Botë

Ndjekja e emigrantëve pa dokumente fillon që sot, paralajmëron drejtori i Imigracionit i SHBA-së

Donald Trump

Foto: Associated Press

"Cari kufitar" në administratën e re të Trumpit, Tom Homan, ka deklaruar të martën se bastisjet për të gjetur emigrantët pa dokumente, do të fillojnë që në ditën e dytë të presidencës. 

”Agjentët e imigracionit do të dalin sot në të gjithë Shtetet e Bashkuara për të arrestuar dhe deportuar emigrantë pa dokumente”, ka thënë Homan, në një intervistë të hënën vonë, raporton The Guardian.

”Zbatuesit e Emigracionit dhe Doganave (Ice) do të fillojnë të bëjnë punën e tyre dhe më shumë. Ata nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë punë për katër vjetët e fundit, dhe tani do të fillojnë të zbatojnë ligjin ashtu siç duhet”, ka thënë Homan për Fox Business Network.

Ai nuk ka pranuar të tregonte se ku do të ndodhnin bastisjet ose nëse do të synonin “qytetet e shenjta” që nuk bashkëpunojnë me autoritetet e emigracionit, por ka thënë se ato do të ndodhin në mbarë vendin.

Bastisjet do të pasojnë urdhrat ekzekutivë që Trumpi ka nënshkruar të hënën, në ditën e tij të parë si president, ku përfshihet edhe politika e vijës së ashpër që synon të parandalojë hyrjen e emigrantëve pa dokumente në vend.