Botë

Netanyahu shuan shpresat se vrasja e Sinwarit mund t’u japë fund luftërave

Yahya Sinwar

Yahya Sinwar

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shuar të premten shpresat e shprehura edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, se vrasja e liderit të Hamasit mund t’u japë fund luftërave në Lindje të Mesme. Ai është zotuar të premten për vazhdim të luftimeve, derisa të lirohen pengjet dhe të çrrënjoset grupi militant. E Hezbollahu dhe Irani kanë njoftuar se vrasja e aleatit të tyre do të pasohet me rritje të rezistencës

(Reuters-AP) – Izraeli e ka quajtur triumf të madh vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, i cili është organizator i sulmit, pas të cilit ky shtet e ka nisur luftën në Rripin e Gazës.

Vrasja e tij është konfirmuar të premten edhe nga vetë grupi Hamas.

Khalil al-Hayya, zyrtar i këtij grupi, ka thënë se Sinwar ka vdekur në luftime. Ai ka theksuar se Hamasi do të vazhdojë rrugën drejt përmbushjes së ambicieve të palestinezëve, dhe se vdekja e Sinwarit vetëm do ta fuqizojë grupin.

Al-Hayya ka shtuar se pengjet izraelite nuk do të dorëzohen deri kur agresioni në Gazë të përfundojë dhe të ketë tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.

E, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, kanë shprehur qëndrimin të premten se vdekja e liderit të Hamasit e hap mundësinë për të siguruar armëpushim.

“Vdekja e liderit të Hamasit përfaqëson një moment drejtësie. Ai kishte në duart e tij gjakun e amerikanëve, izraelitëve, palestinezëve dhe gjermanëve dhe shumë të tjerëve. I thashë kryeministrit të Izraelit dje: le ta bëjmë këtë moment një mundësi për të kërkuar një rrugë drejt paqes, një të ardhme më të mirë në Gazë pa Hamasin”, ka theksuar presidenti amerikan.

Ndërkaq kancelari Scholz ka thënë se marrëveshja e mundshme do të siguronte gjithashtu lirimin e pengjeve izraelitë, të mbajtur ende në Gazë.

“Vdekja e liderit të Hamasit, Sinwar, i cili ishte përgjegjës për sulmin e tmerrshëm terrorist, shpresojmë të hapë një mundësi konkrete për një armëpushim në Gazë, një marrëveshje për të liruar pengjet e Hamasit”, është shprehur kancelari gjerman.

Por, zotimet e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të vazhduar me luftërat e Izraelit në Gazë dhe në Liban kanë zbehur shpresën se vrasja e liderit të Hamasit mund t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Netanyahu ka theksuar se lufta do të vazhdojë derisa të kthehen pengjet.

“Sot e keqja ka marrë një goditje, por detyra jonë ende nuk është përfunduar. Familjeve të dashura të pengjeve u them: Ky është një moment i rëndësishëm në luftë. Do të vazhdojmë me forcë derisa të gjithë të dashurit tuaj, të dashurit tanë, të jenë në shtëpi”, ka bërë të ditur Netanyahu.

Ndërkaq, grupi militant libanez, Hezbollah, është zotuar që t’i përshkallëzojë luftimet kundër Izraelit, ndërsa mbështetësi i tij, Irani, ka shprehur qëndrimin se shpirti i rezistencës do të forcohet nga vdekja e aleatit të tij palestinez në Gazë, Yahya Sinwar.

Vrasja e Sinwarit nga forcat izraelite është një kthesë dramatike në luftën brutale njëvjeçare në Gazë. Sinwar vlerësohet se ka qenë arkitekti i sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar në jug të Izraelit, gjatë të cilit janë vrarë 1200 persona, ndërsa janë marrë afro 250 pengje. Sulmi ka qenë fillim i luftës në Gazë e që tash është shtrirë edhe në Liban.