Botë

Në gjysmën e dytë të marsit, Kotzias sërish në Shkup për emrin e Maqedonisë

Në gjysmën e dytë të marsit shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias duhet të mbërrijë për vizitë zyrtare në Shkup, në takim me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ndërsa raund i ri për procesin e negociatave nën ndërmjetësimin e Methju Nimicit pritet të caktohet në fund të marsit ose fillim të prillit, paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev.

“Kemi paralajmërim se Kotzias do të mbërrijë në javën e tretë ose të katërt të marsit, dhe me ardhjen e tij për herë të parë në aeroportin e Shkupit do të mund të bëhen tentime për afrim të qëndrimeve, ndërsa procesi i negociatave do të vazhdojë nën drejtimi e ndërmjetësuesit Nimic”, tha Zaev pas takimit të mbrëmshëm me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoski, transmeton alsat-m.

Kryeministri Zaev pret që Kotzias në Shkup ta prezantojë projekt-versionin grek për zgjidhje të kontestit për emrin.

“Presim draft versionin e parë të vijë me ministrin Koxias, ashtu është dakorduar. Le të vijë, kemi të drejtë për komentet tona ose çfarëdo qoftë. Kjo mund të ndihmojë, por mundet që aspak edhe të mos shqyrtohet, mund të mos jetë edhe lëndë e bisedimeve. Megjithatë, nuk është i kotë çdo zhvillim i ideve të cilat do të ndodhnin, ndërsa do të ishin ndihmë që të shqyrtohen nga cilado palë nëse vijnë në tryezë”, tha Zaev.

Ai theksoi se e ka informuar kryetarin e VMRO-DPMNE-së Mickoski për hollësi në pjesën e bisedimeve me Greqinë dhe për qëllimet se si të rrjedhin proceset e negociatave, por edhe që të dyja palët mbeten në pozicionet e tyre.