Botë

Nëntë të vdekur dhe 50 të lënduar pas shembjes së një skene në Meksikë

Skena e shembur në Meksikë

Skena e shembur në Meksikë

Foto: Associated Press

Të paktën nëntë persona kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë, dhe 50 të tjerë janë lënduar pasi një skenë u shemb në një tubim të fushatës zgjedhore në shtetin verior të Nuevo Leon të Meksikës, ka bërë të ditur guvernatori lokal.

Incidenti ndodhi ndërsa kandidati presidencial i qendrës së majtë, Jorge Alvarez Maynez po mbante një fjalim në qytetin e San Pedro Garza Garcia, pranë Monterrey-t, raporton BBC.

Maynez nuk u lëndua në shembje dhe u pa duke folur me mbështetësit pas incidentit. Disa anëtarë të ekipit të tij ishin lënduar, sipas tij.

Shembja u shkaktua nga një erë e papritur e fuqishme, ka shkruar Maynez në një postim në X.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur struktura e skenës u shemb ndërsa një numër njerëzish ishin në të.

Videoja e postuar në mediat sociale tregoi Maynez duke u përshëndetur mbështetësve të tij dhe më pas vraponte për siguri ndërsa një pjesë e strukturës u përmbys.

Guvernatori i shtetit, Samuel Garcia u kërkoi banorëve vendas të qëndrojnë brenda për shkak të stuhive dhe erërave të forta në zonë.

Maynez është kandidati i partisë Lëvizja Qytetare dhe aktualisht është në vendin e tretë në sondazhet kombëtare.