Kina e ka përshkruar një ndalesë të mundshme të TikTok-ut në SHBA, si “një akt ngacmues” i cili do të kthehej kundër Amerikës.
Komentet janë bërë të mërkurën nga ministria e Jashtme kineze, pak pasi Dhoma e Përfaqësuesve ka kaluar një projektligj i cili do të detyronte pronarin kinez të platformës së videove të shkurtra, Byte Dance ta shiste atë te një kompani amerikane, ose do të përballet me ndalesë në SHBA, ku i ka 170 milionë përdorues, raportoi CNN.
“Edhe pse SHBA-ja nuk ka gjetur të dhëna se si TikTok-u rrezikon sigurinë e saj nacionale, kurrë nuk ka ndalur së ndjekuri TikTok-un”, ka thënë Wang Wenbin, zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze në një konferencë të mërkurën në Pekin.
Wenbin ka akuzuar SHBA-në se “po i drejtohet akteve të ngacmimit”, për shkak se nuk ka arritur të ketë sukses në garë, duke thënë se praktikat e tilla do t’i shkatërronin operimet e tregut dhe do të sabotonin rregullin global ekonomik.
“Kjo përfundimisht do të rezultojë kundër vetë SHBA-së”, ka thënë Wenbin.
Zyrtarët amerikanë dhe ligjvënësit kanë shprehur shqetësimet që një kohë se qeveria kineze mund të detyrojë pronarin e TikTokut, ByteDance, të mbledh të dhëna nga përdorues amerikanë. Ata po ashtu kanë shprehur frikën se aplikacioni mund të shërbejë si një mjet për Pekinin për të përhapur propagandë, të keqinformojë ose të ndikojë te amerikanët.