Botë

NATO-ja zotohet ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën teksa Rusia përdor armë të reja

Ukrainë

NATO-ja thotë se përdorimi nga Rusia i një rakete balistike me rreze të mesme veprimi kundër Ukrainës nuk do të ndryshojë rrjedhën e konfliktit.

Zëdhënësja e aleancës, Farah Dakhlallah, thotë se kjo nuk do t’i pengojë aleatët e Ukrainës në NATO ta mbështesin Kievin.

NATO-ja dhe Ukraina do të mbajnë bisedime urgjente në Bruksel javën e ardhshme, të nxitura nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës me një lloj të ri rakete balistike.

Takimi i Këshillit NATO-Ukrainë do të zhvillohet të martën dhe vjen pas një kërkese nga Kievi, sipas zyrtarëve që folën për agjencinë e lajmeve AFP.

Këshilli, i formuar në korrik të vitit 2023, është një organ i përbashkët midis anëtarëve të NATO-s dhe Ukrainës – e cila pritet të bashkohet me aleancën ushtarake – dhe gjithashtu vepron si një “mekanizëm konsultimi për krizat”.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy ka theksuar se përdorimi i armëve të tilla nga Rusia është “një përshkallëzim i qartë dhe i ashpër” dhe i ka bërë thirrje botës të përgjigjet.

E presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se sulmi i së enjtes në qytetin e Dnipro ishte një përgjigje ndaj Ukrainës që kishte përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të marra nga SHBA-ja dhe Britania kundër caqeve në Rusi.