Botë

Nëntë të vdekur nga përmbysja e varkës në Lampedusa

Itali

Nëntë persona, duke përfshirë një foshnje, kanë humbur jetën ndërsa 15 të tjerë dyshohet se janë zhdukur, pasi varka me të cilën po udhëtonin u përmbyt si pasojë e motit të stuhishëm, pranë ishullit të Lampedusas.

Roja bregdetare e Italisë ka bërë të ditur se kishte pranuar një kërkesë bashkëpunimi nga zyrtarët maltezë të kërkim-shpëtimit, pasi anija u përmbys rreth 50 km në jug-lindje të ishullit të Lampedusas të mërkurën.

Roja bregdetare ka dërguar patrullat në vendngjarje, të cilët kanë arritur të shpëtojnë 22 persona të mbijetuar dhe kanë gjetur nëntë individë të vdekur, përfshirë një foshnje.

Operacionet e kërkim-shpëtimit ishin tejet sfiduese për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe detit, me valë që arrin deri në 2.5 metra, ka shtuar roja bregdetare.

Kombësia e pasagjerëve të varkës nuk dihet ende. Të mbijetuarit u dërguan në Lampedusa, e cila ndodhet midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit më të madh italian të Sicilisë, raporton “The Guardian”.

Zyrtari për komunikim i UNHCR-së, Filippo Ungaro, përmes një postimi në rrjetin social “X”, ka thënë se të mbijetuarit ishin “në një gjendje hipotermie dhe shoku”.

Është bërë e ditur që foshnja që humbi jetën ishte vajzë disamuajshe.