Botë

Në Rusi, dikush ra pre e propagandës e të tjerë ndryshuan mendje për luftën

Përditshmëria brenda regjimit të Putinit ka ndryshuar në mënyrë dramatike - disa kanë përfituar, por jo edhe kundërshtarët

Nga komoditeti i salloneve të tyre VIP, udhëheqësit globalë panë se si ish-ylli i patinazhit artistik Irina Rodnina ndezi flakën olimpike për të nisur Lojërat Dimërore të Sochit 2014.

Ndezja e pishtarit në hapjen e ceremonisë që promovonte gjuhën e paqes dhe tolerancës kishte për qëllim të ishte kulmi i ringjalljes së Rusisë teksa Vladimir Putin iu kthye “fuqisë së butë” për t’i bërë përshtypje botës.

Dhjetë vjet më vonë, Rodninës iu besua përsëri inaugurimi i një ngjarjeje sportive dimërore. Këtë herë ajo shtiu në qiell me armën që nënkupton sinjalin për nisje, teksa qindra skiatorë rusë, të ndaluar të konkurronin në Perëndim, formuan një shkronjë gjigante pro-luftës “Z” në fillimin e një gare vjetore në periferi të Moskës.

“Goditja” ndaj opozitës

Një kontrast i fortë pasqyroi dekadën në të cilën Putini aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe tetë vjet më vonë shkaktoi konfliktin më të madh që Evropa ka dëshmuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai ka hapur një front të dytë në atdhe, duke ndezur entuziazëm nacionalist me një përzierje nostalgjie për të kaluarën perandorake dhe sovjetike të Rusisë.

Duke u paraqitur si garantuesi i vetëm i sovranitetit rus dhe vlerave tradicionale, Putini është pozicionuar fort kundër Perëndimit, të cilin ai e quan “satanik”.

Lajmi për vdekjen e Alexei Navalnyt në burg të premten i dha një goditje shkatërruese opozitës tashmë të shtypur të vendit. Kontrolli i Putinit mbi politikën e brendshme tani duket i plotë. Vdekja e Navalnyt ishte gjithashtu një kujtesë se Putini po bën një luftë në dy fronte - jashtë vendit kundër qytetarëve ukrainas dhe në atdhe kundër atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe.

Image

Me afrimin e përvjetorit të dytë të pushtimit, rusët e shohin ndryshe jetën.

Fëmijët lexojnë libra historikë të sapobotuar që mbrojnë pushtimin rus të Ukrainës dhe mësojnë se si të trajtojnë dronët ushtarakë. Veteranët e luftës, shpesh ish të dënuar nga grupi famëkeq paraushtarak Wagner, vizitojnë shkollat për të predikuar “vlerat patriotike”.

Teatrot dhe muzetë, dikur në qendër të një skene të pavarur kulturore, kanë parë shfaqjet e tyre kritike të kufizuara, me artistë dhe regjisorë të burgosur ose në mërgim. Disa muze tani vendosin ekspozita me sendet personale të ushtarëve ukrainas të vrarë në fushën e betejës.

Nën drejtimin e një kishe militariste ortodokse, Kremlini e ka nxjerrë praktikisht të paligjshme të qenit homoseksual, duke dënuar qytetarët e tij për mbajtjen e vathëve, shfaqjen e simbolit të ylberit ose postimin e flamurit LGBTQ+.

Në një nga demonstratat më të dukshme të mbështetjes së vlerave konservatore nga Rusia, autoritetet në dhjetor shkatërruan një festë të organizuar nga të famshmit në Moskë, duke sinjalizuar “tkurrjen” e lirive politike. Një nga këngëtarët më të shquar të popit rus, Philipp Kirkorov, që atëherë ka nisur një turne, duke performuar për ushtarët në Ukrainën e pushtuar.

Frika për t’i shprehur mendimet

Vëzhguesit thonë se presioni shtetëror ka krijuar një atmosferë frike dhe denoncimi – me fqinjët, miqtë dhe madje edhe me anëtarët e familjes që raportojnë për njëri-tjetrin, shpesh në mënyrë anonime – që të kujton represionet më të errëta të Jozef Stalinit.

Një sondazh i fundit tregoi se deri në 30% e rusëve kishin frikë të shprehnin mendimet e tyre për luftën, madje edhe te miqtë dhe familjarët.

“Ne kemi parë një konsolidim të qartë nacionalist dhe patriotik rreth luftës”, ka theksuar Denis Volkov nga agjencia e pavarur e sondazheve Levada Centre, duke shpjeguar sondazhet që tregojnë nivele të vazhdueshme të mbështetjes për pushtimin.

Putini ka mobilizuar gjithashtu elitat politike dhe të biznesit, shumë prej të cilave po falimentonin në ditët e para të pushtimit kur pronat e tyre në Riviera dhe llogaritë bankare u ngrinë nga Perëndimi. Ndërsa rebelimi veror i ndërprerë i Yevgeny Prigozhinit dobësoi përkohësisht qëndrimin e Putinit në vend, përplasja e avionit që vrau liderin Wagner dy muaj më vonë riktheu me shpejtësi reputacionin e tij si udhëheqësi i pamëshirshëm dhe i pakundërshtueshëm i Rusisë.

“Ne pushuam së fantazuari për një të ardhme pas Putinit. Ai është realiteti ynë dhe ne duhet të jetojmë në të”, ka thënë një nga biznesmenët më të mëdhenj në Moskë.

Putini e ka mbajtur premtimin e tij të hershëm për të pasurit dhe të fuqishmit: “qëndroni me mua dhe bëhuni të pasur”.

Kremlini e ka kthyer largimin e qindra kompanive perëndimore në një fat të papritur për elitën besnike të Rusisë.

Mandati i stërzgjatur

Qëndrueshmëria e ekonomisë ruse i ka mundësuar Putinit ta vazhdojë luftën në Ukrainë, ndërsa njëkohësisht u ofron qytetarëve të tij një zgjedhje të fortë të mallrave të konsumit. “Importet paralele” përmes Turqisë dhe Kazakistanit kanë siguruar që moskovitët mund të kenë në dorë pajisjet e fundit teknologjike, si kufjet Apple Vision Pro.

Duke shkuar në zgjedhjet presidenciale të marsit që do t’i japin atij gjashtë vjet të tjerë, Putin nuk përballet me asnjë sfidues serioz.

Mandati i Putinit mund të tejkalojë edhe atë të Stalinit, i cili sundoi Bashkimin Sovjetik për 29 vjet.

Megjithatë, jo të gjithë i binden Putinit. Një grup i vogël por këmbëngulës grash mblidhen çdo fundjavë jashtë Kremlinit për të kërkuar që burrat e tyre, të cilët ishin rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, të lejohen të kthehen në shtëpi.

“Disa ende e pranojnë propagandën shtetërore. Por shumë po ndryshojnë mendimin e tyre për operacionin special ushtarak”, ka theksuar udhëheqësja jozyrtare e lëvizjes, Maria Andreeva.

Lëvizja bazë ka marrë vrull në Rusi në muajt e fundit dhe ka vënë një goditje në imazhin e portretizuar nga Putini të një shoqërie të bashkuar pas përpjekjeve të luftës.

Dhe kur Kremlini flirtoi me idenë për ta lejuar Boris Nadezhdin, kandidatin pak të njohur kundër luftës, të kandidonte në zgjedhjet presidenciale të marsit, mijëra rusë u mblodhën në radhë të gjata për të dhënë nënshkrimet e tyre në mbështetje të politikanit.

“Një numër i konsiderueshëm njerëzish nuk e pëlqejnë atë që po ndodh dhe e kundërshtojnë luftën. Ata thjesht po presin një shans për të demonstruar zhgënjimin e tyre”, ka theksuar Greg Yudin, profesor i filozofisë politike në Shkollën e Shkencave Sociale dhe Ekonomike të Moskës, duke treguar për shfaqjen e papritur të mbështetjes për Nadezhdinin, të cilit që atëherë i është ndaluar të kandidojë.

Pranimi i realitetit

Yudin, si ekspertë të tjerë, beson se “shumica e heshtur” e rusëve dëshirojnë një kthim në normalitetin e paraluftës dhe në vend të kësaj ka përqafuar një formë arratisjeje, duke injoruar kryesisht zhvillimet në fushën e betejës.

“Zërat e lartë pro-luftës duket se janë dominues në shoqëri, por në realitet ata janë një pakicë”, tha Yudin.

Sondazhet e fundit kanë sugjeruar se shumë persona në vend po lodhen nga lufta.

Kur u pyet nga Qendra Levada se çfarë do të dëshironin rusët të dinë nga Putini, pyetja më e popullarizuar ishte: “Kur do të përfundojë pushtimi i Ukrainës?”.

Por me Kremlinin që ushtron dominim të plotë mbi median dhe arsimin e vendit, dhe shërbimet e tij të sigurisë që shkelin në mënyrë progresive jetën private të njerëzve – të gjitha manifestimet e një regjimi totalitar – pasojat e qëndrueshme të luftës nuk janë parë ende.

“Rusëve u thuhet vazhdimisht se si të mendojnë, dhe kjo sigurisht ka një ndikim. Propaganda është e fuqishme”, thekson Yudin.

Përktheu: Blerta Haxhiu