Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se vendi i tij “do të qëndrojë” i vetëm nëse duhet në luftën kundër Hamasit, duke kërcënuar të thellohet kriza e marrëdhënieve me SHBA-në.
Netanyahu ka folur pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se SHBA-ja nuk do të ofrojë armë sulmuese të cilat Izraeli do të mund t’i përdorte për sulmin gjatë të paralajmëruar në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Izraeli insiston se Rafah është bastioni i fundit i madh i Hamasit dhe Netanyahu ka paralajmëruar vazhdimisht se do të pushtohet qyteti përkundër paralajmërimeve nga partnerët ndërkombëtarë se kjo mund të shkaktonte një katastrofë të madhe humanitare, pasi në Rafah gjenden mbi 1 milion palestinezë.
“Nëse duhet të qëndrojmë vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse duhet, ne do të luftojmë me thonjtë tonë. Por, kemi shumë më tepër sesa vetëm thonj”, ka thënë Netanyahu, raporton agjencia “AP”.
Kjo është shenja e radhës për acarimin e marrëdhënies mes Bidenit e Netanyahut.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, ka thënë se ushtria izraelite ka armët që i duhen për të shkuar para me ofensivën në Rafah.
“Ushtria ka armatime për misionet që planifikon dhe për misionet në Rafah po ashtu – ne kemi atë që na nevojitet”, ka thënë Hagari.
Hagari ndërkohë ka thënë se marrëdhëniet mes Izraelit e SHBA-së mbesin të ngushta dhe se mosmarrëveshjet duhet zgjidhur me dyer të mbyllura.
Sulmi fillestar i Izraelit në Rafah, së bashku me sulmet e Hamasit në vendkalimin Kerem Shalom të Izraelit, kanë ndërprerë rrjedhën e ndihmave në Gaza, duke ngritur shqetësime të reja për përkeqësimin e situatësh tashmë të tmerrshme humanitare në Gaza.