Botë

Në Kenia mijëra njerëz po vdesin çdo vit nga kafshimet e gjarpërinjve, po mungojnë antihelmet

Gjarprinjë

Esther Kangali ndjeu një dhembje të mprehtë në këmbë ndërsa ishte në fermën e nënës së saj në lindje të Kenias. Ajo shikoi poshtë dhe pa një gjarpër të madh që po sillej rreth këmbës së saj të majtë. Ajo bërtiti dhe nëna e saj erdhi duke vrapuar.

Kangali u dërgua me nxitim në një qendër shëndetësore aty pranë, por mungonte antihelmi për të trajtuar nga kafshimi i gjarprit. Një spital në afërsi nuk kishte po ashtu këtë antihelm. Dy ditë më vonë ajo shkoi në një spital në kryeqytet, Najrobi, dhe u desh t’i amputohej këmba për shkak të trajtimit të vonuar. 

32-vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve, e di se ka mundur ta evitonte amputimin nëse klinikat në zonat ku kafshimet e gjarpërinjve janë të zakonshme do të ishin të pajisura me antihelm. 
Qarku Kitui, ku familja e Kangalit e ka fermën, është vendi i dytë në Kenia me numrin më të madh të viktimave nga kafshimi i gjarpërinjve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Vitin e kaluar rastet vjetore ishin afro 20 mijë. 

Në përgjithësi në Kenia rreth 4.000 viktima të kafshimit nga gjarpërinjtë vdesin çdo vit, ndërsa 7.000 të tjerë përjetojnë paralizë apo komplikime shëndetësore, sipas autoriteteve. 
Banorët druhen se problemi po rritet. Ndërsa pyjet rreth tyre po zvogëlohen shkaku i prerjeve dhe zgjerimit bujqësor, dhe ndërsa problemet klimatike po bëhen gjithnjë e më të paparashikueshme, gjarpërinjtë po shfaqen më shpesh rreth shtëpive. 

“Ne po shkaktojmë efekte negative në habitatet e tyre me shkatërrimin e pyjeve dhe përfundimisht po i kemi gjarpërinjtë që po hyjnë nëpër shtëpitë tona, kryesisht për të kërkuar ujë apo ushqim dhe kështu më pas kemi konflikt mes njerëzve dhe gjarpërinjve”, thotë Geoffrey Maranga, një herpetolog në Qendrën Keniane të Kërkimit dhe Ndërhyrjeve ndaj Kafshimit të Gjarpërinjve. 

Ndryshimet klimatike po ashtu mund t’i shtyjnë gjarpërinjtë drejt shtëpive, tha ai, pasi ata kërkojnë ujë në kohë të thata dhe strehim në lagështi. 

Maranga dhe kolegët e tij janë pjesë e një bashkëpunimi me Shkollën e Liverpoolit të Mjekësisë Tropikale për të krijuar trajtime efikase dhe të sigurta ndaj kafshimit të gjarpërinjve dhe përfundimisht për të prodhuar antihelme në nivel lokal. Qendra e Marangas llogarit se më tepër se gjysma e njerëzve në Kenia që kafshohen nga gjarpërinjtë nuk kërkojnë trajtim spitalor – duke e parë atë të kushtueshme dhe të vështirë për t’u gjetur – dhe ndjekin trajtime tradicionale. 

Kenia importon antihelm nga Meksika dhe India, por antihelmi është zakonisht specifik për rajone, që nënkupton se trajtimi në një rajon mund të mos jetë efikas për trajtim nga kafshimi i gjarpërinjve në rajonin tjetër. 

Pjesë e punës së Marangas dhe kolegut të tij Frederick Angotte është të nxjerrë helmin prej një nga gjarpërinjtë më të rrezikshëm të Afrikës, mamba e zezë. Helmi mund të ndihmojë në prodhimin e gjeneratës së ardhshme të antihelmeve. 

“Antihelmet e zakonshme janë mjaft të vjetra dhe kanë mangësi të ndryshme, siç janë efekte anësore”, ka thënë George Omondi, kreu i Qendrës të Kenisë për Hulumtim dhe Ndërhyrje për Kafshimin e gjarpërinjve. 

Studiuesit vlerësojnë se antihelmet konvencionale të përmirësuara do t’u duhet deri tre vjet për të arritur në treg. Ata vlerësojnë se Kenia do të ketë nevojë për rreth 100 mijë shishe në vit, por nuk është e qartë se sa do të prodhohen në vend. 

Hulumtimi synon të prodhojë antihelme më të përballueshme për kenianët. Edhe kur antihelmi është në dispozicion, kërkohen deri në 5 shishe, të cilat mund të arrijnë deri në 300 dollarë. 

Ndërkohë qendra hulumtuese bën gjithashtu kontakte në komunitete për të vetëdijesuar që të parandalohet kafshimi nga gjarpërinjtë. Trajnohen punonjësit shëndetësorë dhe të tjerët që të jetojnë në mënyrë të sigurt me gjarpërinjtë, ofrojnë ndihmën e parë dhe trajtojnë të prekurit nga kafshimi i gjarpërinjve. 

Qëllimi është që më pak kenianë të vuajnë si fqinji i Kangalit, Benjamin Munge, që vdiq në vitin 2020, katër ditë pas një kafshimi nga gjarpri, pasi spitali nuk kishte antihelm. 

Ka pak gjasa që gjarpërinjtë të largohen nga shtëpitë, tha nëna e Kangalit, Anna, kështu që zgjidhja e problemit varet nga njerëzit.