Botë

Netanyahu: Izraeli po krijon një korridor të ri të sigurisë në Gaza

Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të mërkurën se Izraeli po krijon një korridor të ri të sigurisë përmes Rripit të Gazës për t’i bërë presion grupit militant palestinez, Hamas, duke sugjeruar se do të shkëpuste qytetin jugor të Rafah, banorët e të cilit janë urdhëruar të evakuohen, nga pjesa tjetër e territorit, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Njoftimi i kryeministrit erdhi pas deklaratës së ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, i cili ka thënë se Izraeli do të marrë nën kontroll zona të mëdha të Gazës dhe do t’i shtojë ato në zonat e tij të sigurisë.

“Ne jemi duke e prerë Rripin, dhe jemi duke e rritur presionin hap pas hapi, në mënyrë që ata të na i kthejnë pengjet”, ka thënë Netanyahu.

Ndërkohë, një valë e re e sulmeve ajrore ka vrarë mbi 40 palestinezë, përfshirë dhjetëra gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Izraeli është përbetuar se do ta përshkallëzojë luftën afërsisht 18-mujore kundër Hamasit, derisa grupi militant t’i dorëzojë të gjitha pengjet e mbetura, të çarmatoset dhe të largohet nga territori i enklavës palestineze. Izraeli i dha fund armëpushimit në muajin mars dhe ka bllokuar për rreth një muaj ndihmat humanitare.