishte më i popullarizuari dhe më i pacipi. Kompania, e themeluar në vitin 2010 nga një sipërmarrës i teknologjisë në Vancouver, mburrej për kriptimin e saj me katër shtresa dhe se ishte i pathyeshëm. Përfundimisht fitoi qindra e miliona dollarë përpara se drejtuesit të akuzoheshin në vitin 2021.
Pjesa më e madhe e provave kundër “Sky-ECC” doli të ishte nga Ballkani dhe veçanërisht nga Serbia.
Transmetimi i këtyre të dhënave ishte “shumë e ndjeshme”, më tha një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Francës, për shkak të shqetësimit se mund të ketë rrjedhje të informatave. Ndonëse policia e Serbisë përfundimisht arrestoi Belivukun dhe bandën e tij, duket se e bënë këtë me ngurrim. Ditë përpara arrestimit të tij, ai dhe “togeri i tij” u lejuan të largoheshin nga shteti për në Mal të Zi, një qendër tjetër për trafikues droge. Autoritetet malazeze thanë se parandaluan një tentim për t’i vrarë ata. Një prokuror malazias tha për mediat lokale se “disa struktura sigurie” në Serbi ishin pas komplotit, që mund të jetë koncentruar për ta shmangur rrëmujën e një gjyqi.
Gjatë nëntë vjetëve të Vuçiqit në pushtet, huliganët serbë të futbollit – dhe bandat kriminale që mbivendosen me ta – janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme të rajonit dhe ndihmuan nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të Ballkanit. Disa prej tyre shprehën besnikërinë ndaj Rusisë. Disa serbë i janë bashkuar grupit paramilitar “Wagner”, që ka historinë e vet të angazhimit të kriminelëve dhe ka postuar video në gjuhën serbe të rekrutimit për luftën në Ukrainë. Ndonëse Vuçiqi e ka qortuar grupin, Serbia mbetet ende e pavendosur mes Rusisë dhe Perëndimit. E gjithë kjo e vendos Vuçiqin në një pozitë me një fuqi të jashtëzakonshme. Në një krizë, ai mund të vendosë nëse rajoni i Ballkanit do të rreshtohet drejt paqes apo do të kthehet te dhuna.
Rreziqet më të dukshme sot janë të përqendruara në Kosovë, që gjendet nga ana jugore e Serbisë, që është me shqiptarë, por që përmban edhe “xhepa” me shumicë serbe, veçanërisht në veri. Lidershipi i Serbisë mbetet thellësisht i pakënaqur me ndarjen e Kosovës nga Serbia pas luftërave në Jugosllavi të viteve 1990 dhe refuzon ta njihte pavarësinë e Kosovës, që është krijuar ndërkombëtarisht në vitin 2008.
Skenari që mban liderët evropianë zgjuar gjatë natës shkon në njëfarë mënyre kështu: Vuçiqi, duke përmendur një rrezik për minoritetin serb, dërgon trupa përtej kufirit dhe anekson veriun e Kosovës. Serbët gjetkë në rajon më pas ikin nga shtëpitë e tyre ose kërkojnë më shumë ndryshime kufijsh. Kjo mund të shënojë fundin e Marrëveshjes së Dejtonit, paktit të ndërmjetësuar nga diplomati amerikan Richard Holbrooke, që u dha fund luftimeve më të rënda në vitin 1995 dhe rikrijoi hartën e ish-Jugosllavisë. Mund të shkaktojë një luftë tjetër. Edhe pa dhunë, rënia e rendit të Dejtonit do të forconte politikën e solidaritetit etnik dhe autokracisë në gjithë Ballkanin.
Një skenar tjetër përfshin fshehjen e qëllimeve irredentiste të Vuçiqit derisa Serbia të pranohet në Bashkim Evropian. Ky skenar i “Kalit të Trojës” ka fituar besim pjesërisht për shkak të kryeministrit joliberal të Hungarisë, Viktor Orban, një aleat i ngushtë i Vuçiqit, që ka lobuar me zell për pranimin e Serbisë.
Ai duket se shpreson që Vuçiqi mund ta ndihmojë Hungarinë, një anëtare e BE-së që nga viti 2004, të drejtojë bllokun evropian drejt një drejtimi më populist e më pak demokratik.
Për të gjitha këto arsye, rasti Belivuk ka qenë një rast i ndjeshëm për gazetarët. Më është thënë para se të shkoja në Serbi se telefonatat e mia do të monitorohen, do të më përcjellin, madje edhe do të më ndalonin e do të më merrnin në pyetje. Gazetarët serbë që më dhanë këto paralajmërime janë ngacmuar dhe kërcënuar në mënyrë rutinore si nga kriminelët ashtu edhe nga BIA, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.
Zona gri mes shtetit dhe mafisë në Serbi është e vërtetë. Po ashtu është e rrethuar nga mure të jashtme të thashethemeve dhe paranojave që e bëjnë më të vështirë punën e një gazetari. Duhet të kem folur me dhjetëra serbë, të cilëve u janë vrarë djemtë, bashkëshortët apo fëmijët, në rrethana të errëta. Shumica prej tyre nuk e kishin idenë se cilët ishin vrasësit, por kishin histori të hollësishme për të treguar për zyrtarët e korruptuar, baronët e drogës, pazaret e armëve dhe fotografi inkriminuese. Disa kishin angazhuar edhe detektivë privatë. Megjithatë, disa nga njerëzit me të cilët fola fshihnin qartë gjërat nga unë.
Kalova një orë duke folur me një grua, burri i së cilës ishte në mesin e trupave të vrarë në fotografitë që shoqëruan aktakuzën ndaj bandës Belivuk. Ajo ishte e gjatë dhe me flokë të gjatë e të zezë. Historia e saj ishte prekëse. Kur fillova të pyesja për të kaluarën kriminale të bashkëshortit të saj – ai kishte qenë i burgosur për rolin e tij në një bandë famëkeqe të Ballkanit për vjedhje të argjendarive – përgjigjet e saj u kthyen ftohtë dhe shpejt. U krijua një ndjenjë sikur ajo mund të kishte treguar një histori shumë më interesante nëse nuk do të ishte e shqetësuar për pasojat me të cilat do të përballeshin bashkëpunëtorët e bashkëshortit apo edhe vetë ajo.
Vuçiqi nuk është përgjegjës për këtë moçal frike dhe për kriminalitet endemik. Është pothuajse pjesë e peizazhit në Ballkan, aq sa vetë emri i rajonit është përdorur me shekuj nga të huajt si një lloj stenografi për urrejtje dhe dhunë etnike – “një skenë e vendosur për trilerët ekzotikë të korrupsionit, për vrasje të shpejta dhe krime të lehta”, siç ka shkruar historiani Mark Mazower. Por, Vuçiqi ka dhuntinë e demagogut për t’u dhënë jetë stereotipave poshtëruese. Ai e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm problemin e mafisë në Serbi duke krijuar një mjedis në të cilën linja e paqartë mes krimit të organizuar dhe shtetit luan në avantazhin e tij.
Pjesën e dytë të artikullit mund ta lexoni këtu.
Përktheu: Shkumbin Sekiraqa