Botë

Në luftë me urinë

Ghada al-Kafarna pret para kuzhinës së komunitetit në Deir el-Balah për të marrë ushqim për fëmijët e saj

Ghada al-Kafarna pret para kuzhinës së komunitetit në Deir el-Balah për të marrë ushqim për fëmijët e saj

Gjashtë palestinezë në Gazë e përshkruajnë betejën e përditshme për t’i ushqyer fëmijët midis luftës. Rrëfimet e tyre s’janë vetëm të tyret. Të njëjtin fat e kanë me mijëra palestinezë të tjerë që lufta i zhyti në dëshpërim e i la pa asnjë gjë

(Al-Jazeera) – Ghada al-Kafarna pret në radhë para kuzhinës së komunitetit në Gazën qendrore, njësoj sikurse përditë. Është ora 11:00 dhe janë bërë më se dy orë që nëna e dhjetë fëmijëve është aty.

“Për mua sigurimi i bukës është betejë e përhershme”, thotë 41-vjeçja, teksa me qindra fëmijë, gra e burra shtyhen përreth saj.

Ghada nuk ka burim të ardhurash teksa bashkëshorti i saj vuan prej një sëmundjeje kronike që ia pamundësoi angazhimin në punë, edhe përpara luftës. Tani familja e zhvendosur nga shtëpia në Beit Hanoon jeton në një shkollë të shndërruar në strehimore në Deir al-Balah dhe varet nga “tekkiyyati”, kuzhina e komunitetit apo e bamirësisë që shpërndan shujta falas.

“Kur tekkiyyati s’punon, nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’u përgjërohem fqinjëve për ushqim”, thotë ajo.

Ghada është e rraskapitur. “Fëmijët s’kanë ngrënë gjë sot. Gjatë katër ditëve të fundit kuzhinat e bamirësisë janë mbyllur shkaku i situatës së vështirë, e fëmijët kanë shkuar në shtrat të uritur përnatë”, shpjegon ajo e përlotur. “U kërkoj (bukë) njerëzve përreth dhe u përgjërohem përditë për ndihmë”.

Por shumica e njerëzve janë në të njëjtin situatë sikurse Ghada, në pamundësi për t’u ofruar familjarëve çfarëdo ndihme.

Mohammed Abu Rami shkon çdo ditë në një tekkiyyat në Deir el-Balah që të furnizohet me ushqimin që ia presin familjarët

Vaji për bukën

Tetorin e 2023-s, kur Izraeli e nisi luftën në Gazë njoftoi për bllokadë “totale” furnizimesh bazë në Rrip. Më se 14 muaj që atëherë, Izraeli kufizoi hyrjen në Gazë të 83 për qind të ndihmave ushqimore, thanë në OKB.

Organizata ndërkombëtare të ndihmës dhe të bamirësisë paralajmëruan në vazhdimësi për nivelet e krizës së urisë që prekin mbi 2 milionë njerëz në Gazë përderisa Izraeli është akuzuar për përdorimin e urisë si armë lufte.

Më 1 dhjetor agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) njoftoi se e ndaloi shpërndarjen e ndihmave nëpërmjet Karem Abu Salem – pikëkalimi kryesor për ndihma midis Izraelit e Gazës – shkaku i shqetësimeve të sigurisë, përfshirë plaçkitjet nga bandat e armatosura. Kjo vetëm sa i intensifikoi betejat e familjeve, sikurse të Ghadas, edhe ashtu të rrënuara nga lufta më se njëvjeçare. Pati edhe ndikim të madh në mirëqenie mendore e emocionale.

“Ndihem e poshtëruar dhe e degraduar, përgjërohem përditë për të siguruar ushqim për fëmijët e mi. Përditë dua të vdes shkaku i kësaj beteje të pafundme”, thotë Ghada. “Kur fëmijët qajnë nga uria, nganjëherë u bërtas nga zhgënjimi. Mbrëmë e qëllova djalin tim tetëvjeçar, ngase qau për ushqim”.

Ai qau derisa e zuri gjumi, por nata qe e përlotshme për nënën.

“Situata s’mund të përshkruhet me fjalë. Ndaleni këtë tragjedi. Jemi të dërrmuar”, u lut ajo.

Në situatë të njëjtë si Ghada është edhe Mohammed Abu Rami, që për t’i ushqyer 11 anëtarët e familjes i kthen sytë kah kuzhinat e komunitetit. 58-vjeçari udhëton përditë nga tenda e tij në kampin e Deir el-Balahut për të zënë radhë në një nga këto kuzhina, bashkë me dy nga djemtë e tij. Shpesh aty mbërrin dy orë para se të nisë shpërndarja.

“Pa tekkiyyat s’do të mund të hanim fare. Javën e shkuar, kur organizatat bamirëse u mbyllën, kaluam ditë të tëra pa ushqim. Mbijetesa na varet vetëm prej asaj që na ofrohet”, tregon ai, tek mban në duar enën e plastikës për ta mbushur me ushqim.

Mohammedi thotë se ai dhe familja, që u zhvendosën nga qyteti i Gazës, jetojnë “nën kufirin e varfërisë - pa punë, pa para, pa ilaçe”.

“S’kemi marrë asnjë ndihmë ushqimore për mbi pesë muaj”, tregon ai teksa zëri i thyhet. “Kujt t'i drejtohemi në gjithë këtë zi buke? Çfarë të themi? Po vdesim nën bomba, të uritur dhe në të ftohtë. Vetëm Zotin e kemi. Edhe durimi po na mbaron. S’e imagjinoja kurrë veten të jetoja nëpër ditë kaq të rënda. Në luftë brenda luftës”.

“Vdekje për një copë bukë”

Është ora 11:30 dhe Karima al-Batsh me shumë mund po shtyhej me hallexhinj të tjerë për ta mbajtur radhën para një furre buke. Radhën e zuri që në pesë të mëngjesit, por para saj veçse ndodhen me qindra të tjerë. Teksa me mijëra palestinezë e kalojnë këtë rutinë të përditshme para kuzhinave të komunitetit, një numër edhe më i madh syresh mblidhen para furrave që në orët e para të mëngjesit, të dëshpëruar për bukë.

“Nuk kam miell e në treg nuk ka gjë”, shpjegoi 39-vjeçarja. “Nuk kemi marrë asnjë ndihmë”.

Pasi Karima dhe familja e saj u zhvendosën nga lagjja Zeitoun në Deir el-Balah, burri i saj u vra në një sulm ajror izraelit. Nëna e katër fëmijëve tani përballet me turma para furrave, të cilat për shumëkënd janë shndërruar në simbol të krizës së thellë humanitare në Gazë, që i shtyu njerëzit përtej kufijve të durimit.

“Skena kaotike. Për keqardhje”, thotë Karima tek pret radhë. “Të gjithë po luftojnë për thërrime buke që t’ua çojnë familjarëve. “Uria është dërrmuese e tronditja e pamëshirshme”, ankohet ajo, tek tregon se javën e shkuar tri gra vdiqën në rrëmujën e krijuar para furrës së bukës.

“Si mund ta lejojë bota këtë - njerëz që vdesin për një copë bukë?”.

Teksa ajo priste, Mohammed Dardouna doli nga radha e “betejës për bukë” me rroba të pluhurosura e fytyrën e plandosur nga lodhja.

“Jeta na është bërë katran e zezë”, shprehet 42-vjeçari i zemëruar, tek e mbante mbi supe një qese të vogël me bukë. “Zgjohem në 5 të mëngjesit për të marrë ujë për familjen. Nga 8 deri në 9 të mëngjesit kërkoj  kuzhinat për të gjetur ushqim për fëmijët. Pastaj pres me orë të tëra në radhë për bukën e pakët shkaku i mungesës së miellit”, shpjegoi ai. “Kjo është përmbledhja e jetës së shumicës së njerëzve në Gazë”.

Mohammedi është baba i tetë fëmijëve. Bashkë me ta u zhvendos nga Jabalia, ku rreth 95 mijë palestinezë atje përballen me uri e kequshqyerje. E kjo gjendje, sipas Komitetit të Pavarur për Shqyrtim të Urisë, po u afrohet edhe zonave veriore.

“Kam pasur jetë të mirë, një punë, një dyqan të vogël, të ardhura dhe shtëpinë”, kujton ai. “Duruam tmerret e luftës, por të përballesh me urinë është e paimagjinueshme”.

Një thes 25 kilogramësh me miell ka arritur çmimin e 1 mijë shekelëve (280 dollarë), e kjo situatë, thotë Mohammedi, po i dëshpëron njerëzit.

“Nëse kështu vazhdon, do të varrosemi për së gjalli. Vdekja na duket si i vetmi shpëtim”, thotë ai. “Kurrë nuk do ta mendoja se një ditë do të isha kaq i uritur apo se do t’i shikoja fëmijët të uritur. Ndaleni më luftën! Lërnani të kemi miell. Si t’i bëjmë ndryshe thirrje botës? Turp ju qoftë!”.

Bukë me miell të krimbur – qepa e kripa, lukse

Fadia Wadi e përdor miellin e prishur, përplot kërpudha e krimba, vetëm për të mos u detyruar të presë orë të tëra në radhë para furrës.

“Siç e shihni, mielli është prishur, ka plot insekte dhe erë të tmerrshme”, shpjegoi Fadia teksa heq një nga një insektet nga brumi. Nëna 44-vjeçare e nëntë fëmijëve thotë se uria e detyroi të bënte kompromise të paimagjinueshme. Djali i saj i madh u vra nga një sulm izraelit i janarit në Gazën veriore e burri i mbeti në veri. Për përkujdesjen e fëmijëve duhet të luftojë e vetme.

“Lufta më shtyri të bëjë gjëra se as që kisha menduar se do t’i bëja, vetëm për t’i ushqyer fëmijët”, thotë ajo.

Ani se fëmijët hezitojnë ta hanë bukën me miell të krimbur, Fadia mendon se kjo mënyrë është më e sigurt sesa pritja në radhë.

“U mundova të merrja bukë dy ditë më parë, por u ktheva e gjitha e mavijosur nga rrëmuja”, shpjegoi ajo, tek e vazhdon gatimin. “Jetë tragjike, e vështirë”.

Krahas kësaj, sigurimi i ushqimit i vë njerëzit në rrezik të vazhdueshëm nga sulmet izraelite. Për këtë arsye, Wadi thotë se e ka më të sigurt sëmundjen nga ushqimi i prishur.

“Këtë miell dikur ua hidhnim kafshëve, por tani i ushqej fëmijët me të, pa çarë kokën për rreziqet shëndetësore”, shtoi ajo. “Uria në çka s’të shtyn”.

Mielli është vetëm një prej produkteve në mungesë. Për t’i ushqyer fëmijët, Alaa al-Batniji i zgjedh në një tezgë tregu në Deir el-Balah ato pak perime që kanë mbetur.

“Çmimet janë të pabesueshme”, thotë 38-vjeçari. “Dikur blinim perime me kilogramë, tani me copë”.

Tregjet që dikur gumëzhinin nga blerësit, tani janë destinacione të paarritshme për shumicën e familjeve të zhvendosura, shkaku i çmimeve që u rritën pas fillimit të luftës.

“Përditë urojmë që situata të përmirësohet, por jo. S’e imagjinoja kurrë që do të shihja inflacion kaq ekstrem, kaq uri e vështirësi”, thotë Alaa, i zhvendosur nga lagjja Shujayea, në lindje të Gazës. “Bleva dy qepë sot për 6 sikla secila - 3 dollarë për vetëm dy qepë. Dikur mund të blija një kilogram për një sikël. Dy domate më kushtuan 10 sikla (2.80 dollarë) secila”.

Teksa çmimet e bëjnë të ndihet sikur është në Çikago a Paris”, Alaa i kualifikoi qepët e kripën si lukse. “Më vjen keq për njerëzit që i durojnë këto kushte të padurueshme. Jemi të dërrmuar”.