Botë

NATO-ja emëron Përfaqësuesin e saj të Lartë në Ukrainë

Përfaqësuesi i Lartë të NATO-s në Ukrainë, Patrick Turner

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg, ka njoftuar të mërkurën emërimin e Përfaqësuesit të Lartë të NATO-s në Ukrainë. 

Siç bëhet e ditur në njoftimin e lëshuar në faqen zyrtare të Aleancës, Patrick Turner do ta marrë detyrën në Kiev në shtator të këtij viti. 

Ai ka shërbyer më parë si Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet dhe si Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes dhe Planifikimin, si dhe në një sërë postesh të larta të shërbimit civil për Mbretërinë e Bashkuar.

“Patrick Turner ka vite përvojë në këtë rol. Si nëpunës publik i përkushtuar, ai ka histori të fortë për të dhënë rezultate. Jam i sigurt se do të shkëlqejë në këtë rol të rëndësishëm ndërsa NATO vazhdon të rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën. Turner tha se është i nderuar që është emëruar si Përfaqësues i Lartë i NATO-s në Ukrainë. Mezi pret ta drejtojë përfaqësimin e NATO-s dhe të punojë shumë ngushtë me autoritetet ukrainase dhe me aleatët dhe partnerët e NATO-s për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën”, thuhet në njoftim. 

Si Përfaqësues i Lartë, Turner do të veprojë si pikë qendrore për angazhimin e NATO-s me autoritetet ukrainase në Kiev. Ai do të koordinojë përpjekjet e NATO-s dhe do t'i japë Aleancës vlerësime dhe këshilla për situatën në Ukrainë.