Ekipi i KOHËS po vazhdon ta përcjellë nga afër situatën brenda në Ukrainë dhe në kufirin me Poloninë. Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se të martën deri pas orës 18:00, në qytetin ukrainas Lviv janë lëshuar katër alarme të cilat i njoftojnë qytetarët që të strehohen. Sipas Ramajt, situata në Lviv është e qetë, madje shtoi se qytetarët tashmë nuk po e kanë frikën si në fillim.
“Lvivi ende nuk ka pasur ndonjë ofensivë dhe është qytet i qetë. Ka pasur më herët një sulm në aeroportin që është shumë afër Lvivit, por që ushtria ruse nuk ka arritur të depërtojë brenda në këtë qytet. Ka shumë qytetarë të qyteteve të tjera që e kanë gjetur si strehë këtë qytet. Ishim gjatë ditës në stacionin e trenit dhe pamë një numër shumë të madh personash që vinin kryesisht nga tri qytetet më të mëdha ku po zhvillohen sulme. Sot ka rënë katër herë alarmi, 5 minuta më herët kur ra për herë të fundit kurse dje për 7 herë ra një alarm i tillë”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta”.
Ramaj ka treguar edhe përvojën e saj në momentin e lëshimit të alarmit.
“Gazetarët ndërkombëtarë që kanë qenë nga dita e parë këtu e dinë dallimin si kanë reaguar qytetarët, ata thonë se qytetarëve nuk u bënë përshtypje shumë tani e konsiderojnë si normale. Edhe unë si vepruan qytetarët e këtij vendi, nuk shkova në ndonjë pjesë tjetër për strehim. Qyteti është tepër i gjallë, i mbushur me njerëz nga qytetet tjera”.
E, nga Medyka, zonë kufitare Ukrainë-Poloni, kameramani i KOHËS, Vigan Morina, tregoi krejt çka parë aty tash e disa ditë. Ai ka parë gjendjen emocionale të rëndë të mijëra ukrainasve që kanë kaluar kufirin drejt shteteve të tjera.
“Gjatë këtyre ditëve ka pasur fluks të njerëzve nga Ukraina, por sot ka pasur numër më të madh. Ata janë shumë të rënduar emocionalisht dhe janë shumë të prekur me ngjarjet. Shumica kanë treguar se i kanë familjarët e tjerë atje sepse jo të gjithë kanë mundur të largohen nga Ukraina”, ka thënë ai.
Morina ka treguar se ka folur me persona në atë zonë që kanë ardhur nga gjithandej botës, si kuzhinieri irlandez i cili po gatuan për refugjatët.
“Ka prej të gjitha vendeve të botës për t’i dalë në ndihmë popullit të Irlandës. Ka veshmbathje, batanije, çdo gjë që mund t’u hyjë në punë. Kam rastis ta takoj një irlandez që ka ardhur me ekipin e tij dhe po përgatit çdo gjë, ai është kuzhinier. Po atyre po u ofrohet shujta, shujta të ngrohta dhe të freskëta, supa, gjella, pica të freskëta gjatë gjithë kohës”, ka treguar Morina.
Ekipi i KOHËS është i pari dhe i vetmi nga Kosova që ka arritur të depërtojë në Ukrainë dhe të raportojë nga atje për luftën, që Rusia e ka nisur më 24 shkurt.