Botë

Navalnyt i vazhdohet paraburgimi, Rusia ua mësyn aleatëve të tij

Arrestimi i vëllait të Navalnyt, Oleg, aleatit kryesor të tij, Lyubov Sibik, Anastasia Vasilyevas nga Aleanca e Mjekëve e mbështetur nga Navalny, dhe Maria Alyokhinas nga lëvizja “Pussy Riot”, ka ndodhur ndërsa autoritetet janë duke u munduar që ta pengojnë një valë të re protestash, të cilat veçse janë paralajmëruar për të dielën

Një gjykatë ruse ia ka vazhduar të enjten paraburgimin liderit opozitar, Alexei Navalny, pasi ia refuzoi apelin kundër mbajtjes prapa grilave, në vendimin të cilin kritiku i Kremlinit e cilësoi si të parashikueshëm.

Navalny, kritik i fuqishëm i presidentit Vladimir Putin, që prej 18 janarit është duke u mbajtur në paraburgim 30-ditor, pasi që u arrestua me t’u kthyer në Rusi nga Gjermania, shteti evropian ku ai ishte trajtuar nga helmimi me agjentin nervor Novichok.

I përballur me disa raste të ngritura ndaj tij që ende pritet të shqyrtohen, Navalny 44-vjeçar rrezikon të dënohet me disa vjet burgim.

Vendimi u mor në ditën kur autoritetet ruse kanë arrestuar disa aleatë të tij dhe kanë lëshuar paralajmërime ndaj gjigantëve të rrjeteve sociale, pasi që dhjetëra e mijëra persona vërshuan rrugët në më shumë se 100 qytete ruse fundjavën e kaluar për ta kërkuar lirimin e tij.

Arrestimi i vëllait të Navalnyt, Oleg, aleatit kryesor të tij, Lyubov Sibik, Anastasia Vasilyevas nga Aleanca e Mjekëve e mbështetur nga Navalny, dhe Maria Alyokhinas nga lëvizja “Pussy Riot”, ka ndodhur ndërsa autoritetet janë duke u munduar që ta pengojnë një valë të re protestash, të cilat veçse janë paralajmëruar për të dielën.

Që të katërt janë vënë në mbajtje 48-orësh, si pjesë e një hetimi penal për shkeljet e pretenduara të rregullave kundër koronavirusit me rastin e protestës së javës së shkuar.

44-vjeçari, Navalny, kritiku më i zëshëm i Qeverisë së presidentit Vladimir Putin, ishte arrestuar më 17 janar menjëherë pas kthimit të tij nga Gjermania, ku për pesë muaj radhazi iu nënshtrua trajtimit pas helmimit me një agjent nervor, në rastin që iu ngarkua Kremlinit. Por, këtë akuzë, e kanë hedhur poshtë autoritetet ruse.

Një gjykatë në Moskë, të enjten, do ta shqyrtojë apelin e tij ndaj arrestit.

Arrestimet gjatë mbrëmjes të së mërkurës kanë ndodhur pas ndërmarrjes së dhjetëra bastisjeve në apartamentet dhe zyrat e familjes së Navalnyt, kolegëve dhe mbështetësve të tij, në kuadër të hetimit. Në mesin e vendeve të bastisura ishin banesa e Navalnyt, ku policia edhe e arrestoi vëllain e tij, dhe banesa me qira ku jetonte bashkëshortja e Navalnyt, Yulia.

Zëdhënësi i Putinit, Dimitry Peskov, ka thënë se bastisjet dhe arrestimet ishin pjesë legjitime e përpjekjeve policore për hetimin e shkeljeve të pretenduara lidhur me protestat e së shtunës.

“Agjencitë e zbatimit të ligjit janë duke e kryer detyrën e tyre”, ka thënë Peskov, në një konferencë për gazetarë. “Ka pasur shkelje të numërta të ligjeve ruse, dhe agjencitë e zbatimit të ligjit janë duke punuar”.

Prokurorët rusë kanë lëshuar gjithashtu të enjten paralajmërime kundër Facebookut, Googles, Twitterit, TikTookut dhe rrjeteve të tjera sociale ruse, duke u kërkuar që t’i bllokojnë thirrjet për më shumë protesta.

“Shteti nuk dëshiron që rrjetet sociale të shndërrohen në një platformë për promovimin e veprimeve të këtilla ilegale”, ka thënë Peskov.

I pyetur se nëse refuzimi i tyre për heqjen e një përmbajtjeje të tillë do të mund t’i shtynte autoritetet ruse drejt bllokimit të tyre, Peskovi është përgjigjur se kjo është një çështje së cilës duhet t’u përgjigjen agjencitë relevante qeveritare.

“Të gjitha të mirat dhe të këqijat do të peshohen dhe, po qe se është nevoja, masat e parapara me ligj do të ndërmerren”, ka thënë ai.

Në fillim të javës, autoriteti mbikëqyrës shtetëror rus i komunikimeve “Roskomnadzor” ka njoftuar se do t’i gjobisë Facebookun, Instagramin, Twitterin, TikTokun, YouTuben dhe dy rrjete sociale ruse për dështimin në bllokimin e thirrjeve adresuar të rinjve për t’iu bashkuar protestës të së shtunës.

Komiteti Hetues Rus ka njoftuar, gjithashtu, të enjten se ka nisur hetim penal kundër strategut kryesor të Navalnyt, Leonid Volkov, duke e akuzuar për inkurajimin e të rinjve për të marrë pjesë në tubimet e paautorizuara. Volkov, i cili jeton në Gjermani, i ka hedhur poshtë këto akuza.

Duke e sfiduar Putinin vetëm dy ditë pas arrestimit të Navalnyt, organizata e tij ka publikuar një videoraport të hollësishëm të një vile luksoze buzë detit të ndërtuar enkas për presidentin. Videoja ishte shikuar mbi 98 milionë herë, duke ngjallur pakënaqësi edhe më të thella.

Demonstratat në thirrje të lirimit të Navalnyt kanë ndodhur në më shumë se 100 qytete gjatë së shtunës së shkuar, në një reflektim të qartë të zemërimit të ashpërsuar kundrejt Kremlinit.

Rreth 4.000 persona janë raportuar të jenë arrestuar gjatë këtyre protestave, ndërkaq kundër disa prej tyre janë shqiptuar gjoba dhe dënime me burgim.

Navalny kishte rënë në gjendje kome derisa ndodhej në bordin e një aeroplani, në fluturimin nga Siberia në Moskë, më 20 gusht. Ai ishte transferuar nga një spital i Siberisë drejt një spitali në Berlin, dy ditë më vonë. Laboratorët në Gjermani, Francë dhe Suedi, si dhe testet e kryera nga Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike kanë treguar se ai i ishte ekspozuar agjentit nervor të periudhës sovjetike “Novichok”.

Autoritetet ruse kanë refuzuar që të hapin hetime të plota penale, duke e përmendur mungesën e dëshmive rreth helmimit të Navalnyt. Arrestimi i Navalnyt dhe veprimet e ashpra policore në protesta kanë gjeneruar kritika të gjithmbarshme nga Perëndimi dhe thirrje për lirimin e tij. \ AP