Botë

Nepali në zi për viktimat e aksidentit me avion

Të martën pasdite, mbi 150 njerëz u mblodhën në brigjet e Lumit Seti në Pokhara, për të mbajtur zi për Tribhuwan Paudelin, gazetar 37-vjeçar dhe redaktor në një gazetë lokale, i cili vdiq në një aksident avioni.

Aksidenti ndodhi teksa aeroplani po afrohej në Aeroportin Ndërkombëtar Pokhara në ultësirat e Himalajeve, duke lënë të vdekur të paktën 70 nga 72 personat në bord.

Avioni po e përfundonte fluturimin 27-minutësh nga kryeqyteti, Katmandu, në qytetin turistik të Pokhara, 200 kilometra në perëndim.

Avioni kishte 68 pasagjerë, përfshirë 15 shtetas të huaj dhe katër anëtarë të ekuipazhit.

Të huajt përfshinin pesë indianë, katër rusë, dy koreano-jugorë dhe nga një nga Irlanda, Australia, Argjentina dhe Franca.

Në ditët në vijim priten funeralet për viktimat e tjera, shumë prej të cilëve ishin nga zona.