Botë

“National Geographic” largon nga puna gjashtë nga redaktorët kryesorë

Revista “National Geographic”, revista e njohur e shkencës, historisë dhe natyrës, pushoi nga puna gjashtë nga redaktorët e saj kryesorë javën e kaluar në një riorganizim të jashtëzakonshëm të redaksisë së saj.

Shkurtimet e nivelit të lartë janë të pazakonta për çdo revistë dhe ato janë të paprecedentë për “National Geographic”, e cila ka gëzuar udhëheqje të qëndrueshme që nga themelimi i saj nga Shoqëria jofitimprurëse “National Geographic of Washington” më 1888, raportoi WP.

Revista dhe faqja e saj e lajmeve, të cilat janë me seli në Washington, janë në pronësi që nga viti 2019 nga Walt Disney, e cila fitoi shumicën e aksioneve. Revista iu nënshtrua shkurtimeve të mëdha sa ishte nën Century Fox më 2015 dhe pas shitjes më 2019 në Disney.

Largimet e reja nga puna përfshinë emra që shfaqeshin në ballinën e revistës, duke përfshirë redaktoren e lartë ekzekutive, Indira Lakshmanan. Po ashtu, përfshiu redaktorë që ishin përgjegjës për artikuj të gjatë dhe specializonin në tema si shkenca, udhëtimi, natyra dhe kafshët.

Largimet alarmuan punëtorët e revistës. Në diskutime të brendshme, disa nga stafi iu referuan pushimeve nga puna si “Dasma e Kuqe”, një referencë për masakrën e paraqitur në seritë “Game of Thrones”.

Por, një tjetër punëtor tha se kjo ka qenë “një masë e domosdoshme për uljen e kostove”.

“National Geographic” për dekada ka qenë një nga revistat më të shitura. Më 2013 shiti 4 milionë kopje në muaj.