Botë

NATO-ja vendos të mërkurën për emërimin e Ruttes në krye të saj

Mark Rutte

Mark Rutte

Foto: Associated Press

NATO-ja do të vendosë zyrtarisht të mërkurën për të emëruar kryeministrin holandez, Mark Rutte si shefin e saj të ardhshëm.

Ambasadorët nga 32 vendet e NATO-s pritet të zgjedhin Rutten për të pasuar Jens Stoltenbergun të Norvegjisë si sekretar të Përgjithshëm të saj, në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i aleancës, sipas diplomatëve, raporton Reuters. 

Emërimi i Ruttes do të jetë një formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar se është tërhequr nga gara, pasi nuk arriti të fitonte mbështetje.

Mandati i Stoltenbergut përfundon më 1 tetor. Ai mori detyrën në vitin 2014, vetëm pak muaj pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina.

Pasi deklaroi interesimin e tij për postin vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershmë nga anëtarët kryesorë të aleancës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Të tjerët ishin më të rezervuar, veçanërisht vendet e Evropës Lindore, të cilat argumentuan se posti do të duhej t'i kalonte dikujt nga rajoni i tyre për herë të parë.

Por ata në fund u rreshtuan pas Ruttes, një kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin dhe një aleat i vendosur i Ukrainës.

NATO-ja i merr vendimet me konsensus, kështu që Rutte, i cili po largohet nga politika holandeze pas gati 14 vitesh si kryeministër, mund të konfirmohet vetëm pasi të 32 anëtarët e aleancës t'i japin mbështetjen e tyre.

Rutte do të përballet me sfidën e mbajtjes së mbështetjes së aleatëve për luftën e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, ndërkohë që do të ruhet nga hyrja e NATO-s në një luftë të drejtpërdrejtë me Moskën.

Ai gjithashtu do të duhet të përballet me mundësinë që skeptiku ndaj NATO-s, Donald Trumpi, mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Kthimi i mundshëm i Trumpit ka nervozuar liderët e NATO-s pasi ish-presidenti republikan vuri në pikëpyetje gatishmërinë e SHBA-së për të mbështetur anëtarët e tjerë të aleancës nëse ata sulmoheshin.