Botë

Netanyahu e përshkruan si pozitiv takimin treorësh me Blinkenin

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar pozitiv takimin treorësh me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, raporton “BBC”. 

Ai ka thënë se takimi është zhvilluar në “frymë të mirë”. 

Blinken gjendet në vizitën e tij të nëntë në Lindje të Mesme që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit në tetor pas sulmit të Hamasit në territorin izraelit. 

SHBA-ja ka shprehur optimizmin se mund të arrihet një marrëveshje armëpushimi pasi bisedimet kanë rinisur në Doha javën e kaluar. 

Mirëpo, Hamas ka thënë se pretendimet se ka progres janë “iluzion” dhe se ka një numër të çështjeve mes dy palëve që po kontestohen ende – përfshirë edhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza. 

Më herët gjatë ditës, Blinken po ashtu u takua me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog dhe tha se “ndoshta është mundësia më e mirë dhe e fundit” për të siguruar një armëpushim dhe liruar pengjet që po mbahen në Gaza. 

“Kryeministri ka ripërsëritur përkushtimin e Izraelit për propozimin e fundit amerikan për lirimin e pengjeve tona – duke marrë në konsideratë nevojat e sigurisë së Izraelit, për të cilat insistoi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të Izraelit.