E përditësuar (15:10) - Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se e ka caktuar datën për ofensivën ushtarake në Rafah, pavarësisht rritjes së paralajmërimeve se kjo mund të çojë në pasoja më të mëdha civile në Gaza.
"Ne do të përfundojmë eliminimin e batalioneve të Hamasit, përfshirë në Rafah. Nuk ka asnjë forcë në botë që do të na ndalojë. Ka shumë faktorë që përpiqen ta bëjnë këtë, por kjo nuk do të ndihmojë, sepse ky armik, pas asaj që ka bërë, nuk do ta bëjë më. As madje as nuk do të jetë më. Hamasi është pjesë e boshtit të keq të Iranit, i cili ka për qëllim që të na shkatërrojë. Dhe kur ne e shkatërrojmë Hamasin, e shkatërrojmë edhe boshtin. Secili në Lindjen e Mesme, dhe edhe më tej, është duke shikuar se kush do të fitojë në këtë fushë, Izraeli apo Irani dhe përfaqësuesit e tij. Ju pothuajse e dini se kush”, ka thënë Netanyahu.
Më shumë se një milionë palestinezë janë strehuar në qytetin verior, pasi janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, raporton BBC.
Komenti i Netanyahut vjen pas thirrjeve të aleatëve të qeverisë së ekstremit të djathtë, që t’i ndalë aksionet kundër Hamasit.
Popullariteti i kryeministrit ka rënë me shpejtësi, pas gjashtë muajsh lufte.
Derisa bisedimet me Hamasin janë duke vazhduar në Egjipt, Netanyahu po shtyhet nga shumë izraelitë që të pajtohet me marrëveshjen për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, e po ashtu edhe aleatët kryesorë ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në.
Por ndërsa pakënaqësia rritet brenda dhe jashtë vendit për mënyrën se si qeveria e tij e ka zhvilluar luftën, ai po përballet gjithashtu me thirrjet për të rritur operacionet kundër Hamasit nga liderë të ekstremit të djathtë, tek të cilët është mbështetur për mbështetje politike.
Sundimi i Netanyahut mbështetet nga një koalicion që përfshin parti të ekstremit të djathtë, ultranacionaliste, disa prej të cilave janë kundër idesë për të bërë lëshime ndaj Hamasit.
Udhëheqësit e Egjiptit, Francës dhe Jordanisë kanë paralajmëruar Izraelin se një ofensivë kundër qytetit jugor të Gazës, Rafah, do të sillte “pasoja të rrezikshme”.
SHBA-ja tha gjithashtu se e kundërshton çdo sulm në Rafah, ku më shumë se 1.5 milionë palestinezë janë të strehuar.