Botë

Ndihma e “heshtur” izraelite për Azerbajxhanin

Vendimi për të mbështetur një qeveri autokratike kundër një pakice etnike dhe fetare ka nxitur një debat në Izrael rreth politikave lejuese të eksportit të armëve të vendit. Nga 10 prodhuesit kryesorë të armëve në nivel global, vetëm Izraelit dhe Rusisë u mungojnë kufizimet ligjore për eksportet e armëve bazuar në shqetësimet e të drejtave të njeriut.

Izraeli ka ndihmuar në heshtje nxitjen e fushatës së Azerbajxhanit për ta rimarrë Nagorno – Karabakhun, e duke furnizuar me armë të fuqishme Azerbajxhanin përpara ofensivës së tij muajin e kaluar që e ktheu enklavën etnike armene nën kontrollin e saj, kanë thënë zyrtarët dhe ekspertët.

Vetëm disa javë përpara se Azerbajxhani ta niste sulmin e tij 24-orësh më 19 shtator, aeroplanët e ngarkesave ushtarake të Azerbajxhanit fluturuan në mënyrë të përsëritur midis një baze ajrore jugore izraelite dhe një aeroporti pranë Nagorno-Karabakhut, sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe diplomatëve armenë, edhe pse qeveritë perëndimore po kërkonin bisedime për paqe.

Fluturimet tronditën zyrtarët armenë në Jerevan, të cilët prej kohësh ishin të kujdesshëm ndaj aleancës strategjike midis Izraelit dhe Azerbajxhanit dhe hodhën dritë mbi interesat kombëtare të Izraelit në rajonin e trazuar në jug të maleve të Kaukazit.

“Ne e konsiderojmë shqetësim të madh faktin që armët izraelite kanë qëlluar kundër popullit tonë”, ka thënë për Associated Press, Arman Akopian, ambasadori i Armenisë në Izrael. Në një stuhi shkëmbimesh diplomatike, Akopian ka thënë se ai u alarmua ndaj politikanëve dhe ligjvënësve izraelitë në javët e fundit mbi dërgesat e armëve izraelite.

“Nuk e kuptoj pse Izraeli nuk duhet të jetë në pozicionin për të shprehur të paktën njëfarë shqetësimi për fatin e njerëzve që do të dëbohen nga atdheu i tyre”, ka thënë ai për AP-në.

Ofensiva e Azerbajxhanit

Sulmi i shtatorit nga Azerbajxhani që përfshin artileri të rëndë, raketahedhës dhe dron – të furnizuar kryesisht nga Izraeli dhe Turqia, sipas ekspertëve – detyroi autoritetet separatiste armene të linin armët dhe të uleshin për bisedime mbi të ardhmen e rajonit separatist.

Ofensiva e Azerbajxhanit ka lënë të vdekur mbi 200 armenë në enklavë, shumica dërrmuese e tyre luftëtarë dhe rreth 200 trupa Azerbajxhanase, sipas zyrtarëve.

Ka degëzime përtej enklavës së paqëndrueshme prej 4.400 kilometrash katrorë. Luftimet bënë që mbi 100 mijë njerëz - më shumë se 80% e banorëve etnikë armenë të enklavës - të ikin në dy javët e fundit. Azerbajxhani është zotuar të respektojë të drejtat e armenëve etnikë.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan e ka cilësuar eksodin “një akt të drejtpërdrejtë të një spastrimi etnik”. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit e hodhi poshtë me forcë akuzën, duke thënë se largimet janë një “vendim personal dhe individual dhe nuk kanë të bëjnë me zhvendosjen e detyruar”.

Ministria e jashtme dhe ajo e mbrojtjes e Izraelit refuzuan të komentojnë mbi përdorimin e armëve izraelite në Nagorno-Karabakhut ose mbi shqetësimet armene për partneritetin e saj ushtarak me Azerbajxhanin. Në korrik, ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant vizitoi Bakun, kryeqytetin e Azerbajxhanit, ku vlerësoi bashkëpunimin ushtarak të vendeve dhe “luftën e përbashkët kundër terrorizmit”.

Izraeli ka një aksion të madh në Azerbajxhan, i cili shërben si burim kritik i naftës dhe është një aleat i vendosur kundër armikut kryesor të Izraelit, Iranit. Është gjithashtu një klient fitimprurës i armëve të sofistikuara.

“Nuk ka dyshim për pozicionin tonë në mbështetje të mbrojtjes së Azerbajxhanit”, ka thënë Arkady Mil-man, ish-ambasadori i Izraelit në Azerbajxhan dhe studiues aktual i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv. “Kemi një partneritet strategjik për ta frenuar Iranin”.

Interesat e Izraelit

Edhe pse dikur Izraeli ishte i varfër me burime, e tani ka mjaft gaz natyror në brigjet e tij të Mesdheut, Azerbajxhani ende furnizon të paktën 40% të nevojave të Izraelit për naftë, duke mbajtur makina dhe kamionë në rrugët e tij. Izraeli iu drejtua depozitave detare të Bakut në fund të viteve 1990, duke krijuar një tubacion nafte përmes qendrës turke të transportit Ceyan që izolonte Iranin, i cili në atë kohë kapitalizoi naftën që rrjedh përmes tubacioneve të tij nga Kazakistani në tregjet botërore.

Azerbajxhani ka qenë prej kohësh dyshues ndaj Iranit, fqinjit të tij mysliman shiit në Detin Kaspik, dhe i mërzitur me mbështetjen e tij për Armeninë, e cila është e krishterë. Irani ka akuzuar Azerbajxhanin se ka një bazë për operacionet e inteligjencës izraelite kundër tij – një pretendim që Azerbajxhani dhe Izraeli e mohojnë.

“Është e qartë për ne se Izraeli ka një interes të mbajë një prani ushtarake në Azerbajxhan, duke përdorur territorin e tij për të vëzhguar Iranin”, ka theksuar diplomati armen, Tigran Balayan.

Pak kanë përfituar më shumë nga marrëdhëniet e ngushta të dy vendeve sesa kontraktorët ushtarakë izraelitë. Ekspertët vlerësojnë se Izraeli e furnizoi Azerbajxhanin me gati 70% të arsenalit të tij midis 2016 dhe 2020 – duke i dhënë Azerbajxhanit një avantazh kundër Armenisë dhe duke rritur industrinë e madhe të mbrojtjes të Izraelit.

“Armët izraelite kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në lejimin e ushtrisë Azerbajxhan për të arritur objektivat e saj”, ka thënë Pieter Wezeman, studiues i lartë në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm, i cili përcjell shitjet e armëve.

Raketat izraelite me rreze të gjatë veprimi dhe dronët shpërthyes, kanë kompensuar forcën e vogël ajrore të Azerbajxhanit, ka thënë Wezeman, madje ndonjëherë duke goditur thellë brenda vetë Armenisë. Ndërkohë, raketat izraelite Barak-8 tokë-ajër kanë mbrojtur hapësirën ajrore të Azerbajxhanit në rrëzimin e raketave dhe dronëve, shtoi ai.

Pak përpara ofensivës së muajit të kaluar, ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit njoftoi se ushtria kreu një test rakete të Barak-8. Zhvilluesi i saj, Israel Aerospace Industries, nuk pranoi të komentojë mbi përdorimin e Azerbajxhanit të sistemit të tij të mbrojtjes ajrore dhe dronëve luftarakë.

Armatimi izraelit

Por Azerbajxhani është entuziazmuar për suksesin e dronëve izraelitë në prerjen e mbrojtjes armene dhe në ndryshimin e ekuilibrit në luftën e përgjakshme gjashtë-javore në 2020.

Ministri i Mbrojtjes në vitin 2016 e quajti një dron luftarak të prodhuar nga Aeronautics Group i Izraelit “një makth për ushtrinë armene”, e cila mbështeti separatistët e rajonit gjatë konfliktit të Azerbajxhanit me Nagorno-Karabakun atë vit.

Presidenti Ilham Aliyev në vitin 2021 - një vit i përleshjeve vdekjeprurëse në kufirin Azerbajxhan-Armen - u kap në kamera duke buzëqeshur teksa përkëdheli dronin e vogël vetëvrasës izraelit “Harop” gjatë një ekspozite armësh.

Izraeli ka vendosur dronë të ngjashëm vetëvrasës gjatë bastisjeve vdekjeprurëse të ushtrisë kundër militantëve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një moment vendimtar në fillim të shtatorit – teksa diplomatët përpiqeshin të shmangnin një përshkallëzim - të dhënat e gjurmimit të fluturimeve tregojnë se avionët e ngarkesave të Azerbajxhanit filluan të rrjedhin në Ovda, bazë ushtarake në Izraelin jugor me një pistë avioni 3000 metra të gjatë, i njohur si aeroporti i vetëm në Izrael që merret me eksportin e eksplozivëve.

AP-ja identifikoi të paktën gjashtë fluturime të operuara nga Silk Way Airlines të Azerbajxhanit që u ulën në aeroportin Ovda midis 1 shtatorit dhe 17 shtatorit nga Baku, sipas faqes së internetit të gjurmimit të aviacionit FlightRadar24.com. Azerbajxhani nisi ofensivën e tij dy ditë më vonë.

Gjatë atyre gjashtë ditëve, transporti ushtarak Ilyushin Il-76 i prodhimit rus qëndroi në pistën e Ovdës për disa orë përpara se të nisej për në Baku ose Ganja, qyteti i dytë më i madh i vendit, në veri të Nagorno-Karabakhut.

Në mars, një hetim nga gazeta Haaretz ka raportuar se kishte numëruar 92 fluturime mallrash ushtarake të Azerbajxhanit në aeroportin Ovda nga 2016-2020. Rritjet e papritura të fluturimeve përkonin me ngritje të luftimeve në Nagorno-Karabkh, zbuloi ai.

“Gjatë luftës së vitit 2020, ne pamë fluturime çdo ditë të dytë dhe tani, përsëri, ne shohim këtë intensitet fluturimesh që çon në konfliktin aktual”, ka theksuar Akopian, ambasadori armen. “Është e qartë për ne se çfarë po ndodh”.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit nuk pranoi të komentojë mbi fluturimet. Ambasadori i Azerbajxhanit, Mammadov, ka thënë se ishte në dijeni të raporteve, por nuk pranoi të komentonte.

Vendimi për të mbështetur një qeveri autokratike kundër një pakice etnike dhe fetare ka nxitur një debat në Izrael rreth politikave lejuese të eksportit të armëve të vendit. Nga 10 prodhuesit kryesorë të armëve në nivel global, vetëm Izraelit dhe Rusisë u mungojnë kufizimet ligjore për eksportet e armëve bazuar në shqetësimet e të drejtave të njeriut.

Përktheu: Blerta Haxhiu