Botë

Ndikimi i premtimeve të Trumpit për mbyllje kufiri dhe dëbime masive

Presidenti i ri, Donald Trump Foto: AP

Presidenti i ri, Donald Trump Foto: AP

Gjatë fushatës zgjedhore Donald Trump u zotua ta mbyllte kufirin me mur të lartë. Ai ka premtuar gjithashtu dëbimin më të madh ndonjëherë të imigrantëve pa dokumente që ka ndodhur në SHBA. Ekspertët kanë thënë se nëse ndodh kjo do të përballet me sfida ligjore. Prapëseprapë, pas fitores së tij, shqetësimet janë rritur. Të prekurit kanë nisur të ndërmarrin veprime për t’i mbrojtur imigrantët dhe familjet e tyre nga ndarja dhe dëbimi, para se Trumpi të vijë në detyrë

Imigrantët, punëdhënësit dhe grupet që punojnë me ta veçse kanë filluar të ndërmarrin masa para mandatit të dytë të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, gjatë së cilit ka premtuar se do të dëbojë miliona njerëz.

Disa janë të frikësuar se si administrata e re mund të ndikojë në familjet e tyre, teksa të tjerët janë plot shpresa se planet – nëse materializohen – do t’i bëjnë gjërat më të mira.

Aleatët e Trumpit janë duke i diskutuar opsionet e dëbimit dhe dënimit, ndërsa trajtimi i kufirit SHBA-Meksikë shihet si prioritet që nga dita e parë e Trumpit në detyrë. Dhe dëbimi i imigrantëve pa dokumente që kanë kryer krime, me gjasë do të jetë fokus i hershëm, ka thënë një burim me njohuri në planet preliminare të ekipit.

Por avokuesit frikësohen se planet e dëbimit së shpejti do të arrijnë në thellësi të komuniteteve amerikane, duke shënjestruar njerëz që ata thonë se e kanë të drejtën të jetojnë në SHBA.

Lidhja e Qytetarëve të Bashkuar të Amerikës Latine (LULAC), organizata më e vjetër e të drejtave civile hispanike në SHBA, po siguron para dhe avokatë për t’i luftuar ato që quhen politika të mundshme  “të mbrapshta, keqdashëse, mizore dhe të pamëshirshme”.

“Mos bëni gabime, dëbimet masive do t’i dëmtojnë milionat e shënjestruar nga Donald Trumpi, familjet dhe komunitetet ku bëjnë pjesë – dhe çdo person tjetër në vendin tonë. Ata do t’i largojnë prindërit nga fëmijët, do të shkatërrojnë biznese dhe mënyra të sigurimit të jetës, si dhe do ta shkatërrojnë qendrën e vendit dhe ekonomisë sonë”, ka thënë Juan Proaño, drejtor ekzekutiv i LULAC-ut.

Një avokat me Unionin Amerikan të Lirive Civile (ACLU) thotë se po planifikimi i organizatës për sfidat legale veçse është i avancuar mirë.

“Ne kemi qenë duke u përgatitur për mandatin e dytë të Trumpi për gati një vit, me fokusin në politikat më drakoniane, duke e përfshirë kërcënimin e përdorimit të ushtrisë për dëbim, e cila veçse është ilegale”, ka thënë Lee Gelernt, avokat i ACLU-së, i cili i ka argumentuar shumë nga çështjet e profilit të lartë gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Qendra Kombëtare e Drejtësisë për Imigrantët ka thënë se avokatët e saj janë gati gjithashtu.

“Ne do ta vazhdojmë punën për sigurimin e përfaqësimit shumë të rëndësishëm ligjor për imigrantët dhe refugjatët, duke luftuar për t’i mbajtur familjet e bashkuara, duke e mbrojtur qasjen në azil dhe duke avokuar për fundin e ndalimeve arbitrare dhe dëbimin e paligjshëm”, ka thënë në një deklaratë drejtorja ekzekutive e qendrës, Mary Meg McCarthy.

“Çfarë ndodh tani?”

Cesar Espinosa, lider i komunitetit hispanik të Houstonit, ka thënë se ka marrë shumë mesazhe dhe thirrje nga njerëz të shqetësuar, që nga fitorja e Trumpit të mërkurën.

“Ne kemi parë ndjenjë të pasigurisë në mesin e shumë njerëzve. Shumë njerëz po pyesin, ‘Çfarë do të ndodhë tani? Çfarë do të bëjmë”, ka thënë ai.

Ka të ashtuquajtura familje me statuse të përziera, të përbëra nga qytetarët amerikanë dhe imigrantët pa dokumente. Dhe frika është se imigrantë pa dokumente do të shënjestrohen menjëherë, ka thënë Espinosa, i cili ka “kartën e gjelbër”.

Ai thotë se është përpjekur t’i qetësojë shqetësimet, duke thënë se dëbimet masive, sidomos të jokriminelëve, do të marrin kohë. Ndërkohë ai numëron minutat deri në kohën kur mund të aplikojë për shtetësinë amerikane. Është akoma dy vjet larg.

Espinosa ka thënë se krenaria e fortë në mesin e burrave latinë ka kontribuuar në mbështetje për Trumpin.

“Fatkeqësisht shumë njerëz nga komuniteti latin kanë sjellë retorikën antiimigrante, madje edhe vetë imigrantët”, ka thënë ai.

Mbështetja e Jorge Rivasit për Trumpin është e qartë. Ai ka përfshirë një hamburger MAGA (Make America Great Again) në menynë e restorantit që ka me gruan e tij Betty, Sammy’s Mexican Grill, në Catalina të Arizonas.

Rivas, i lindur në El Salvador, ka fituar azilin në moshën 17-vjeçare. Ai sheh pak lidhje mes jetës së tij si imigrant dhe atyre që janë në majë të listës potenciale të dëbimit së Trumpit.

“Nëse i lejojnë brenda vendit qindra ose mijëra njerëz që veçse kanë dosje kriminale, e nëse dëbimi i tyre krijon dëbim masiv, jam për të ndodhur kjo gjë”, ka thënë ai.

Ai nuk mendon se kjo politikë do t’i prekë punëtorët që ndjekin ligjin.

“Kjo nuk do të ishte e drejtë”, ka thënë ai. “Ata duhet të sigurohen se nuk i largojnë ose i dëbojnë njerëzit që janë të orientuar kah familja”, ka shtuar Rivas.

Mst: Mobilizimi i avokuesve

Në Kaliforni, ku fermerët varen nga puna e imigrantëve, ka pasur thirrje te reja që reformat e imigrimit t’i lejojnë njerëzit në SHBA për punë të përkohshme në bujqësi. Gjithashtu ka pasur thirrje për statusin legal të fuqisë aktuale punëtore.

“Ne duhet të fokusohemi në lehtësimin e mungesës së madhe të punëtorëve në fermat bujqësore e blegtore të Kalifornisë dhe zvogëlimin e barrierës së punësimit”, ka thënë presidenti i Byrosë së Fermave të Kalifornisë, Shannon Douglass, në një deklaratë.

Imigrantët azilkërkues, pasi kaluan kufirin SHBA-Meksikë Foto: CNN

Në zemrën urbane të qytetit të New Yorkut, ku mijëra imigrantë dhe azilkërkues u kanë nxjerrë telashe shërbimeve lokale, disa shtëpi kulti po përgatiten t’i ndryshojnë misionet e tyre. 

“Besimi i komunitetit është mobilizuar për më shumë se dy vjet e gjysmë si emergjencë”, ka thënë Chloe Breyer, drejtore ekzekutive e Qendrës Ndërfetare të New Yorkut, agjenci jofitimprurëse. “Sfida nuk ka qenë dëbimi, siç është tani, sfida ishin ushqimi, strehimi dhe mirëpritja e një numri të madh të njerëzve”.

Ajo ka thënë se ka pasur thirrje çdo dy javë nga rreth 60 kisha, xhami dhe sinagoga të përfshira në mirëpritjen e imigrantëve që mund të konvertoheshin. 

“Ky është rrjeti që do të mobilizohet kur bëhet fjalë për ta luftuar çdo lloj mase më ekstreme, siç është dëbimi”.

Një ditë pas zgjedhjeve zyrtarët e qytetit të New Yorkut kanë thënë se frika ka dalë në pah, kur kanë adresuar imigrimin dhe si do të punonin me administratën e ardhshme të Trumpit.

Qyteti ka ligje mbrojtjes që i parandalojnë autoritetet lokale nga kontaktimi i oficerëve federalë të imigrimit, nëse bien ndesh me një imigrant që nuk ka leje të qëndrojë në SHBA. Disa në administratën e kryebashkiakut Eric Adams kanë thënë se duan që ligjet në fuqi të mos i përfshijnë personat që kryejnë krime të rënda, porse për tani çdo bashkëpunim federal është i limituar.

“Ne po punojmë me të gjitha agjencitë që janë në kontakt me komunitetet e imigrantëve, për t’u siguruar që e kuptojnë se çfarë janë ligjet tona të mbrojtjes dhe se çfarë pritet të ndjekin”, ka thënë Manuel Castro, komisioner i kryebashkiakut për çështjet e imigrantëve. Edhe pse ligjet janë në fuqi, ka thënë ai, ankthi dhe frika për komunitetet e imigrantëve janë të rrënjosura nga keqinformimi dhe madje edhe krimet e urrejtjes.

Por Murad Awawdeh, president i Koalicionit të Imigrimit i New Yorkut, ka paralajmëruar se ligjet e mbrojtjes nuk do t’i ndalojnë agjencitë federale të imigrimit për të bërë çfarë duan.

“Ligjet e mbrojtjes nuk i ndalojnë agjencitë federale. Ata vetëm nuk i lejojnë qytetet dhe shtetet të marrin pjesë”, ka thënë Awawdeh. “Ata kurrë nuk kanë qenë muri parandalues”.

Mst: Zbatimi federal

Zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së dhe Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave të SHBA-së, dy agjenci nën Departamentin e Sigurisë Kombëtare, nuk po komentojnë rreth ndonjë politike apo përgatitjeje të re të mundshme. Të dyja do të ishin vendimtare kryesore për çdo plan të dëbimit, por udhëheqja e lartë nuk do të ndryshojë derisa administrata e dytë e Donald Trumpit ta fillojë punën më 20 janar 2025.

Si në kufirin verior ashtu edhe në atë jugor, arrestimet e atyre që kanë kaluar ilegalisht vazhdojnë të jenë të ulëta në vitin 2024, me një mesatare shtatëditore prej 1700 imigrantësh në ditë, sipas një burimi ligjzbatues, me njohuri në të dhënat e qeverisë. Sektori më i ngarkuar ishte San Diego, me 350 persona të arrestuar të martën.

Në disa pika kufitare në dhjetor të vitit 2023, ndalimet e imigrantëve e kanë kaluar shifrën 10 mijë në ditë, në kufirin jugor të SHBA-së.

Një ditë pas zgjedhjeve, Jim Desmond, anëtar i Bordit të Mbikëqyrësve të Qarkut San Diego, ka postuar një fotografi të vetes dhe zëvendëspresidentit të ardhshëm, JD Vance në murin kufitar, duke shkruar se ishte i gatshëm ta sigurojë atë. Më herët këtë vit, Desmondi ka dëshmuar para Kongresit se politikat federale kanë nënkuptuar se “patrulla jonë kufitare është reduktuar në agjentë përpunues, duke qëndruar aty, e duke i parë njerëzit duke i shkelur ligjet tona”.

Kenia Zamarripa, nga Dhoma Rajonale e Tregtisë e San Diegos, ka thënë se shumë biznese lokale kanë lidhje ndërkufitare me kompani, operacione dhe punëtorë, e se një kufi efikas dhe i sigurt akoma duhet ta bëjë të mundur tregtinë dhe udhëtimin.

“Nuk është vetëm prodhimi, nuk është vetëm turizmi apo shitja me pakicë, këto janë punë me pagesë të lartë dhe punëtorë të kualifikuar, për të cilët bizneset tona kanë nevojë për të lulëzuar”, ka thënë ajo.

Toni ishte më rezistues në Los Angeles, ku Universiteti i Kalifornisë Jugore ka vlerësuar vitin e kaluar se kishte më shumë se 800 mijë imigrantë pa dokumente në qarkun e LA.

“Komuniteti i imigrantëve është zemra e qytetit tonë dhe përballë kërcënimeve dhe frikës, Los Angelesi do të qëndrojë i bashkuar. Askush nuk duhet të jetojë me frikë për shkak të statusit të tij të imigrantit. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim politikat lokale dhe shtetërore që i mbrojnë imigrantët dhe ofrojnë burime jetike”, ka thënë kryebashkiakja e Los Angelesit, Karen Bass.

“Mesazhi im është i thjeshtë: Pavarësisht se ku jeton, si ke ardhur në këtë vend, Los Angelesit do të qëndrojë me ju dhe kjo nuk do të ndryshojë”, ka shtuar Bassi.

Përtej kufirit nga San Diego në Tijuana të Meksikës, rreth 3400 njerëz janë duke pritur në strehimore të imigrantëve, sipas Jose Luis Perez Canchola, drejtor i punëve të imigrimit i qytetit.

Shumë po shpresojnë të futen në SHBA legalisht, duke përdorur aplikacionin CBP ONE, të udhëhequr nga DHS-ja, për ta fituar një termin të imigracionit, por janë rritur shqetësimet se aplikacioni mund të ndikohet, ka thënë ajo.

“Në rast të anulimit masiv të terminëve dhe mbylljes së CBP ONE, ajo çka mund të ndodhë është që shumë do të vendosin ta kalojnë ilegalisht kufirin përpara janarit të 2025-s”, ka thënë Perez Canchola.
Ekziston gjithashtu shqetësimi në Piedras Negras, qytet meksikan përtej Rio Grandes nga Eagle Pass, Teksas. “Ka frikë dhe druajtje”, ka thënë motra Isabel Turcios, drejtore e strehës Frontera Digna, ku imigrantët gjithashtu po përdornin CBP ONE për të fituar një termin me një oficer imigracioni.

“Mundohem t’i qetësoj, sepse ankthi që po ndiejnë është i madh”, ka thënë ajo.