Botë

Nëntë të vdekur pasi anija spanjolle e peshkimit fundoset afër ishujve Falkland

Ilustrim

Ilustrim

Foto: Associated Press

Nëntë persona kanë vdekur dhe katër të tjerë kanë mbetur të zhdukur pasi një anije spanjolle peshkimi u mbyt në Oqeanin Atlantik Jugor, ka bërë të ditur një zyrtar i qeverisë spanjolle.

Ekuipazhi prej 27 anëtarësh kishte nxituar të shpëtonte përmes një gomoneje kur anija kishte nisur të mbushej me ujë të hënën, rreth 200 milje detare larg brigjeve të ishujve Falkland, raporton BBC.

Pedro Blanco, përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në rajonin veriperëndimor të Galicisë, ka thënë se 14 nga ata që ishin në bord kanë shpëtuar.

Zyrtarët në Falklands kanë thënë se një numër i tyre ishte shpëtuar nga një anije patrullimi peshkimi dhe dy anije të tjera peshkimi, dhe se kërkimi po vazhdon për anëtarët e tjerë të ekuipazhit të zhdukur.

Qeveria e Ishujve Falkland, një territor britanik jashtë shtetit, i kishte përshkruar më herët kushtet në Atlantikun e Jugut si "jashtëzakonisht sfiduese", duke përfshirë erërat e forta dhe valët e raportuara të jenë 8 metra të larta.

Një helikopter ushtarak u detyrua të braktiste operacionet e kërkim-shpëtimit për shkak të kushteve të detit dhe distancës nga toka. Helikopteri ishte kthyer në Falklands për t'u furnizuar me karburant, por duhej të pezullonte misionin për shkak të motit të përkeqësuar.

Qeveria spanjolle ka bërë të ditur se 10 nga ekuipazhi ishin nga Spanja, tetë ishin rusë, pesë ishin nga Indonezia dhe të tjerët ishin nga Uruguai dhe Peruja.