“Toni dhe substanca e bisedimeve tona me Rusinë, komunikimeve tona rreth Rusisë, do të jenë shumë më ndryshe prej atyre që kemi parë gjatë administratës së kaluar”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës. “Nuk jemi në kërkim të përshkallëzimit, nuk jemi në kërkim të ristartimit. Ne jemi në kërkim të stabilitetit dhe parashikueshmërisë, si dhe të fushave konstruktive të bashkëpunimit me Rusinë, kur është në interesin tonë për ta bërë një gjë të tillë”
Washington, 2 mars (AP) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë vendosur sanksione të martën shtatë zyrtarëve qeveritarë rusë dhe 13 kompanive ruse e evropiane në kundërpërgjigje ndaj helmimit të liderit opozitar, Alexei Navalny, të cilin rast një raport i Inteligjencës amerikane e kishte konfirmuar si vepër të FSB-së.
Zyrtarë të lartë të administratës amerikane i përshkruan masat e ndërmarra, të cilat janë gjithashtu përgjigje për burgimin e vazhdueshëm të Navalnyt, si pasim të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga Bashkimi Evropian në tetor, përballë të cilave administrata e ish-presidentit Donald Trump i kishte mbyllur sytë.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se politikat karshi Rusisë tani janë fuqimisht të koordinuara me ato të aleatëve evropianë, ndërsa kanë paralajmëruar masa të tjera ndëshkuese gjatë javëve të ardhshme, në kundërpërgjigje ndal sulmit masiv kibernetik të vitit të shkuar, ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2020-s, si dhe pagesat e pretenduara, ofruar luftëtarëve talebanë dhe ekstremistëve të tjerë për vrasjen e ushtarëve rusë.
“Toni dhe substanca e bisedimeve tona me Rusinë, komunikimeve tona rreth Rusisë, do të jenë shumë më ndryshe prej atyre që kemi parë gjatë administratës së kaluar”, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës. “Nuk jemi në kërkim të përshkallëzimit, nuk jemi në kërkim të ristartimit. Ne jemi në kërkim të stabilitetit dhe parashikueshmërisë, si dhe të fushave konstruktive të bashkëpunimit me Rusinë, kur është në interesin tonë për ta bërë një gjë të tillë”.
Sanksionet janë vendosur sipas Aktit të Armëve Kimike dhe Biologjike të vitit 1991 dhe “autoriteteve të tjera”, ndërsa e përfaqësojnë zgjerimin e atyre që veçse janë vendosur ndaj vendit, në përgjigje ndaj sulmit mbi ish-spiunin Sergei Skripal dhe të bijës së tij në Angli më 2018.
Mes atyre të përfshirë në listën e zezë të SHBA-së janë Andrei Yarin, shef i drejtorisë së Kremlinit për politika të brendshme, Alexander Bortnikov, drejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB); dhe zëvendësministrat e mbrojtjes, Alexei Krivoruchko dhe Pavel Popov. Çdo pronë apo transaksion financiar i tyre përbrenda SHBA-së do të ngrihet apo pezullohet, ndërkaq të huajt që kanë ujdi afariste me ta do të përballen po ashtu me sanksione.
Departamenti i Tregtisë ka paralajmëruar ashpërsimin e kontrolleve të eksportit për mallrat e përdorura potencialisht për prodhimin e armëve kimike apo atyre biologjike.
Nëntë rusë, tre gjermanë dhe një kompani zvicerane, si dhe një institut kërkimor qeveritar, janë vënë në “listën e entiteteve”, që do të thotë se për bizneset amerikane me ta do të nevojitet një licencë “mbi supozimin e mohimit”. Emrat e kompanive dhe instituteve nuk janë bërë menjëherë të ditura.
“Teksa sanksionet janë shpallur, kjo gjë nuk do të nxisë ndonjë lloj ndryshimi në sjelljen e Putinit apo që ta detyrojë lirimin e përnjëhershëm të Navalnyt – sinqerisht dyshoj në këtë”, ka thënë Daniel Tannebaum, një ekspert i sanksioneve dhe ish-zyrtar i Zyrës së Thesarit amerikan për kontrollimin e pasurive të huaja. “Ama jam i trimëruar nga retorika e administratës Biden se kjo gjë është vetëm fillimi, dhe jo domosdoshmërisht një fillim, por vetëm hapi i parë drejt vendosjes së sanksioneve ndaj regjimit të Putinit për një mori çështjesh të ndryshme”.