Botë

Ndalohen fluturimet me “Boeing 737 Max 9” pas incidentit në SHBA

Mijëra udhëtarëve u janë shtyrë fluturimet pasi linjat ajrore më të mëdha amerikane ndaluan dhjetëra avionë “Boeing” pas një incidenti në mes të fluturimit nga Oregoni për në Ontario të Kalifornisë.

Rregullatori i aviacionit amerikan ka njoftuar se 171 aeroplanë Boeing 737 Max 9 duhet të ndalohen për kontrolle pasi një pjesë e avionit të “Alaska Airlines” ra në tokë të premten.

Kompania ka njoftuar se ndërprerjet e fluturimeve pritet të zgjasin deri javën e ardhshme.

Ndërprerjet ka të ngjarë të prekin kryesisht fluturimet në SHBA.

Ky vendim për ndërprerje u bë pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar “inspektime të menjëhershme” të “737 Max 9” në mbarë botën.

Sipas njoftimit, inspektimet e kërkuara do të zgjasin rreth katër deri në tetë orë për avion.

Agjencia e Sigurisë e Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA) ka njoftuar se po ndjek nga afër qasjen e Administratës Federale të Aviacionit, mirëpo ndërprerjet e fluturimeve në kontinent pritet të jenë minimale.

Alaska ka njoftuar se ka anuluar 160 fluturime të shtunën, duke ndikuar te rreth 23 mijë udhëtarë.

Linjat e tjera ajrore që gjithashtu e kanë këtë lloj të aeroplanëve i kanë larguar përkohësisht nga kalendari fluturimet.

Kryetarja e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, Jennifer Homendy, u tha gazetarëve se procesi i prodhimit të “Boeing” nuk ishte i përjashtuar nga hetimi i tyre, duke deklaruar se tash për tash “gjithçka është në rregull”.

DEK: Jennifer Homendy, kryetare e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit:

“A do ta përcjellim procesin e ‘Boeingut’ për prodhimin e këtij avioni? Në këtë fazë të hetimit po, gjithçka është e përfshirë. Ne do të shikojmë edhe më detajisht. Asgjë nuk përjashtohet. Pra, po mbledhim informacione dhe po shohim provat”.

“Boeing” ka njoftuar se e mirëpret vendimin e Administratës Federale të Aviacionit, duke shtuar se ekipet e saj ishin në kontakt të ngushtë me rregullatorin.

Gjatë incidentit të së premtes, fluturimi 1282 i “Alaska Airlines” nga Portland, Oregon, në Ontario, Kaliforni, arriti në 4.876m lartësi kur filloi një zbritje emergjente.

Udhëtarët në bord thanë se një pjesë e madhe e guaskës së jashtme të aeroplanit ra në tokë menjëherë pas ngritjes.

Avioni me 177 udhëtarë dhe anëtarë të ekuipazhit aterroi i sigurt përsëri në Portland. Kompania ajrore ka bërë të ditur se disa udhëtarë morën lëndime të lehta.