Botë

Muzikantët e luftës

Grupi muzikor i Ukrainës është bërë pjesë e luftës. Së fundmi ka publikuar një video të gjatë me të cilën ka dokumentuar pasojat e luftës. Kjo video është bërë me kërkesë të mediave gjermane, por grupi nuk ka shpalosur shumë detaje për shkaqe të sigurisë

Grupi muzikor “Antytila” që iu bashkua ushtrisë në luftën kundër pushtimit të Rusisë, ka postuar një video prej nëntë minutave, duke shpalosur gjendjen në Irpin afër Kievit.

Me titullin “Një ditë e luftës në Irpin”, grupi ka dokumentuar ndërtesat dhe rrugët e bombarduara të qytetit.

Teksa filmon karrocën për bebe, këngëtari i grupit, Taras Topolia, shpreson se nëna me beben kanë ikur me sukses nga qyteti i bombarduar.

Në videon e publikuar në internet, këngëtari i grupit ukrainas tregon se janë me njësinë mjekësore të ushtrisë që ka për detyrë ofrimin e ndihmës së parë për ushtarët e lënduar të Ukrainës.

Duke kaluar në një rrugë, këngëtari ukrainas dëshmon se aty pati luftime. Tregon edhe armët e braktisura, të cilat i quan “suvenire ruse”.

Ditari i grupit ukrainas përfundon me një moment qetësie teksa dëgjohet cicërima e një zogu.

“A i dëgjoni? Zogjtë po këndojnë. Sot fitorja jonë është edhe më afër. Do të fitojmë dhe natyrisht se do t’i luftojmë rusët, nuk kemi tjetër mënyrë. Edhe zogjtë këtë po e konfirmojnë”.

Në një mesazh të shkruar pas publikimit të videos, Antytila ka sqaruar se ditari është bërë me kërkesë të mediave gjermane, por nuk kanë shpalosur më shumë detaje për arsye të sigurisë.

Grupi së fundmi ka kërkuar të performojë në një koncert humanitar që është organizuar për të siguruar ushqim, ujë dhe asistencë mjekësore për refugjatët në Ukrainë dhe në shtetet përreth.