NATO-ja po e konsideron mundësinë që t’i rrëzojë raketat ruse që janë shumë afër kufijve të saj, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Andrzej Szejna, për median polake RMF24.
Szejna ka thënë se “Rusia e di se nëse raketa vjen në Poloni, ajo do të rrëzohej”.
“Do të kishte kundërsulm”, ka thënë Szejna.
“Koncepte të ndryshme janë duke u analizuar brenda NATO-s, duke përfshirë që raketa të tilla të rrëzohen kur ato janë shumë afër kufirit të NATO-s”, ka thënë ai.
Sipas Szejnas, që të ndodhë rrëzimi i raketave duhet edhe miratimi i Ukrainës, raportoi The Guardian.
Komentet vijnë pasi forcat e armatosura polake thanë se Rusia shkeli hapësirën ajrore të Polonisë në orën 4:23 të mëngjesit të dielën, me një raketë lundrimi të lëshuar në objektiva në Ukrainën perëndimore. Polonia është anëtare e NATO-s.
Ambasadori rus në Poloni, Sergei Andreyev, u thirr në Ministrinë e Jashtme në Varshavë në lidhje me incidentin, por nuk u paraqit. Andreyev i ka thënë agjencisë shtetërore RIA Novosti se kjo ishte për shkak se pala polake nuk dha prova për ndonjë shkelje të hapësirës ajrore.
Ka pasur shkelje të tjera të raportuara të territorit polak që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, dy vjet më parë.
Sipas shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura polake, një raketë ruse ka hyrë në hapësirën ajrore të anëtarit të NATO-s në fund të dhjetorit.
Në prill të vitit 2023, një objekt ushtarak u gjet në një pyll afër fshatit Zamość pranë qytetit verior të Bydgoszcz. Më vonë u raportua se ishte një raketë ruse.