Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia, qyteti verilindor Kharkiv ka qenë nën bombardime të vazhdueshme. Edhe pse trupat ruse janë përpjekur dhe kanë dështuar ta pushojnë qytetin, por kanë qenë afër sa për t’i bombarduar ukrainasit me artileri. E muajin e kaluar presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se nuk e ka pasur në mend ta pushtonte Kharkivin. Gjithsesi banorët nuk janë kaq të sigurt, duke parë valën e madhe të sulmeve ajrore
Apartamenti numër 24 në rrugën “Liubovi Maloi” është një rrënojë e frikshme. Çatia dhe muret e jashtme janë zhdukur. Në një qoshe, një varg me kostume të varura në gardërobë. Kishte një televizor, një filxhan kafeje, një xhaketë ngjyrë kafeje nëpër kunj. Dhe një album me foto bardhezi të familjeve, të bëra në kohën e komunizmit.
Banoret e apartamentit - Svitlana Vlasenko dhe vajza e saj e madhe Polina, nuk do të kthehen më. Raketa rusa që ra në ndërtesën e tyre të premten, i ka vrarë ato dhe gjashtë nga fqinjët e tyre. Njëzet e gjashtë njerëz janë plagosur, dy prej tyre fëmijë.
Rruga në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, nuk ka qenë afër ndonjë objekti ushtarak. Ka qenë vend i qetë me lule, stola dhe zonë me rërë për fëmijët. Banorët i kanë nxjerrë qentë për shëtitje në pyllin me pisha, i cili gjithashtu është goditur nga sulmi më 31 maj nga pesë raketa S-300.
“Nuk duam të bëhemi pjesë e vendit të tyre”
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga presidenti Valdimir Putin, Kharkivi ka qenë nën bombardime të vazhdueshme. Trupat ruse janë përpjekur dhe kanë dështuar ta pushojnë qytetin. Ata janë tërhequr, por kanë qenë afër sa për t’i bombarduar ukrainasit me artileri. Në shtator të 2022-s, forcat ukrainase i kanë kthyer rusët në kufirin shtetëror. Më 10 maj të këtij viti, Kremlini ka nisur një ofensivë të re, duke e pushtuar qytetin Vovchansk, dhe duke e sulmuar fshatin kodrinor Lyptsi.
Në të njëjtën kohë, Moska i ka intensifikuar sulmet ajrore në Kharkiv, duke përdorur dronë dhe raketa. Marrja e qyteteve mbetet objektivë ruse. Për tani, Putini duket i vendosur për ta thyer rezistencën e 1 milionë banorëve, duke i shënjestruar me sulme të tmerrshme dhe vdekjeprurëse. “Ata duan ta bëjnë Kharkivin zonë të përhimët, prandaj nuk mund të punojmë, jetojmë ose të kënaqemi”, ka thënë Liliia Yakovleva, kontabiliste 27-vjeçare.
Yakovleva, jeton në anën tjetër të rrugës prej nga ka ndodhur sulmi. Ajo ka thënë se raketa e parë ia ka thyer xhamat dritares së fqinjit. E dyta, pas disa minutash, ka goditur numrin 24, ndërtesë private pesë-katëshe.
“Eksplodimi i ka hedhur trupat në tokë. Kam parë një që ishte në zjarr”, ka thënë ajo. “Për dy vjet mendon se lufta është afër, por se nuk të vret. E jeton jetën. Pastaj e kupton se lufta mund të vijë te ju në çdo kohë”.
Punonjësit e shpëtimit e kanë pastruar oborrin dhe e kanë larguar shumicën e mbeturinave të shpërthimit. Kanë lënë pas një makinë “Passat” të shkatërruar. Në pyllin afër, një raketë ka goditur pemët dhe i ka djegur. “Njerëzit vinin këtu, në perëndim të qytetit, sepse ishte jashtë zonës së goditjes. Tani Kharkivi nuk ka zona të sigurta. Gjithandej ka rrezik”, ka thënë Yakovleva. “Rusët duan që ne të punojmë për ta. Por, ne nuk duam të bëhemi pjesë e vendit të tyre”.
Guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov, ka thënë se numri i sulmeve është zvogëluar pasi administrata e Bidenit e ka lejuar përdorimin e disa armëve amerikane për të goditur objektiva ushtarake në Rusi. Më herët, rusët e kanë qëlluar Kharkivin nga pozicionet e rajonit të Belgorodit, pak përtej kufirit. “Ata qëllonin, fshiheshin dhe qëllonin përsëri”, ka thënë ai. “Gjatë ditëve të fundit ka pasur përmirësim”.
Forcat e armatosura të Ukrainës, kanë përdorur raketa amerikane “Himars” për të shkatërruar së paku një lëshues rus të raketave “S-300/S-400”, jashtë Belgorodit. Syniehubovi ka thënë se janë ndërmarrë veprime të tjera kundër logjistikës së armikut. “Nuk mund t’ju tregoj më shumë. Është informacion sekret”, ka thënë ai. Ai e ka pranuar se Kharkivi nuk ka sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, të cilat do ta lejonin qytetin t’i rrëzonte avionët luftarakë rusë që mbajnë bomba. “Ata janë akoma duke fluturuar”, ka thënë ai.
Muajin e kaluar Putini ka deklaruar se nuk e ka pasur në mend ta pushtonte Kharkivin, dhe vetëm sa ka dashur ta krijonte një “zonë sanitare” për ta mbrojtur Belgorodin. “Sigurisht që ata duan ta pushtojnë Kharkivin. Ata do të avancojnë nëse nuk ndalohen”, ka thënë Syniehubovi. Guvernatori ka thënë se ka pasur simpati për qytetarët që i kanë injoruar sirenat e shpeshta të sulmeve ajrore. “Nuk mund t’i kalosh 10 deri në 11 orë në ditë në një strehë”, ka thënë ai, duke vënë në dukje se situata ishte “stabilizuar”.
Ulja e numrit të sulmeve ka ardhur shumë vonë për Ruslan Burdovin, pronari 53-vjeçar i një resorti buzë liqenit në fshatin Cherkaska Lozova, afër Kharkivit. Më 19 maj, e diel, në ora 11, mysafirët kanë qenë duke pushuar në zonë. Papritur, rusët e kanë goditur vendin me një raketë “Iskander”. Shpërthimi ka prekur tarracën dhe disa shtëpi verore të drurit. Afër ka pasur varka me pedale, një saunë dhe një pishinë të thatë.
Gjashtë njerëz kanë vdekur. Njëra viktimë ka qenë grua shtatzënë. Burdovi ka thënë se djali i tij Artur, 21-vjeçar, i ka treguar për sulmin dhe ka vrapuar t’i ndihmonte të lënduarit. Njëzet minuta më vonë, një tjetër raketë “Iskander” e ka goditur zonën. Kjo e fundit ka qenë e planifikuar për t’i lënduar punonjësit e shpëtimit, që shkojnë për të ndihmuar. Shpërthimi i dytë ia ka shqyer Arturit gishtat dhe një pjesë të këmbës. E fejuara e tij, Sonia, është lënduar gjithashtu.
Burdovi ka thënë se ishte i hutuar, duke pyetur veten se pse Moska do ta shënjestronte resortin e tij. “E mbështes ushtrinë ukrainase. Por nuk ka ushtarë këtu”, ka thënë ai. “Më vjen shumë keq për njerëzit që vdiqën. Më vjen keq për mysafirët e mi”. Kur është pyetur se çfarë do të bënte tani, ai ka thënë: “Nuk kam plan. E kam lënë shpirtin në këtë vend. 16 vjet punë. Nëse nuk do e kisha djalin, do të vetëvritesha”. Para 2014-s – dhe aneksimit të Krimesë nga Putini – shumë nga vizitorët e tij kanë qenë rusë, ka thënë ai.
“S’ka vend ku nuk na bombardojnë”
Fundjavën e ardhshme, më 25 maj, Rusia ka lëshuar një raketë në një dyqan të madh dhe të mbushur. Rreth 200 blerës kanë qenë brenda supermarketit “Epicentr K” kur sulmi – më vdekjeprurësi në disa javë – ka goditur në ora 16:00. Kamerat e sigurisë i kanë incizuar dy shpërthime të mëdha. Ndërtesa është mbuluar nga tymi i dendur dhe flakët. Gjashtëmbëdhjetë njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 40 janë plagosur.
Javën e kaluar blloku ka qenë në rrënoja. Ekipet e shpëtimtarëve kanë mbledhur mbeturina nëpër grumbuj të mëdhenj. Një laraskë kërcente në pemët e oborrit. Në parkingun e makinave ndodhej një faltore me lodra pelushi dhe qirinj. Në të është përfshirë një fotografi e 12-vjeçares, Maria Myronenkos me nënën e saj, Iryna. Të dyja kanë vdekur. Babai i vajzës ka mbijetuar.
“S’ka vend ku nuk na bombardojnë”, ka thënë Herman Shevchenko, roje sigurie, duke e shikuar ish-vendin e punës të dëmtuar nga predhat. “Në vitin 2022, ata na godisnin me ‘Grads’ (raketa). Ne nuk kemi avionë F-16. Nëse do të kishim, ndoshta kjo do të ndalonte”. Dega “Epicentr” ndodhet në Saltivka, lagje veriore e qytetit që në vitin 2022, është granatuar pa pushim. Shumë banorë kanë kaluar muaj të tërë duke jetuar nën tokë në stacionin e metrosë.
Vetëm disa orë pas sulmit në “Epicentr”, Moska e ka goditur një ndërtesë tjetër. Shënjestra ka qenë degë e “Nova Poshtas”, kompani ukrainase e postës dhe dërgesave. Vladimir Alisultanov, 22-vjeçar, shankist, ka qenë në kafenenë “Sweeter”, 100 metra larg. “Ne u hodhëm në tokë. Nuk pashë raketë. Vetëm një dritë e kuqe”, ka thënë ai. Ai nuk është lënduar. “E kam parë një vajzë të dilte e mbuluar me gjak nga floktorja”, ka thënë ai.
Alisultanovi, refugjat nga qyteti i pushtuar jugor Berdiansk, ka treguar një video të incizuar menjëherë pas sulmit. Ka treguar skenën kaotike të pluhurit dhe rrënojave. “Ne jemi goditur këtu, afër punës sonë. “Jam i lumtur që dola i gjallë! Shiko, është e shkatërruar”, ka thënë ai. Një nga konsumatoret e tij ka shpëtuar për pak nga vdekja. Pas goditjes ajo ka dalë nga kafeneja. Disa sekonda më vonë një copë betoni ka rënë mbi tavolinën e saj.
Një nga sulmet më të zymta ka ndodhur në të njëjtën javë në “Factor Druk”, shtëpia më e madhe botuese e Ukrainës. Më 23 maj, Rusia ka goditur kompleksin me katër raketa “S-300”. Shtatë punonjës që po rregullonin librat janë vrarë. Pesë të tjerë janë djegur aq shumë saqë është dashur të identifikoheshin vetëm përmes testit të ADN-së. Më shumë se 50 mijë libra janë shkatërruar. “Rusët janë duke e fshirë historinë dhe kulturën tonë”, ka thënë drejtoresha e përgjithshme, “Tetiana Hryniuk”.
Statistikat nga zyra e kryebashkiakut të Kharkivit, tregojnë një pamje të zymtë. Vetëm në maj, ka pasur 76 raste të sulmeve dhe predhave, gati tri herë më shumë se në prill. Aty janë përfshirë 37 sulme nga bombat e lëshuara nga ajri, 25 nga raketat, 12 nga dronët kamikazë të tipit “Shahed”. Sirena për sulme ajrore ka rënë 193 herë dhe ka tingëlluar për 474 orë e 55 minuta.
Sipas të dhënave zyrtare dhe raportimeve nga mediat lokale, numri i të vdekurve mes 10 majit dhe 10 qershorit ka qenë 40. Rreth 186 të tjerë janë lënduar. Syniehubovi ka thënë se sulmi i drejtpërdrejtë në shtëpinë private në lagjen “Liubovi Maloi” Southgat, ka qenë mizor. “Ka pasur vetëm civilë atje. Na është dashur t’i identifikojmë disa viktima përmes testit të ADN-së”, ka thënë ai.
Pavarësisht sulmeve, ai ka thënë se është optimist për të ardhmen e Kharkivit. “Ne do të fitojmë. Mund ta shohësh vet, meqë ne jemi akoma këtu”, ka thënë ai.