Botë

Ndalimi i Georgescut për të kandiduar për president

Rumani - zgjedhje presidenciale

Raportet e inteligjencës sugjerojnë se populisti i ekstremit të djathtë, Călin Georgescu, ka përfituar nga ndërhyrja ruse në zgjedhjet presidenciale, por anulimi i fitores së tij në rundin e parë ka lënë shumë rumunë të zemëruar dhe konfuzë mbi të ardhmen e vendit

Kanë qenë katër presidentë të Rumanisë që nga revolucioni i vitit 1989, që i dha fund sundimit brutal 20-vjeçar dhe, në të vërtetë, jetës së diktatorit komunist, Nicolae Ceausescu. Constantini i renditi të gjithë.

“Iliescu, Constantinescu, përsëri Iliescu”, tha roja i dalë në pension, duke numëruar me gishta. “Băsescu, pastaj Iohannis. Dhe për çfarë saktësisht? Asgjë nuk ka ndryshuar. Asgjë, në 35 vjet. Pagat dhe pensionet janë shumë të ulëta. Ushqimi dhe karburanti kushtojnë shumë. Diçka duhet të ndryshojë”.

Teksa pinte një birrë jashtë një lokali në Drăgăneștin rural, një orë larg Bukureshtit, Constantin tha se një njeri mund të kishte qenë në gjendje që t’i ndryshonte gjërat. “Dhe tani ata e kanë ndaluar atë”, shtoi ai. “Kështu që ata mund të vazhdojnë të na vjedhin”.

Kjo pikëpamje e Constantinit nuk është e pazakontë në këtë fshat. Në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, gati 600 njerëz këtu (37.2% e elektoratit) votuan për Călin Georgescu, një ultranacionalist anti-BE, miqësor ndaj Moskës, mohues ndaj Covidit, i cili fitoi rundin e parë të zgjedhjeve.

Që atëherë zgjedhjet janë anuluar për shkak të dyshimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje dhe Georgescu është vënë nën hetime. Javën e kaluar Gjykata e Lartë e Rumanisë dha vendimin që e ndalon atë të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të majit.

Tani edhe ata që nuk e mbështetën Georgescun janë zhgënjyer.

“Miliona votuan për të, ai do të duhej të ishte lejuar që të qëndronte”, tha Elena Preda, 64 vjeçe, zyrtare ligjore në pension. “Asgjë nuk është vërtetuar kundër tij. Padrejtësia më bën të qaj. Më shiko, unë po blej qirinj. Ne po mbajmë zi për demokracinë”.

Pranë dyqanit të tij të perimeve buzë rrugës, Ionut, 55 vjeç, po ziente përbrenda. “Kjo nuk është normale”, tha ai. “Kjo është një diktaturë e korruptuar, hajdute. Një djalë i zgjuar u duk se fitoi, kështu që ata anuluan votimin. Pastaj e ndalojnë atë që të rikandidojë”.

Kryeministri i Rumanisë, socialdemokrati Marcel Ciolacu, reagoi përmes një postimi në Facebook disa orë pasi Gjykata Kushtetuese konfirmoi ndalimin e Georgescut për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të majit.

Ai tha se shpresonte që vendimi “do të rivendoste qetësinë sociale në Rumani”. Ai shtoi se vendimi i gjyqtarëve mbylli “një episod jashtëzakonisht të tensionuar dhe të rrezikshëm” në vend, i cili tani mund të kthehet në “një klimë normale sociale” dhe “debat publik të civilizuar”.

Për votuesit e Drăgănestit, kjo është pak optimiste. Ligjërisht vendimi për të anuluar zgjedhjet dhe për të hetuar Georgescun mund të jetë i shëndoshë. Politikisht, në një shoqëri që ndihet po aq e ngopur dhe po aq e zhgënjyer nga klasa e saj politike, në këtë rast ajo e Rumanisë, ajo mund të jetë e paqëndrueshme.

Ndikimi rus

Rundi i parë i zgjedhjeve u anulua pasi mbështetja për kandidatin e ekstremit të djathtë u rrit, nga më pak se 5 për qind, në një 23 për qindësh triumfues, dhe agjencia e inteligjencës e vendit zbuloi se Rusia ishte e përfshirë në fushatën e tij zgjedhore. 

Dokumentet, nga shërbimi i inteligjencës dhe Ministria e Brendshme e Rumanisë, zbuluan 85 mijë sulme të çuditshme kibernetike në sistemin elektronik zgjedhor të vendit dhe identifikuan 25 mijë llogari në TikTok që papritmas kishin filluar të mbështesnin Georgescun.

Ajo që është bërë publike deri më tani sugjeron fuqishëm një fushatë apo ndikim rus, por nuk e vërteton atë. Sipas dokumenteve del që influencuesit e mediave sociale ishin punësuar nga ndërmjetës dhe ishin paguar për të shpërndarë video që promovonin fushatën e Georgescut dhe se disa nga punonjësit e fushatës së tij ishin të lidhur me bandat e krimit të organizuar dhe grupet neofashiste.

Tani Georgescu është nën hetime për gjashtë akuza, që përfshijnë mosraportimin e saktë të shpenzimeve të fushatës, përdorimin e paligjshëm të teknologjisë digjitale dhe promovimin e grupeve fashiste. Ai vazhdimisht i ka mohuar akuzat. 

Prokurorët po hetojnë gjithashtu 21 të tjerë të lidhur me Georgescun. Këtu përfshihet edhe Horaţiu Potra, një ekspert ushtarak, i cili ka bërë thirrje për kryengritje “me kosa, sfurqe dhe sëpata”. Pas bastisjeve të policisë, janë gjetur armë dhe miliona para të gatshme në shtëpitë e tyre.

Adina Marincea është monitoruese në Institutin Elie Wiesel për Studimin e Holokaustit në Rumani. Ajo tha se 62-vjeçari Georgescu mund të paraqesë “një atmosferë legjitimiteti”, por nuk kishte dyshime se ai ishte “një figurë shumë e rrezikshme”.

Georgescu i ka cilësuar udhëheqësit fashistë të viteve 1930 të Rumanisë si heronj. “Shikoni ideologjinë që ai promovon. Njerëzit me të cilët ai e rrethon veten”, tha Marincea.

Ajo shtoi se Georgescu, i cili kandidoi si i pavarur, “luan një lojë të kontradiktës së llogaritur”. 
Për mbështetësit e tij, shumë prej të cilëve e shohin atë pothuajse si një të dërguar të Zotit, me premtimet e tij të parealizueshme populiste për ulje drastike taksash dhe vende pune për të gjithë, asnjëra prej tyre nuk e justifikon rrëzimin e tij. “Unë nuk besoj asnjë fjalë”, tha Alexandru Ioniță, 25 vjeç. “Ata thjesht i shpikën të gjitha”.

Ioniță tha se ishte larguar nga shtëpia në moshën 14-vjeçare dhe, si miliona rumunë, ka punuar jashtë vendit, pa pushim, që atëherë: Francë, Gjermani, Skoci; ferma dhe fabrika.

“Unë nuk e dua këtë për fëmijët e mi”, tha ai. “Georgescu ishte i interesuar për këtë vend, jo për veten e tij. Ai premtoi se do ta ngrinte Rumaninë në këmbë, do të rindërtonte atë që të gjithë të tjerët shkatërruan, do të sillte në shtëpi diasporën. Nëse duhet të ketë një revolucion tjetër, kështu qoftë”.
Mihaela Măcelaru, 43 vjeçe, tha se Georgescu “na tregoi se si të luftojmë për vendin tonë, sepse ne jemi të gjithë një popull. Ai na bashkoi të gjithëve. Ai ishte një njeri i mirë për vendin tonë, një njeri i mençur. Besoj se ai ishte dërguar nga Zoti. Tani, kush e di?”

Mungesa e transparencës

Demokracia e Rumanisë është e brishtë. Të ardhurat mesatare të familjeve janë sa rreth një e treta e mesatares së BE-së. Ushqimi është 50% më i shtrenjtë se pesë vjet më parë. Pothuajse një e treta e 19 milionë banorëve të vendit janë në rrezik të preken nga varfëria. Gjatë 10 ose 15 vjetëve të fundit, gati 20% e fuqisë punëtore ka kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit.

Shërbimet publike janë të paqëndrueshme dhe rrjeti i sigurisë sociale mungon. Ekziston një perceptim i përgjithshëm, sipas fjalëve të një politikani të qendrës së majtë, se: “Shteti nuk është aty për të ndihmuar. Thjesht për të ndëshkuar njerëzit, për të krijuar vështirësi , duke pasuruar të vetit”.
Ndërkohë, pabarazia është e theksuar: me dyfishin e mesatares kombëtare. Bruto produkti i brendshëm për kokë banori i Bukureshtit tejkalon atë të Parisit, Berlinit, Vjenës dhe Stokholmit. Dhe një histori e gjatë politikanësh të korruptuar dhe të paaftë e ka ulur besimin e publikut te deputetët dhe ministrat.

“Hedhja e benzinës në këtë zjarr” është ajo që shumë vëzhgues e shohin si mungesë të transparencës zyrtare ose institucionale. “Është e thjeshtë: nëse shteti lë një boshllëk, njerëzit janë shumë të etur për ta mbushur atë”, tha Ana Dragomir, zyrtare e komunikimit në OJQ-në rumune “Funky Citizens”.
“Autoritetet tona njihen për moskomunikimin ose shpjegimin e vendimeve të tyre”, tha ajo. “Kjo lë një vrimë të madhe që mbushet menjëherë nga teoritë konspirative të shtetit dhe pretendimet për puç”.
Pretendimet e tilla nuk kufizohen vetëm në Rumani. Administrata Trump e ka paraqitur të gjithë episodin si një sulm ndaj fjalës së lirë. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, në një fjalim të fundit shtoi dyshime nëse vendi “ndan vlerat e njëjta me Amerikën”. Elon Musk reagoi duke pyetur se si një gjyqtar mund t’i japë fund demokracisë në Rumani.

Dragomir vë në dukje mënyrën e ndalimit të Georgescut për t’u marrë në pyetje nga policia muajin e kaluar, duke e cilësuar si një shembull të autoriteteve që ndezin pa nevojë një diskurs të tillë.

“Ata nuk e bënë të qartë pse”, tha ajo. “Asnjë specifikë, asnjë shpjegim i duhur, përditësime të paqarta. Bëhet fjalë për besimin ... Nëse ne nuk u besojmë autoriteteve tona, është sepse ata nuk flasin me ne”.

“Po kështu vendimi i Byrosë Zgjedhore për anulimin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Ishte e paprecedentë, megjithatë ata nuk arritën të na komunikonin atë apo të na shpjegonin”, tha Dragomir. “Kjo thjesht ngjall dyshime”.

Zëvendësimi i Georgescut

Një mungesë e ngjashme e provave të qarta, të plota dhe, më e rëndësishmja, publike rrethon përjashtimin nga zgjedhjet presidenciale të majit si të Georgescut ashtu edhe të një kandidateje tjetër të ekstremit të djathtë, Diana Șoșoacă. Șoșoacă, e partisë ultranacionaliste “SOS Rumania”, e cila veçse ishte ndaluar të kandidonte në rundin e parë.

Gjykata Kushtetuese i cilësoi fjalimet anti-BE, pro-Moskë, të Șoșoacăs “në kundërshtim me vlerat demokratike”. Sipas gjykatës, ajo nuk do të ishte në gjendje të mbante betimin presidencial duke respektuar kushtetutën e Rumanisë dhe duke mbrojtur demokracinë, nëse do fitonte.
“Përsëri, nuk ka asgjë vërtet specifike atje”, tha Dragomir. “Nuk ka kritere të qarta, të shkruara në ligj... Ky mund të ketë qenë vendimi i duhur. Por në këtë kontekst, nëse nuk është plotësisht i qartë, ai thjesht krijon më shumë tension dhe polarizim. Kjo është e rrezikshme”.

Këto vendime të gjykatës lanë partitë populiste të ekstremit të djathtë të Rumanisë, të cilat kanë më shumë se një të tretën e vendeve në Parlament dhe ishin bashkuar pas Georgescut, duke u përpjekur që të gjejnë një kandidat zëvendësues.

Në fund, ata vendosën për dy, George Simion i partisë së dytë më të madhe të Rumanisë, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR) dhe Anamaria Gavrilă, themeluese e Partisë së të Rinjve (POT), përpara se Gavrilă të tërhiqej.

“Ne vendosëm të mbështesim atë që ka më shumë shanse për të fituar”, tha ajo të mërkurën. “Ne duhet të shkojmë përtej partive dhe, siç tha Georgescu, ne duhet të mbështesim këtë lëvizje ultranacionaliste duke i ofruar të gjitha”.

Sondazhet sugjerojnë që Simion do të kryesojë raundin e parë me rreth 30% të votave kombëtare, por ka të ngjarë të mposhtet në balotazhin e rundit të dytë nga kryebashkiaku centrist i Bukureshtit, Nicușor Dan, i cili kandidon si i pavarur.

Sido që të jetë rezultati, fushata e Georgescut ka qenë “një thirrje absolute zgjimi”, tha Victoria Stoiciu, senatore socialdemokrat dhe ish-aktiviste progresive. “Askush nuk e pa atë që po vinte, dhe ajo është qartë një simptomë e diçkaje më të thellë”.

Me pabarazinë në rritje, hendekun që po zgjerohet midis votuesve dhe politikanëve dhe populistët e ekstremit të djathtë që ngjallin pakënaqësi, Stoiciu tha: “Kjo më kujton ngritjen e fashizmit ndërmjet dy luftërave. Të njëjtat perceptime të një elite të korruptuar, të njëjtat shkëputje”.

Ajo shtoi se kishte edhe faktorë të jashtëm, duke përfshirë një “investim afatgjatë dhe të qëndrueshëm nga Rusia në minimin e besimit”. Por politikanët kryesorë të Rumanisë, pranoi ajo, duhej të “ishin shumë më të hapur, të dëgjonin më shumë, të flisnin më shumë” me votuesit.

Mbi të gjitha, ata duhej të bënin një ndryshim në jetën e njerëzve. Ky ishte një mesazh që bëri jehonë në Drăgăneşti. Ștefan, 78 vjeç, një zë i rrallë kundërshtues, tha se Georgescu “duhet të ishte arrestuar që në fillim… Ai është pa dyshim një personazh i dyshimtë”.

Por edhe nëse Georgescu nuk ishte njeriu që duhej bërë këtë, shtoi Ștefan, Rumania ende “ka nevojë absolutisht dhe dëshpërimisht për ndryshim”.

Gruaja e Ștefanit, Jenica, 69 vjeçe, ndërhyri. “Thjesht duhet të shpresojmë”, tha ajo. “Problemi i vetëm është se ne nuk dimë se për çfarë të shpresojmë”.