Botë

Myslimanët festojnë Bajramin e Madh, festë edhe në Moskë

Miliona myslimanë në tërë botën i mbushën xhamitë për ta falur namazin e Bajramit të Madh.

Në mesin e shumë lutjeve që bënë, ishin edhe ato për paqe në botë.

Me mesazhe paqeje për njëri-tjetrin si dhe lutje për më shumë begati, besimtarët e kanë falur Bajramin e Madh në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.

Ndërkohë, miliona besimtarë myslimanë nëpër botë kanë falur Bajramin e Madh që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton KTV.

Bajrami ishte i veçantë në Afganistan pasi presidenti vendosi për faljen e 887 të burgosurve për nder të festës.

Përveç faljes së të burgosurve, presidenti Ghanni njoftoi se do të udhëtojë në Pakistan për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy shteteve. Në Kabul, njerëzit shijuan atmosferën festive me shpresën që shteti i tyre të arrijë paqen e shumëkërkuar.

E në Bangladesh njerëzve u është ngutur që të shkojnë nëpër shtëpi për të festuar Bajramin. Shkaku i punës, rreth 20 milionë njerëz jetojnë në Daka dhe trenat ishin shumë të mbingarkuar për të zënë punëtorët që ia mësynin familjeve të tyre.

Mijëra myslimanë u mblodhën në një xhami në Moskë për të falur Bajramin e Madh në mëngjesin e së martës.

Bajrami i njohur në Rusi si Uraza Bayram mblodhi 10 mijë myslimanë në këtë xhami të Moskës.

Islami është feja e dytë më e madhe në Rusi pas asaj ortodokse. Myslimanët përbëjnë 15 për qind të popullatës ruse.