Botë

Ndikimi i rrjeteve sociale në trazirat e Francës

Bisedimet midis qeverisë dhe platformave të mediave sociale, përfshirë Snapchatin dhe Twitterin, kanë filluar me qëllim për të përshpejtuar procesin për heqjen e përmbajtjes që nxit dhunën, ka bërë të ditur zyrtari nga presidenca. Qeveria franceze po bën gjithashtu presion për identifikimin e njerëzve që bëjnë thirrje për dhunë

Kompanitë e rrjeteve sociale edhe një herë kanë marrë vëmendjen, këtë herë në Francë, pasi presidenti i vendit fajësoi TikTokun, Snapchatin dhe platforma të tjera se kanë ndihmuar në nxitjen e trazirave që janë përhapur në krejt Francën pas vrasjes së 17-vjeçarit nga zyrtari policor.

Të premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, akuzoi mediat sociale se po luajnë “rol të konsiderueshëm” në inkurajimin e akteve të kopjuara të dhunës teksa vendi përpiqet të shtypë protestat që nxorën në sipërfaqe tensione të kamotshme mes policisë dhe të rinjve.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ka njoftuar se policia ka arrestuar më shumë se 1 mijë e 300 protestues deri të shtunën. Më shumë se 300 oficerë policie janë plagosur gjithashtu në përpjekje për të shuar trazirat për vdekjen e adoleshentit, i cili është me origjinë afrikano-veriore dhe është identifikuar vetëm me emrin e tij të parë, Nahel.

Macron, i cili së bashku dënoi videolojërat për trazirat, ka thënë se Qeveria franceze do të bashkëpunojë me rrjetet sociale për të hequr “përmbajtjen më të ndjeshme” dhe për të identifikuar përdoruesit që “bëjnë thirrje për trazira ose përkeqësojnë dhunën”.

Shqetësimi i Qeverisë

Një zyrtar francez, duke folur në kushte anonimiteti në përputhje me praktikat e presidencës, përmendi një shembull të emrit dhe adresës së oficerit të policisë që qëlloi mbi Nahelin, të publikuar në mediat sociale. Një oficer burgu gjithashtu e ka parë kartelën e tij të identifikimit nëpër internet, ka thënë zyrtari, duke sugjeruar se kjo mund të rrezikojë jetën dhe familjet e personave.

Gjatë fjalimit të tij të premten, Macroni nuk specifikoi se çfarë lloji të përmbajtjes e shihte si “të ndjeshme”, por ka thënë se priste “frymë përgjegjësie” nga platformat e rrjeteve sociale.

Bisedimet midis Qeverisë dhe platformave të mediave sociale, përfshirë Snapchatin dhe Twitterin, kanë filluar me qëllim për të përshpejtuar procesin për heqjen e përmbajtjes që nxit dhunën, ka bërë të ditur zyrtari nga presidenca. Qeveria franceze po bën gjithashtu presion për identifikimin e njerëzve që bëjnë thirrje për dhunë, por është ende në fazën e “diskutimit”.

Ministri Darmanin ka thënë se në një takim me përfaqësuesit e rrjeteve sociale kishte dhënë paralajmërim se rrjetet sociale nuk mund të lejojnë që të përdoren si kanale për thirrje për dhunë.

“Ata ishin shumë bashkëpunues”, ka thënë ai. “Do të shohim sonte nëse janë vërtet”.

Darmanin ka thënë të premten se autoritetet franceze do t'u ofrojnë kompanive të mediave sociale “sa më shumë informacion të jetë e mundur” në mënyrë që, në këmbim, të marrin identitetet e protestuesve që nxisin dhunën, duke shtuar se autoritetet do të “ndjekin çdo person që përdor këto rrjete sociale për të kryer akte të dhunshme”.

Ai gjithashtu ka thënë se vendi do të marrë “të gjitha masat e nevojshme nëse ndërgjegjësohemi se rrjetet sociale, kushdo qofshin ato, nuk respektojnë ligjin”.

Të drejtat franceze

Franca ka një ligj kundër ngacmimit kibernetik. Kërcënimet në internet për krime, si përdhunimi dhe vrasja, si dhe fyerjet në internet mund të ndiqen penalisht.

Por në realitet, ka ndodhur shumë rrallë.

Në vitin 2020, parlamenti i vendit miratoi projektligjin që do të detyronte platformat dhe motorët e kërkimit të heqin përmbajtjen e ndaluar brenda 24 orëve. Një vit më vonë, një gjykatë franceze dënoi 11 nga 13 personat e akuzuar për ngacmimin dhe kërcënimin e një adoleshenti që kritikoi ashpër islamin në një postim në internet. Por personat e akuzuar ishin vetëm ata që mund të gjurmoheshin.

Reagimi i rrjeteve sociale

Rachel Racusen, zëdhënëse për Snapchat, një nga platformat e mediave sociale që Macroni i ka fajësuar për kontributin në trazirat, ka thënë se që nga e marta, ajo ka rritur moderimin e rrjetit sociale për të zbuluar dhe vepruar ndaj përmbajtjeve që lidhen me trazirat në Francë.

“Dhuna ka pasoja shkatërruese dhe ne kemi zero tolerancë për përmbajtjen që promovon ose nxit urrejtje, ose sjellje të dhunshme në çdo pjesë të Snapchat”, ka thënë Racusen. “Ne e moderojmë në mënyrë proaktive këtë lloj përmbajtjeje dhe kur e gjejmë, e heqim dhe marrim veprimet e duhura. Ne lejojmë përmbajtjen që raporton me fakte mbi situatën”.

Por shumë rrjete të tjera sociale po heshtin. TikToku, si dhe Meta, që zotëron Facebookun dhe Instagramin, nuk kanë reaguar deri të shtunën. Twitteri ka kthyer përgjigje automatike, siç ka bërë për muaj të tërë që kur doli në pronësinë e miliarderit Elon Musk.

Përgjigjja tipike

Platformat e mediave sociale si TikTok, Snapchat dhe Twitter shpesh dënojnë dhe bllokojnë njerëzit që bëjnë thirrje për dhunë, sepse kjo mund të jetë në kundërshtim me politikat e tyre.

Por këto rrjete sociale gjithashtu heqin materialet e postuara në platformat e tyre në mënyrë që të jenë në përputhje me ligjet lokale dhe kërkesat e qeverisë, disa prej të cilave mund të jenë të diskutueshme. Një shembull i fundit ishte vendimi i Twitterit në maj për të censuruar fjalimin me urdhër të Qeverisë së Turqisë në krye të zgjedhjeve presidenciale të vendit.

Snapchat thotë në faqen e internetit se bashkëpunon me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe qeveritare për të përmbushur “kërkesat e vlefshme” për informacion që mund të ndihmojë gjatë hetimeve.

Kompania merr shumë kërkesa gjatë gjithë vitit. Raporti i saj i fundit i transparencës për gjysmën e dytë të 2022-tës tregoi se mori më shumë kërkesa nga Qeveria e SHBA-së, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Gjermania. Zyrtarët në Francë bënë 100 kërkesa urgjente për informacionin e përdoruesit që përfshin disa identifikues për llogaritë, si adresa e emailit dhe numri i telefonit. Kompania ka njoftuar se prodhoi “disa të dhëna” në 54 për qind të atyre kërkesave.

Gjatë së njëjtës periudhë, raporti i transparencës i TikTokut ka treguar se kishte shumë më pak kërkesa - nën 20 - nga Qeveria franceze. Rrjeti social hoqi ose kufizoi përmbajtjen - ose llogaritë - për 86 për qind të këtyre kërkesave.

Hany Farid, ekspert i mjekësisë ligjore digjitale në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, i cili dha dorëheqjen në janar nga këshilli këshillues i përmbajtjes i TikTok-ut në SHBA, ka thënë se nëse një qeveri kërkon që një pjesë specifike e përmbajtjes të hiqet, sepse ajo shkel ligjin vendas, shumica e platformave do të pajtohen.

Por ai ka shtuar se realizueshmëria e kërkesave varet edhe nga platforma, si dhe nga gjerësia dhe arsyetimi i kërkesës. Nëse një qeveri “kërkon heqje të gjerë të dhjetëra mijëra pjesëve të përmbajtjes, atëherë kjo mund të përballet me më shumë rezistencë”, ka thënë Farid.

Emma Llansó, drejtoreshë e Projektit të Shprehjes së Lirë të Qendrës për Demokraci dhe Teknologji, ka thënë se megjithëse është e përshtatshme që shërbimet online të heqin fjalimin që në mënyrë legjitime nxit dhunën, ata duhet të trajtojnë me kujdes, veçanërisht në kërkesat që mund të jenë gjithëpërfshirëse dhe tepër të gjera.

Gjatë debatit të pasionuar politik dhe protestave publike, Llansó ka thënë se njerëzit mund të përdorin një gjuhë shumë të ashpër ose “të përdorin aludime për dhunën” pa pasur ndonjë qëllim për të nxitur ose kryer akte të dhunshme.

“Ajo që të rinjtë në Francë po bëjnë tani është protesta kundër dhunës shtetërore, e cila është një lloj aktiviteti politik vendimtar”, ka thënë Llansó. “Dhe kështu, mënyra se si reagojnë kompanitë e mediave sociale në këtë moment është me të vërtetë ndikuese që njerëzit të jenë në gjendje të gjejnë zërin e tyre politik. Është një vijë tepër e vështirë për të ecur.”

Përktheu: Gent Mehmeti