Botë

Negociata e jo njohje e njëanshme, thotë Shtëpia e Bardhë për shtetin palestinez

Jake Sullivan

Jake Sullivan

Foto: Associated Press

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka thënë se zgjidhja mes Izraelit dhe Palestinës mund të gjendet përmes negociatave, dhe jo njohjes së njëanshme. 

"Nuk e kam dëgjuar logjikën se si kontribuon, ajo që mund t'ju them është se ne besojmë se e vetmja mënyrë që ju do të arrini një zgjidhje për dy shtete, si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët, është përmes negociatave të drejtpërdrejta midis palëve”, ka thënë Sullivan të mërkurën.

Deklarata e tij vjen pak pasi Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do ta njihnin shtetin palestinez, një lëvizje e mirëpritur nga palestinezët, derisa Izraeli i ka tërhequr ambasadorët e tij nga tri shtetet.

Disa shtete evropiane kanë bërë me dije në javët e fundit se po planifikojnë ta bëjnë njohjen, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është esenciale për zgjatje të paqes në rajon.

Rreth 140 shtete tashmë e kanë njohur shtetin palestinez, më shumë se dy të tretat e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, por asnjë nga fuqitë e mëdha perëndimore nuk e ka bërë.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara tashmë po përballen me pasojat pasi kryeprokurori i gjykatës më të lartë botërore për krimet e luftës kërkoi urdhër-arreste për liderët e Izraelit dhe Hamasit.

Izraeli e ka nisur luftën në Gaza, pas sulmit të 7 tetorit të kryer nga militantët e Hamasit në jug të Izraelit, gjatë të cilit u vranë rreth 1,200 persona, dhe u morën peng rreth 250 të tjerë.

Të paktën 35,000 palestinezë janë vrarë në luftë, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Rreth 80% e popullatës prej 2,3 milionë banorësh të Gazës janë zhvendosur brenda territorit, shpesh disa herë.

LEXO EDHE: