Partia e ekstremit të djathtë e Marine le Pen ka shënuar fitore në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë, që u mbajtën të dielën. Ndonëse rezultati përfundimtar do të dihet pas rundit të dytë që zhvillohet më 7 korrik, partitë kryesore politike të Francës synojnë ta formojnë një front të përbashkët për ta mbajtur “Tubimin Kombëtar” të Le Penit larg pushtetit
Disa prej partive kryesore politike në Francë po synojnë ta formojnë një front të përbashkët për ta mbajtur “Tubimin Kombëtar” të Marine le Penit larg pushtetit edhe më tutje.
Partia e ekstremit të djathtë shënoi fitore historike, duke dalë e para në rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të Francës të dielën, treguan sondazhet.
Por shanset e partisë së saj për të marrë pushtetin javën e ardhshme do të varen edhe nga marrëveshjet politike të rivalëve të saj. Edhe në të kaluarën partitë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë janë bashkuar për të mbajtur “Tubimin Kombëtar” larg pushtetit.
Kandidati për kryeministër nga “Tubimit Kombëtar”, Jordan Bardella, tha se synon të ketë shumicë absolute për formimin e qeverisë pas rundit të dytë.
“Ambicia ime është një shumicë absolute. I bëj thirrje popullit francez të qëndrojë i mobilizuar dhe pa dyshim që synoj, mbi bazën e kësaj shumice absolute, të formoj një qeveri të unitetit kombëtar për të zbatuar projektin e rimëkëmbjes që i kam paraqitur vendit”, ka deklaruar Bardella.
Nëse ndodh kjo, do të krijonte një periudhë të tensionuar të “bashkëjetesës” me Macronin, i cili ka insistuar se do ta çojë deri në fund mandatin e tij të dytë presidencial – që përfundon më 2027 – pavarësisht se cila parti i fiton zgjedhjet.
Partia e Le Penit ka fituar rreth 34% të votave, treguan sondazhet nga Ipsos, Ifop, OpinionWay dhe Elabe, duke e lënë pas aleancën e krahut të majtë të Frontit të Ri Popullor që ka fituar mes 28.5 e 29.1 për qind të votave dhe aleancën centriste të presidentit fracez, Emmanuel Macron, që ka fituar mes 20.5 e 21.5 për qind të votave.
Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme pasi shënoi rezultate të dobëta në votimin për zgjedhjet evropiane.