Ka prova të shumta që nxehtësia është e dëmshme për gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre të palindura. Çfarë mund të bëhet për t’i mbrojtur ato?
Edrisa Sinjanka është i pasionuar pas punës së tij si mami në Keneba, fshat rural në Gambi, Afrikë Perëndimore.
“E dua shumë punën time, më pëlqen t’iu ndihmoj grave shtatzëna gjatë lindjes”, thotë ai.
Por kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Kohëve të fundit gratë shkojnë të Sinjanka të dehidratuara, me buzë të thara dhe duke u ankuar për kokëdhembje. Shtatzënia është e lodhshme dhe disa gra janë shumë të dobëta për të shtyrë gjatë procesit të lindjes. Ai është duke vërejtur edhe raste të tjera shqetësuese.
“Ndonjëherë ke gra që lindin fëmijë të vdekur dhe pyet veten: çfarë po ndodh? Pse janë duke pasur gratë shtatzëna probleme të tilla?”
Mendimi i Sinjankas është se temperaturat e larta të Gambisë luajnë rol në këto tragjedi. Ai e ka vërejtur se pacientet e tij, shumica punonjëse të fushave që kalojnë orë të tëra çdo ditë nën diellin përvëlues, kanë simptoma më të rënda të problemeve të shkaktuara nga nxehtësia gjatë shtatzënisë, sesa ato që punojnë nëpër zyra, larg diellit.
Është shqetësim që e ka shtyrë Sinjankan t’i bashkohet projektit vendor të kërkimit në vitit 2019, si koordinator në terren në Keneba. I udhëhequr nga Ana Bonell, akademike klinike nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM) me bazë në Njësinë e saj të Kërkimeve Mjekësore në Gambia, projekti ka synuar të kuptonte se si nxehtësia e lartë ndikon në fiziologjinë e grave shtatzëna që punojnë si fermere dhe çfarë ndikimi ka kjo te fëmijët e tyre të palindur.
“Fermeret shpesh mungojnë nëpër studimet e ndikimit të nxehtësisë në punë, megjithatë sigurojnë ushqim për miliona. Dhe me ndryshimet klimatike, ato janë shumë të cenueshme”, thotë Bonelli.
Për studimin, 92 fermere shtatzëna brenda dhe përreth Kenebës janë ekzaminuar për shenja të stresit të shkaktuar nga nxehtësia çdo dy muaj, ndërsa vazhdojnë punët e tyre ditore. Çka ka zbuluar Bonelli ka qenë e rëndësishme: Për çdo rritje të temperaturës për 1 gradë celsius, stresi i fetusit – i treguar nga rrahjet e shpejtuara të zemrës dhe ulja e qarkullimit të gjakut në placentë – është rritur për 17 për qind. Një e treta e nënave kanë përjetuar simptoma të tilla.
Në Gambi, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 45 gradë celsius dhe janë rritur për 1 gradë celsius mbi mesatare gjatë gjashtëdhjetë vjetëve të fundit, kjo përbën rrezik potencial të rëndësishëm. Temperaturat e tilla ekstreme janë duke ndodhur globalisht, më 2023-n si viti më i nxehtë në rekord – edhe pse provat e kohëve të fundit sugjerojnë se ka rreth 95 për qind shans se 2024-ta do t’ia kalojë. Nxehtësia e lartë mund ta rrezikojë shëndetin e njerëzve, sidomos të fëmijëve të vegjël, të moshuarve dhe personave me probleme kronike të shëndetit. Por deri kohëve të fundit një grup ka qenë i anashkaluar: gratë shtatzëna.
Gjatë shtatzënisë ndryshimet hormonale dhe sipërfaqja e zgjeruar e lëkurës e rrisin ekspozimin ndaj nxehtësisë. Përveç parehatisë, ka prova se nxehtësia ekstreme mund të ketë ndikime të dëmshme si për nënën ashtu edhe për foshnjën e saj të palindur, duke filluar nga hipertensioni e deri te lindja e fëmijës së vdekur.
Gati një dekadë më parë publikimet në fillim “kanë sugjeruar se gratë shtatzëna mund të jenë në rrezik gjatë valëve të nxehtësisë”, thotë Kristie Ebi, epidemiologe në Universitetin e Washingtonit në Seattle, e cila po studion ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut për 25 vjet. “Dhe së fundmi ka pasur përshpejtim në studim”.
Prapëseprapë, realiteti është se mbështetja praktike për gratë shtatzëna që përballen me nxehtësi ekstreme është akoma minimale sot. Shumë kombe, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nuk u referohen në mënyrë specifike grave shtatzëna në udhëzimet e tyre publike për nxehtësinë. Sipas organizatës joqeveritare amerikane “Human Rights Watch”, në gusht të vitit 2020, uebfaqet zyrtare të sigurisë nga nxehtësia nga SHBA-ja kishin më shumë gjasa të përmendnin kafshët shtëpiake në udhëzimet e tyre. Fondi i Popullsisë i OKB-së – agjenci e OKB-së për shëndetin seksual dhe riprodhues – ka gjetur në një raport se vetëm 20 për qind e 119 vendeve që kanë bërë zotime për ndryshimet klimatike i përmendin shëndetin e nënës dhe të fetusit në planet e tyre.
Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten, pyetja që kjo ngre është: sa shpejt mund të kalojë kërkimi në veprim, për t’i mbrojtur gratë shtatzëna dhe popullatat e tjera të cenueshme nga nxehtësia ekstreme?
Provat e shumta
Nathaniel DeNicola, ekspert i shëndetit mjedisor në institutin e shëndetësisë “Johns Hopkin” në Washington, thotë se provat që kanë janë të forta. Studimet e kanë lidhur ekspozimin ndaj nxehtësisë së rritur gjatë shtatzënisë me rrezik më të madh ndaj hipertensionit dhe preeclampsias, komplikim që mund të jetë fatal. Shtatzënat e prekura nga nxehtësia kanë gjithashtu gjasa të preken nga problemet kardiake ndërsa data e lindjes afrohet dhe kanë gjasa më të larta t’u zhvillohet diabeti gestacional, që diagnostikohet gjatë shtatzënisë.
“Ka shumë arsye të besohet se lidhjet që po shohim mes nxehtësisë ekstreme dhe rezultateve janë të lidhura mes vete. Nuk është lidhje dosido, por ka lidhje biologjike mes tyre”, thotë DeNicola.
DeNicola thekson ndikimet negative të nxehtësisë në rezultatet e lindjes. Në një rishikim të vitit 2020 të 68 studimeve të bëra mes viteve 2007 dhe 2019, që së bashku kanë analizuar 32.7 milionë lindje në SHBA, DeNicola dhe bashkautorët kanë gjetur lidhjen mes nxehtësisë ekstreme dhe kontraktimeve të parakohshme, si dhe lindjeve të parakohshme.
Për më tepër, ekspozimi ndaj nxehtësisë është lidhur me shkallën e lartë të abortit dhe lindjes së fëmijëve të vdekur. Në një studim që ka ekzaminuar mbi 140 mijë lindje të vdekura në SHBA, studiuesit kanë gjetur rritjen prej 10 për qind në rrezikun e lindjes së vdekur për çdo rritje të temperaturës prej 1 gradë celsius mbi mesataren.
“Por pyetja është dhe çfarë pastaj?” thotë Skye Wheeler, studiues i lartë në organizatën “Human Rights Watch”. “Jemi duke e parë shkencën pas kësaj, por kjo nuk është e mjaftueshme. Çfarë hapash do të marrim për këtë?”
Kombinimi i kërkimit me veprimin
Kjo është pyetja e Gloria Maimelas, e cila udhëheq grupin e klimës dhe shëndetit në Institutin e HIV-it për Shëndetin Riprodhues në Universitetin e Witwatersrand në Afrikën e Jugut, vend ku periudhat me nxehtësi ekstreme janë lidhur me rritjen e mortalitetit.
“Kemi kaluar shumë kohë duke përshkruar problemin. Tani urgjentisht kemi nevojë të kalojmë në studime për ndërhyrje”, thotë ajo.
Maimela për momentin është duke drejtuar dy projekte kërkimore në Afrikën e Jugut, që janë duke testuar suksesin e disa ndërhyrjeve për uljen e rrezikut nga nxehtësia në jetën e grave shtatzëna. Njëri për të cilin ajo është e entuziazmuar është e bazuar në qytetin verior Tshwane: këtu, dhjetëra gra shtatzëna dhe në fazat pas shtatzënisë do të pajisen me kamera për t’i incizuar eksperiencat e nxehtësisë. Ato gjithashtu do të pyeten për atë që “mendojnë se është e arsyeshme për sa u përket mesazheve; çfarë këshillash do të shihnin si të pranueshme për ta mbrojtur veten dhe foshnjën e tyre të palindur”, thotë ajo.
Këto dëshmi do të vendosen në paralajmërimet e hershme për valët e nxehtësisë që janë të bëra për gratë shtatzëna, të cilat gjithashtu do të përfshijnë udhëzime se si të përballen me motin e nxehtë, shpjegon Maimela. "Duam të jemi në gjendje t’iu themi, ju lutemi vini re se tani jeni të ekspozuara ndaj nxehtësisë ekstreme dhe se këta janë hapat që duhet të ndërmerrni për ta mbrojtur veten", thotë ajo.
Edhe pse ka akoma shumë hapësira në atë që ne e dimë për ndikimin e nxehtësisë në shtatzëni, mund të fillojmë të ndërmarrim hapa duke përdorur provat që veç i kemi, thotë DeNicola. “Dimë mjaftueshëm për të konsultuar, për të vepruar dhe për të dhënë madje edhe disa përshtatje personale”, - si mënjanimi i punës në natyrë gjatë pikës më të nxehtë dhe hidratimit, shton ai. “Është vetëm çështje që ai mesazh të kalojë”.
Nuk është gjithmonë kaq e lehtë në kontekstet si në Kenian rurale, ku studiuesit janë duke drejtuar një projekt nën shoqatën e LSHTM-së për Klimën, Nxehtësinë dhe Shëndetin e Nënës dhe atë Paslindjes në Afrikë (CHAMNHA), për t’i kapërcyer, ndër të tjera, sjelljet e rrënjosura që e rrisin ekspozimin e grave ndaj nxehtësisë.
Në qarkun Kilifi të prekur nga nxehtësia, gratë bëjnë punë të vështira në ambiente të jashtme për jetesë, deri kur vjen koha për të lindur dhe menjëherë pas lindjes, ndërsa veshin rroba të shumta gjatë shtatzënisë: “Është mit kulturor që nëse e tregoni shtatzëninë tuaj do ta humbni fëmijën, kështu që ato përpiqen ta fshehin atë”, thotë Adelaide Lusambili, shkencëtare hulumtuese në Universitetin Aga Khan në Najrobi. Këtu “nxehtësia është normalizuar”, thotë ajo. E shoqëruar me rritjen e temperaturave, ekziston shqetësimi se kjo është recetë për stresin nga nxehtësia.
Por në një pilotprojekt të nisur në vitin 2022, Lusambili dhe kolegët e saj kanë nisur një program ndërgjegjësimi publik në klinika për t’i edukuar nënat shtatzëna mbi rreziqet e të nxehtit dhe hapat që mund të ndërmarrin për t’i mbajtur veten dhe foshnjat e tyre të freskëta gjatë vapës. Këto kanë përfshirë kufizimin e punëve në ambiente të jashtme deri në orët më të freskëta të ditës, veshjen e më pak shtresave dhe zierjen dhe pirjen e shumtë të ujit. Studiuesit kanë shënjestruar gjithashtu anëtarë të tjerë të komunitetit, me shpresën se do ta nxisin mbështetjen nga bashkëshortët dhe vjehrrat për t’i ndihmuar në punët e shtëpisë.
Drejt praktikës dhe politikës
Gratë shtatzëna janë veçanërisht të rrezikuara nga nxehtësia e madhe në pjesë të ndryshme të Afrikës, që janë ngrohur më shpejt sesa mesatarja globale gjatë 60 vjetëve të fundit – trend që pritet të vazhdojë.
Megjithatë, edhe në vendet e pasura në rajone me temperatura të buta ka mospërputhje të mëdha në cenueshmërinë ndaj nxehtësisë, të cilat po i lënë disa gra të ekspozuara ndaj rrezikut. Kjo është arsyeja pse Wheeleri beson se politikëbërësit duhet ta shikojnë çështjen "nëpërmjet syrit të drejtësisë riprodhuese" - jo vetëm si problem për të gjitha shtatzënat, por veçanërisht për ato që janë të varfra dhe të prekura nga racizmi.
Për këtë qëllim, “Human Rights Watch” po bashkëpunon me “doulas”, profesionistë jomjekësorë që ofrojnë udhëzime, të cilët do t’i informojnë shtatzënat me të ardhura të ulëta se si të ruhen nga nxehtësia në Miami-Dade, Florida. “Jemi si pika zero kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike dhe për këto çështje", thotë Esther McCant, këshilluese për kujdesin e nënës dhe themeluese e “Metro Mommy Agency”, ofrues i shërbimeve “doula”.
Në Florida temperaturat rregullisht arrijnë 35 gradë celsius dhe në shtëpitë pa kontroll të klimës kjo mund të jetë e rrezikshme. "Familjeve të cilave u shërbejmë, shpeshherë kanë probleme me pagesën për mirëmbajtje shtesë për sistemin e klimës, nëse e kanë", thotë McCanti. Kompania e saj do të integrojë ndërgjegjësimin për nxehtësinë në trajnime të cilat do të përfshijnë mbi 90 “doula” në Florida, Gjeorgji dhe Hawaii në vitin 2024 dhe më tej, çka përfshin ndarjen e informacionit praktik dhe mbështetjen me klientët.
Kjo lloj mbështetjeje financiare dhe infrastrukturore është e rëndësishme, thotë Wheeleri. Disa vende janë në drejtimin e duhur, shton ajo, si shteti Andhra Pradesh i Indisë, i cili nxehet shumë gjatë verës. Që nga viti 2019, ai ka ofruar udhëzime për nxehtësinë për gratë shtatzëna, pika për hidratim në transportet publike, ujin e pijshëm në hapësirat publike dhe madje edhe kompensimin për vdekjet e lidhura me nxehtësinë.
Ndërkohë Bonelli dhe Maimela janë të përfshirë në kërkime që mund t’i nxisin politikëbërësit për të ndërmarrë hapa të ngjashëm praktikë. Në një projekt të ri shumëvjeçar me bazë në qytetet pakistaneze të Karaçit dhe Matiarit, Bonelli po punon me planifikuesit urbanë dhe arkitektët për të projektuar pika të ftohjes së komunitetit dhe banesa me ventilim natyral për t’ua lehtësuar barrën e nxehtësisë nënave shtatzëna. Maimela po heton rolin që mund të luajnë subvencionet në para për familjet e varfra për mbështetjen e grave shtatzëna që t’i përshtaten nxehtësisë.
Nga ana e saj Bonelli po vazhdon të mbledhë prova se si nxehtësia ekstreme po prek gratë shtatzëna dhe foshnjat e tyre të palindura. Më pas ajo do të punojë me më shumë se 700 gra shtatzëna nga Gambia për të hetuar nëse ka ndryshime epigjenetike ndaj ndryshimit të temperaturave gjatë tremujorëve të ndryshëm të shtatzënisë. Ajo dhe ekipi i saj do të marrin gjithashtu mostra të placentës dhe do të kryejnë teste të sjelljes së neuroneve te të porsalindurit, për t’i studiuar më tej efektet e dëmshme dhe të mundshme të nxehtësisë në zhvillimin e fetusit dhe në jetën e të porsalindurve.
Ndërsa këto prova grumbullohen, Sinjanka bën çmos për t'ua siguruar grave të Kenebës një lindje të rehatshme dhe mbështetëse. “Gjithmonë dua t’i shoh me buzëqeshje në fund të udhëtimit”, thotë ai. Në fund të fundit, ai beson se është kërkimi, i lidhur me veprimin, që do ta bëjë këtë për pacientët e tij.