Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se nëse Izraeli pajtohet me “pozicionet ekstreme” të Hamasit, atëherë “7 tetori i ardhshëm është vetëm çështje kohe”.
Komentet e Netanyahut erdhën ndërsa negociatat në Kajro për të arritur një marrëveshje që ndalon luftën gati shtatë-mujore po vazhdojnë.
“Dorëzimi ndaj kërkesave të Hamasit do të ishte një disfatë e tmerrshme për shtetin e Izraelit. Do të jetë një fitore e madhe për Hamasin, për Iranin, për të gjithë boshtin e së keqes”, ka theksuar Netanyahu në një deklaratë të dielën, raporton Associated Press. “Izraeli nuk do të pajtohet me kërkesat e Hamasit, që do të thotë dorëzim, dhe do të vazhdojë të luftojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet e tij”.
Presioni është rritur për të arritur një marrëveshje që ndalon luftën.
Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe amerikanë kanë raportuar shenja kompromisi në ditët e fundit, por shanset për një marrëveshje armëpushimi mbeten të ngatërruara me pyetjen kryesore nëse Izraeli do të pranojë një fund të luftës pa arritur qëllimin e tij të deklaruar për të shkatërruar grupin militant Hamas.